Mjaftoj unë dhe kafeja. Çdo ditë në të njëjtin vend por me fytyra që nuk i kam parë shpesh, disa prej tyre i ngatërroj me të vjetrat. Ja sepse ngjajnë fizikisht, ja se kam mall që nuk shuhet për secilin prej tyre.
Këtu në Tiranë siç dihet nuk mund të përshtatesh shpejt me njerëzit sepse ndryshojnë shumë me të Dibrës. Nëse në Dibër kafja pihet vetëm, njerëzit flasin aq shumë për ty saqë kafja e tyre ftohet ndërkohë, madje dhe për këtë të bëjnë fajtor ty. Kurse ti nuk bën gjë tjetër veçse po shijon kafen tënde, qetësinë tënde pa bezdis njeri! Të mos flasim për hamendësimet që mund të krijohen mbi ty vetëm sepse je femër. Hamendësimi i vetëm është se ti pret dikë aty dhe që me patjetër do jetë djalë, ose akoma me keq, goca e filanit është mësuar me kafetë në kryeqytet e nuk i lë dot tani, ashtu bëhen këta me shkollë të lartë. Shkolla e k’tyre amaann…veç shashtisin e rrjepin familjen kot se dhe punë nuk kanë me gjet.
Domethënë edhe atë pak motivim që ke ta heqin si diçka që nuk të përket dhe që nuk do ta kesh kurrë. Është për të ardhur keq por kështu janë njerëzit në Dibër. Unë prapë ndjej mall për Dibrën, aq shumë saqë çdoherë që kaloj tek stacioni i fugonave të Dibrës, zemra më thotë: 12 mijë lekë bileta vajtje-ardhje, shko zër një vend tek, pa valixhe, pa libra, pa merakun se do vijë vllai dhe duhet t’i gatuash diçka të ngrohtë për darkë në shtëpinë që shumicën e kohës flet veç me leksionet që duhen për ditën e nesërme dhe me gjumin, thuajse hiç me vëllain dhe mos u kthe derisa të çmallesh komplet Dibrën.
Por mendja më ndërpret. Nesër ke prezantim projekti. Pasnesër po ashtu. Nuk bëhet këtë javë as javës tjetër. Vazhdoj e eci si përditë, me mall në zemër e pamundësi në mendje. Edhe mua kafeja filloi të më ftohej aq sa bëra edhe një rikujtim me veten, me mallin për vendlindjen siç e kam dëgjuar dikur nga një pasagjer i rastësishëm që jo rastësisht më ngeli në mendje. E kisha përballë edhe pse biseda nuk ishte me mua ai e theksoi dashurinë për vendlindjen kështu:
“Kudo me shku, sado me nejt, unë Dibrën nuk e harroj, as njerëzit, edhe pse shumica më thonë se je mendjemadh! ” Në kafe me veten duke menduar për Dibrën, dëshira shtohej për të shkuar sa më shpejt atje, ku në të vërtetë nuk presin gjë tjetër veçse një a disa mungesa në çdo tryezë a zemër njeriu!
Se Dibra është boshatis e boshi shtohet në të…
Nga Anisa Tufa