Zimuri një vend i pazbuluar, por një perlë turistike

0 0
Read Time:3 Minute, 35 Second

Zimuri një fshat me vlera të mëdha turistike, si mikëpritja, ushqimi, traditat dhe bukuritë natyrore. Ky fshat i Dibrës në ngjitje të tij ofron një pamje fantastike jo vetëm të qytetit të Peshkopisë por dhe të bjeshkëve të Gramës e liqenit. Sot ky fshat që ngrihet jo larg qytetit të Peshkopisë ofron pak ose aspak për bonorët e tij. Por më tepër për vecantinë e kësaj zone flet për pozitivi. org Pajtim Vranici i cili prej vitesh merret me guidën lokale në Dibër.

Zimurin vendi jo shumë i zbuluar që ndodhet rreth një orë larg qytetit të Peshkopisë dhe është fshati më lartë në Dibër, “fsheh” bukuri të jashtëzakonshme, ju si jeni njohur me këtë vend?

Kam pothuajse pesë vite që merrem dhe jam angazhuar ndjeshëm me promovimin e viseve turistike të Dibrës megjithatë përpara se të arrija në këtë pikë, kam nisur së pari për hir të pasionit  të udhëtoj nëpër fshatra të ndryshëm. Në vazhdën e këtyre udhëtimeve nga ku kam zbuluar destinacione të reja, kisha dhe fshatra për të cilët kisha informacion përciptazi, thjesht si banor i zonës. Kureshtja për fshatin që konsiderohet si “çatia e Shqipërisë” më nxiti natyrshëm ta vizitoja. Gjatë eksplorimit të tij u njoha më shumë me bukuritë dhe të veçantat që ai servir. Nuk e mbaj mend periudhën specifike kur e kam vizituar por ka disa vite.

Një vend ideal për të bërë hiking, sa orë është si udhëtim dhe cfarë duhet të kemi parasysh para se të nisemi për në Zimur?

Nëse rruga përshkohet me fuoristradë udhëtimi për në destinacion zgjat rreth një orë.

Sigurisht që për çdo terren të tillë ku ushtrohet hiking duhen marrë disa masa, të tilla si: këpucë të posaçme për ngjitje në terren, një xhup në rast të ndryshimit të motit me rritjen e nivelit të lartësisë dhe sigurisht shumë energji. Terrene të tilla janë sa të bukura aq dhe sfiduese ndaj duhet energji dhe motivim për ta ngjitur. Por sigurisht i gjithë rrugëtimi i vështirë zerohet kur ngjitesh në fshat dhe shikon bukuritë që ai të servir.

Pse duhet vizituar Zimuri?

Zimuri, si çdo fshat tjetër në Dibër është piketë e hershme turizmi pasi ka shumë për të ofruar duke nisur që nga mikpritja, ushqimi,  traditat dhe bukuritë e pashoqe natyrore. Është një fshat me rrënjë të thella i cili i ka mbajtur dyert hapur ngahera për të gjithë miqtë që kanë dashur ta vizitojnë. Dhe kur nuk kanë, dibranët kanë, kështu janë shprehur ngahera autorët për mikpritjen në Dibër dhe banorët që të presin me gjithë të mirat, pavarësisht kushteve ekonomike. Përpos vlerave kulturore, ngjitja në Zimur të ofron pamje piktoreske jo vetëm të gjithë qytetit të Peshkopisë por edhe të bjeshkëve të Gramës e liqenit. Është një pamje nga e cila nuk lodhesh kurrë. Gjelbërim dhe ajër i pastër. Zimuri duhet vizituar sepse është një gërshetim i mrekullueshëm i gjithë bukurive që natyra ofron.

Kur është periudha më e mirë për të bërë hiking në Zimur dhe cfarë aktivitesh mund të bëhen në këtë vend?

Periudha më e mirë për ta vizituar është nga maji në shtator pasi dimri në Dibër është i ashpër. Nis herët dhe zgjat gjatë. Ngjitja në këtë terren ku bora shkrin vonë sigurisht që e bën më të vështirë. Ndaj është e këshillueshme që të vizitohet gjatë muajve të ngrohtë në mënyrë që turistët t’i marrin më të mirën dhe të shijojnë dhe bukuritë e luleve që çelin në vende të ndryshme. Terreni në Zimur në fakt të ofron një shumëllojshmëri sportesh të ndryshme për të gjithë njerëzit që janë të interesuar. Duke filluar që nga hiking deri tek hedhjet me parashutë (paragliding), çiklizëm. Gjithashtu të ofron shumë mundësi edhe për motorët e borës pasi siç e lartpërmenda në këtë fshat bora nuk shkrin deri në muajt e vonë të pranverës. Nuk duhet harruar kurrsesi as camping. Bukuritë e zonës nuk duhen humbur për të gjithë të apasionuarit pas campingut. Qielli në mbrëmje ofron një pamje fantastike yjesh që veç fshati Zimur e ofron.

A mund ta vizitojë cdo grupmoshë Zimurin?

Fshati mund të vizitohet edhe nga fëmijët por megjithatë me kujdes të shtuar nga prindërit. Gjithsesi kuptohet që nga vështirësia e terrenit përgjithësisht vizitohet vetëm nga të rritur dhe njerëz që janë të apasionuar pas hiking

Marrë nga: pozitivi.org

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %