Para disa dekadash shumë fshatra në të gjithë vendin kishin krijuar tregjet e tyre dhe në një ditë të javës, tregtoheshin shumë produkte. Por pas viteve 90-të kjo traditë humbi në pjesën më të madhe të zonave rurale, ndërsa zona e Gollobordës në Bulqizë vijon ta ruajë.
Ky është tregu i Gollobordës që zhvillohet çdo të enjte. Aty shkojnë të tregtojnë tregtarë jo vetëm nga zona aty përreth, por edhe nga Maqedonia e Veriut apo qytete të tjera të Shqipërisë si Bulqiza, Peshkopia dhe Elbasan e Librazhd. Tregtarët thonë se kushtet janë skandaloze edhe pse paguajnë të gjitha detyrimet ndaj Bashkisë Bulqizë. Ata kërkojnë që të ndërhyhet dhe të ndërtohet një treg me kushte bashkëkohore, pasi tradita e zonës për të zhvilluar të enjten Pazar, do të vijojë.
Në treg edhe blerësit ankohen por edhe vizitorët, siç është kjo vajzë e cila vjen nga Maqedonia e Veriut. Ajo thotë se kushtet janë të rënda dhe asgjë që mund të blihet në treg nuk është e sigurtë, për shkak të kushteve ku tregtohet.
HBanorët thonë se duhet të jetë Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit që duhet të ndërhyjë, por edhe bashkia të ndërtojë një treg me kushte optimale.