Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin do të rrisë sigurinë e furnizimit me energji në vendin tonë, do të përmirësojë menaxhimin e kaskadës dhe të ulë rreziqet e përmbytjeve në zonën e Shkodrës.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bën të ditur se, po vijon puna në terren për realizimin e fazës së parë të projektit Skavica.
Sipas KESH-it, faza e parë e këtij projekti konsiston në realizimin e studimeve dhe analizave inxhinierike, mjedisore, sociale dhe financiare për të përcaktuar realizueshmërinë e tij (fizibilitetin).
Aktivitetet që po kryhen në këtë fazë përfshijnë studimet inxhinierike dhe të projektimit, vrojtimet mjedisore dhe sociale si pjesë të procesit të VNMS (Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor e Social), studimet gjeoteknike dhe vrojtimet topografike, batimetrike dhe fotogrametrike.
Ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushës së Shkodrës dhe fushës së Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe eficiencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës.
“HEC-i i Skavicës merr një rëndësi të madhe për Shqipërinë përfshirë këtu 210 megavat të shtuar të energjisë së pastër të ripërtëritshme dhe kontrollin e përmbytjeve sezonale. Ndërtimi i HEC-it të Skavicës, një projekt me interes kombëtar do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do t’a pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin”, ka bërë të ditur më herët ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Diversifikimi i burimeve gjeneruese të energjisë elektrike është një kriter për vendin tonë, pasi aktualisht, prodhimi i energjisë në vendin tonë bazohet vetëm në burime hidrike.
Marre nga Mat TV