Vlesha, fshati i njerezve te mire dhe punetore

0 0
Read Time:2 Minute, 45 Second

Nga: Sidorela Shehu

Një fshat mes fshatrave! Nje fshat si të gjithë fshatrat për fshatarët e tjerë por jo për mua! Një fshat as I madh,as i vogël në veri –lindje te Dibrës ,Vlesha. Ndodhet rreth 25 km larg nga qyteti I Peshkopisë dhe është pjesë e njësisë administrative Sllovë. Rruga kryesore që kalon sipër fshatit,e lidh atë me Kalanë e Dodes dhe Kukësin! Nga ana e poshtme fusha,e cila kufizohet si nje gadishull në tri anët me tre fshatra te tjerë,Kallën,Zall-Kalisin ,Sllovën. Nga ana e siperme Stërmeci ,mali I fshatit duket sikur vë kufij dhe nëse ngjitesh në majë të tij, ai hap kufinjtë.Gjithashtu duket sikur ka krijuar enkas për fshatin një ballkon në trup të tij.Madhështia e tij hap krahët në lindje te diellit dhe qëndron hijerëndë kur nata zbret mbi të! Vlesha qëndron prej 300 vjetësh në këtë ballkon duke pritur e përcjellë njerëz,vite,zakone,tradita të mira e gjithcka.Ekzistenca e saj merr jetë edhe nga toponimet e ndryshme të vendit si : Kodra e Kishës; Kroi I Shëngjergjit;lisat e Shëngjergjit etj. Mbase këto toponime vërtetojnë historikun e një popullsie të vjetër katolike që jetonte njëhere e një kohë ne Vleshë. Ende sot ,ndihen ecjet e të parëve tanë .

Teqja e Shehelerëve ndodhet ne brendësi të fshatit dhe kushdo që kërkon lutje për ndihmë,e ka marrë atë lutje.Gjithashtu Vlesha është e njohur për Ujin e Ftohtë ,ku shumë njerëz nga fshatrat përreth Dibrës ose Kukësit vijnë për të përmirësuar shëndetin e tyre në këtë burim ujor,që shërben për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga reumatizma. Madje Uji I Ftohtë është burimi kryesor vaditës për fushën e begatë të Vleshës. Për ata që e njohin Vleshën thjesht kalimthi nga rruga kryesore ,nuk mund ta dinë gjallërinë që ajo akoma merr dhe jep nga cdo stinë.Pranvera i dërgon zogjtë që trokasin netëve të gjata në pemët e lulëzuara plot hare.Vera e përcjell me ardhjen e nipërve ,mbesave që kthehen në fshat për pushime të qeta.Vjeshta rikthen gjallërinë e njerëzve punëtore kur marrin frytin e punëve të lodhshme te verës.Kurse dimri hedh mbi të petkun e bardhësisë duke dhënë një magjepsje të një vendi krejtësisht turistik. Tani popullsia e Vleshës është e pakësuar në numër por nuk mungojnë akoma njerëzit e mirë dhe mysafirë ;ata njerëz qe akoma tregojnë historitë e të parëve tane me një lloj fanatizmi;ata njerëz që në raste dasmash mblidhen tok më tok për të ndihmuar njëri tjetrin në gatime ose në përcjellje te miqve të rinj.Janë pikërisht këto virtyte që bëjnë të ndihesh se nuk je vetëm.

Fshati njihet edhe për personalitetet e njohura të politikës shqiptare si 2 nga deputetët e Dibrës: Sherefedin Shehu dhe Sadri Abazi. Shumë arsimtarë të fshatit kanë dhënë ndihmesa për shkollimin e brezave të ndryshëm duke hedhur dritë për një të ardhme të mirë për cdokënd. Ekziston një ndjenjë kënaqësie të flasësh për të! Krenare për vendlindjen time ,unë akoma ndjej ecejaket e një dite të bukur pranvere, ku unë dal në oborr të shtëpisë dhe aroma e pemëve të lulëzuara më shoqëron për një kafe të shkurtër turke! Pasuri për mua dhe vendasit e saj dhe për të tjerët një fshat që ndoshta nuk do e njihni mjaftueshëm

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %