Midis zërave për dije dhe viteve që dëshmojnë heroizmin e Vjollca Kolës

0 0
Read Time:5 Minute, 3 Second

Të rritesh me ndjenjën e të përcjellurit dashuri pa kushte, pa marr një shpërblim pas e të jesh me synimin se vetëm me dashuri e përkushtim bota ime, e jotja, e të gjithëve ne do jetë akoma më mirë.

E ku mund të burojë, e mira pa dorashka?!

Aty dhe vetëm aty, ku mbartet aroma e dashurisë famijare.

Askush nuk lind duke zgjedhur familjen, miqtë, punën,udhëtarin e jetës apo karrierën që do kemi. Gjithçka është e përcaktuar, ama jo të rritesh me idenë se “kështu është fati im, jam lodhur nga vuajtjet e nuk vazhdoj më tej për të punuar për ëndrrën time”. 

Përkundrazi këmbëngulja është faqebardhë.

Në të tilla parametra u zhvillua jeta e zonjës Vjollca Kola. Ajo lindi dhe u rrit në një familje të madhe dibrane prej pesë fëmijësh. Përkushtimi i prindërve nuk u mungoi në asnjë çast secilit prej tyre. Thuhet se “Damari i punës pulson nga familja”, e në të vërtetë kështu ndodhi. Zysh Vjollca e rritur mes kuadrantit të vështirësive, ku pengesat ishin me të shtrirë këmbën. Por, spektri i syrit të saj donte të përthyente çdo tabu të kohës, duke qenë gjithmonë vetvetja. Të guxosh që në moshën 14-vjeçare për të çarë përpara në jetë e vetme, jo çdokush e merr përsipër.

Pikërisht, kjo grua me zë e me emër sot në Dibër i pati rrënjët e saj të rritjes në qytetin e Bulqizës, ku kreu shkollën 8 vjeçare me rezultate të larta. Rrugëtimi i saj sapo kishte nisur. Për tetë vite me rradhë studioi në Tiranë, morri kulturën e një arsimtareje të denjë. Përfundoi arsimin e mesëm dhe atë universitar me rezultate të shkëlqyera. Një sërë kalvari pengesash, sakrificash, orë të panumërta pa gjumë zonja Vjollca ia doli të diplomohej për mësuesi “Gjuhë ruse” dhe “Gjuhë – letërsi shqipe”,në vitin 1978 . Me t’u kthyer në Dibër iu nënshtrua betimit të misionarit se do e donte arsimin e do të përçonte vetëm dije e besim tek brezat ndër vite. Asaj iu ngarkua detyra si mësuese në shkollën “Demir Gashi”, në Peshkopi. Pikërisht, këtu nisi ushtrimin e misionares dhe e mbylli po në këtë shkollë. Në vitet e para të mësimdhënies dha mësim në gjuhën ruse,por me heqjen e kësaj gjuhe nga procesi arsimor kaloi mësuese e gjuhë letërsisë shqipe. Për gati 22 vite dha paralelisht mësim në gjuhën italiane ,ku përgatiti shumë studentë që të kualifikohen me studime në Itali. Teknikat e mësimdhënies me në qendër nxënësin, duke ngjallur tek ato besimin se me punë arrihet gjithçka në jetë bëri që më vonë mësuese Vjollca të korrte të mbjellurat e saj. Tashmë, numërohen me qindra nxënës që kanë dalë kuadra ,si : mësues, mjekë, politikan, biznesmenë, gazetarë.

Ajo kaloi ndër duar tri gjenerata : gjyshër, prindër e fëmijë, ku nëpër korridoret e shkollës shikonte sa kishin ndryshuar fëmijët që deri dje i kishte nën përkëdheljen e duarve të saj.

Në mes të nostalgjisë për kohën e gjatë i mbushen  sytë me lotë kujtimesh, teksa na rrëfen .

“ Mësuesia, është një rrugëtim i gjatë. Përpara se të them një profesion, mësuesia është mision. Misioni për të edukuar me disiplinë e korrektesë nxënësit që të shikojnë në dritë të syrit, teksa gërmëzon mësimin, që ato nesër të ecin me hapa të sigurt e jo me ndrojtje. E kam kryerën detyrën time me përgjegjshmëri të madhe që nga dita e para e deri tek e fundit. Me forcën e shpirtit jam munduar që nga unë t’u mbeten copëza kujtimesh jo vetëm nga mësimi, por edhe nga situatat e krijuara në klasë.”

Më tej, shprehet me sytë e ulur mbi duart e saj :

“-E dini që kënaqësia më e madhe e mësimdhënies është kur klasa ka rezultate ?! Aty vërtetohet puna e mësuesit. E kjo të ngjall ndjenjën që të harrosh lodhjen e të qëndruarit me orë të gjata në këmbë, në korrigjime testesh pa u shfryrë me gabimet e bëra.Por, ama duke u munduar që të mësojnë nga gabimet.’’

Tashmë, mësuese Vjollca është në pension dhe jeton në Tiranë. Në mes të Peshkopisë e Tiranës, dy vende ku nisën, u rritën dhe u formësuan idetë dhe karakteri i mësuese Vjollcës. Një karakter i butë, që në takimin e parë të jep ndjesinë e një bote ku palosen thellë në zemër kujtime që flenë e janë ende gjallë brenda saj. Miq të shumtë, kolegë, salla plot me diskutime e shkrime mësimore, me zhurma nxënësish nëpër korridore shpalosen fletë – fletë në mendjen e saj përditë. I duket i prekshëm çdo kujtim, pasi ajo gjithmonë la pas fjalë të mira. Edhe sot në tërë Dibrën nuk ka nxënës që s’e ka dëgjuar zërin e saj apo buzëqeshjen e syve sa herë të takonte kalimthi në rrugë.

Ndërkohë, duke kaluar në pension shprehet :

“Ditët e para të daljes në pension ishin plot boshllëqe. Më dukej sikur gjithçka ndaloi, u shua për mua. Familjarët më rrinin afër, por më mungonte rutina ime e përditshme, ato përshëndetjet e përqafimet mes kolegëve dhe nxënësve . Ditët kalojnë e kujtimet mbeten. Falë Zotit më lindi edhe një mbesë. Me ardhjen e saj në jetë më duket sikur kam rilindur. E tashmë, gëzoj lumturi të plotë familjare.”

E duke qenë një arsimdashëse, nuk na lë pa përmendur ca fjalë për brezat e rinj.

“ E vetmja pasaportë e një pune dhe suksesi në të ardhmen është të investuarit në arsim, duke punuar fort, duke dhënë gjithë energjinë e tyre që e nesërmja të jetë më e ndritur se sot. Lodhja harrohet, puna lavdërohet. E teksa, ke guxim kurrë nuk do të jesh në baltë.Pasi,ai që mësohet me vështirësi din të luftojë e të fitojë kundrejt udhëve të jetës. E se dija nuk përfundon me mbarimin e shkollës. Dija ka pafundësi.”

Kështu e përfundon rrugëtimin e saj ,mësuesja që edhe natën ditë e bëri për nxënësit e saj ndër vite. Për 38 vite në arsim, ajo kurrë nuk ankohej për angazhimin dhe lodhjen e tejskajshme.

Kështu, një zonjë me plot vlera të rralla për familjarët, nxënësit ndër vite, kolegët e për tërë popullin dibran mbetet mësuese Vjollca Kola.

Cikli i ReportazheveHeroina Dibrane

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %