Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka bërë bilancin e tre orëve të procesit të votimit në 6 bashki në vend për zgjedhjen e kryetarëve. Celibashi tha se procesi i hapjes së Qendrave të Votimit ka qenë pa ndonjë problematikë të theksuar.
“Jemi në monitorim. Problematikat e evidentuara deri tani janë 2 QV në Shosh dhe 1 në Pult në Shkodër në të cilat nuk ka filluar votimi për shkak se komisionerët nuk kanë mundur të shkojnë në QV për shkak të situatës atmosferike. Në Shalë, procesi i identifikimit të votuesve bëhet manualisht.
Në Dibër janë 101 QV dhe tek të 101 ka filluar procesi. Kemi një problem në 18 QV në lidhje me energjinë elektrike në Kastriot dhe Kala të Dodës për shkak të reshjeve të dëborës.
Në Durrës nga 337 QV ka filluar procesi votimit tnë të gjitha. Ka një problem në një QV që lidhet me pajisjen e identifikimit, por është zgjidhur . Në një QV në Durrës po kryhet procesi identifikimit pa pajisjen PEI. Në 337 QV po votohet.
Në Vorë janë hapur të 44 QV dhe po votohet normalisht.
Duket se problematika lidhet më shumë me disa QV në Shkodër dhe Dibër për shkak të situatës atmosferike.
Dua t’i falënderoj komisionerët e këtyre QV të cilët në kushte ekstreme të motit janë paraqitur në detyrë, baza materiale ka shkuar. Shpresojmë që brenda afatit 5 orësh ne ta rifillojmë procesin e votimit dhe në ato QV ku ky proces nuk ka filluar akoma”, tha Celibashi.
Sa i përket Vorës, Celibashi deklaroi se të gjitha QV janë funksionale në bashkinë e Vorës. “Në një pjesë nuk është numri i plotë i anëtarëve të komisionit, por në të gjitha komisionet ekziston kuorumi prej 4 anëtarësh. Kemi pasur një situatë problematike në lidhje me këtë çështje, pasi KZAZ e Vorës nuk pranoi fillimisht propozimet e PD për anëtarë të QV pasi personat që ishin propozuar nuk ishin banorë të Vorës, sikurse e kërkon Kodi Zgjedhor. Pastaj kemi ndërhyrë si KQZ dhe i kemi vënë në dispozicion KZAZ Vorë një listë të personave që kanë aplikuar në portalin e KQZ të gatshëm për të zëvendësuar anëtarët në QV. Është pranuar me vendim të KAS-it pasi dhe në këtë situatë KZAZ nuk e ka pranuar listën që kemi dërguar. Është ankuar PD në KAS dhe KAS ka vendosur të pranojë që sekretarët që duhet të ishin zgjedhur nga PD të emëroheshin nga KZAZ nga lista që ishte dërguar. Mungojnë një pjesë e anëtarëve të PD-së që duhet të ishin propozuar nga PD pasi KZAZ i ka rrëzuar me arsyetimin se nuk ishin banorë të Vorës. Nga pikëpamja ligjore procesi në Bashkinë e Vorës është duke u zhvilluar normalisht. Janë 4 anëtarë që përbëjnë kuorumin minimal për procedurat e votimit.
Përfaqësimi duhet të jetë në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. KZAZ ka pasur një vendimmarrje të caktuar. Ka pasur ankim dhe ka vendosur KAS. Ky vendim i KAS është respektuar nga KZAZ. Vetëm për sekretarët se për këtë ka qenë vendimi i KAS-it , për sekretarët. Vendimi i KAS-it është i qartë pasi thotë se duhet të bëhet plotësimi me sekretarët dhe anëtarët në rastet kur parashikohet të arrihet kuorumi. Në Vorë kemi sekretarët dhe kuorumin. Në vlerësimin tonë, janë të përmbushura kërkesat e kodit zgjedhor në lidhje me atë si funksionon Komisioni i QV. Kjo nuk e përjashton të drejtën e PD-së për të pasur anëtarët e vet, por duhet ta përmbushë në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor”, tha ai.