Nga Alban Tufa
Nëse nga nevoja për qenë të përditësuar do të na duhej që kësaj bote t’i vinim një emër të ri, me shumë meritë mund ta quanim gjithësej, Republika e Dukjes, jo e ndonjëfar Duke a Lordi, por për kuptimin mirfilli të pamjes, fasadës, boshësisë në brendi, pra shfaqjes duke patur gjithmonë parasysh daljen para syve të të tjerëve. E gjitha kjo për shkak të shmangies së qëllimeve duke na çuar në konvencione të reja. Ndër plot çështje të tjera, më tipik për të ilustruar Republikën e Dukjes, është i shumëpërfoluri dhe njëkohësisht më pak i prekuri, libri. Kështu pas kësaj paranteze estetike dhe për pasojë shumë etike, do ta shqytojmë librin si objekt, si subjekt, dëshirë, qëllim apo edhe si mjet i të nxënit, pra më përmbledhtazi: së pari libri si fenomen sociologjik, së dyti si element estetik dhe libri si shenjues (brendia e librit si përbërje tërësisht estetike).
Libri si fenomen socilologjik
Studiuesi i sociologjisë së kominikimit, Eric Margret, kur trajtonte çështjet e librit, ai shpjegonte se si leximi (libri) në epokat e mëparshme kulturore ishte një akt formal dhe njëkohësisht i epërm, ndërkohë që në ditët e sotme është tërësisht një akt i rëndomtë që lidhet së pari me njohjen dhe dijen. Në një logjikë tjetër, thuajse të përkundërt, ai sillte të dhëna se si leximi dhe numri i lexuesve kishte rënë me gjysmën e atyre që ishin një shekull më parë. Ndërkohë të dhënat sipas institucioneve tona, një milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër, sigurisht një gjendje kjo alarmante dhe për të vënë duart në rrashtën e kresë, e mandej të shkosh rrotullë nëpër dhomë si i marrë, por kjo nuk duhet bërë sepse e gjitha kjo nuk është një situatë e ardhur befas, dhe as e sjellë nga një Botë tjetër dhe e lënë mçeftas këtu. Të dyja këto të dhëna, besoj të besueshme, i shqetëson vetëm numri. Kështu nëse ky numër një mëngjes të çfardoshëm, por të bekuar gjithsesi, do të shtohej, kjo qasje do të vetëkanqej, dhe prraf mund të pëlciste aty për aty dhe të bëhej pluhur. Më tej nuk arrin dot, sepse e shqetësojnë vec numrat, dhe pikërisht këta numra pritet të rrisin pritshmëritë e cilësisë së lexueshmërisë dhe dashurisë kundrejt këtij fenomeni sociologjik. Në qendër të kësaj logjike qëndron kapitali social, pra që shoqëria të lexojë libra, madje të çfardoshëm, dhe po këto libra që prodhojnë një tru dhe trup masiv, gjigant dhe t’i sjellin shoqërisë sonë përfitime mirëfillimi materiale. Pra, sidoqoftë, sa herë që librit t’i qasesh socioligjikisht nuk do arrish të përmirësosh as librin e aq më pak lexuesin. Pra sikur një biznesi të qasesh estetikisht duke menduar: do të bëj një biznes të bukur.
Libri si element estetik
Ndëkohë baret e Tiranës (kam parë edhe në Peshkopi), po vijnë dhe po ndryshojnë stilet arkitekturore, lloj lloj modelesh klasike, moderne dhe postmoderne, e ndër të tjera, në të shumten e rasteve përfshijnë edhe raftin e librave. Në disa raste këto rafte janë të mbushur me shishe boshe, me vazo lulesh prej kauçuku dhe të bëjnë karshillëk sa herë ngre kokën bashkë me filxhanin e kafesë. Në raste të tjera disi më të rralla, raftet janë dingas me libra, të cilat pronari mund t’i ketë marrë në bukinistë me një çmim kutrum ose me kile. Në këto tituj mbizotërojnë autorët e socrealizmit, të cilit pronari as që ia ka idenë sespe ka jetuar gjithë traznicionin në Greqi, ndërsa pjesa tjetër e librave janë të shkruar në rusisht apo në kinezçe të cila nuk mundet t’i lexojë askush. Kështu këto libra, zhvishen nga të gjithë funksionet e tjera, duke mbetur cullak, veç me funksionin e objektit estetik, njëjt si një shkëlqyes buzësh, i cili vetëmsa theksoj plasaritjet e buzëve, duke vënë kështu në dukje vetëm mosleximin e tyre. Pra qëllimi nuk ndryshon, sikur, pasi t’i keshë hequr librat, të vendosësh aty qoftë edhe një shishe birre Korça, kanë po të njëjtin funksion.
Para disa ditësh, në një nga bateret tona ne me emra të huaj, vura re diçka. Ndërkohë që e gjithë faqja e murit e ishte e zënë me libra, në një derë në mes tyre hynin e dilnin njerëz. Kur kamarierin e pyesnin se ku është tualeti, ai bënte shenjë drejt murit me raftin e librave.
Ata shtynin derën-raft dhe futeshin në të. Kjo ishte VC-ja, dhe ishte e mbuluar me letër murale me pamje biblioteke.
Këtu të shkon në mendje çasti kur dëgjon prindër tek fëmijët iu merren me drogë dhe trafiqe duke thënë: kush është i zoti le ta bëjë atë punë. Ja mu këtu e kupton se çfarë vendi e qesin librin: në VC.
Të njëjtën gjë e kam parë edhe në disa xhama të call center-at që gjenden nëpër Tiranë, ku i mbulojnë me kësi letre, si për të na thënë se këtu brenda mbajmë në internim gjithë mendjet e ndritura që vendit: rininë.
Së fundmi, dhunimi dhe çlirimi estetik që i bëhet objektit të përbërë nga fletët: librit, është plazhi. Kështu ky send i gjorë, rri përherë në çantën e plazhit, nga vera në verë, nga 10 ditë. Gjithesesi kjo është një çështje tashë e shqyrtuar.
Brendia e librit si përbërje jo vetëm estetike
Pata lexuar diku, që një pjesë e mirë e lexuesve e zgjidhnin librin mbi bazë të kopertinës. Ky lloj lexuesi, kam bindjen se nuk e bën këtë llojë zgjedhjeje vetëm me librin. Kështu ata edhe njeriun me të cilin kalojnë jetën mund ta zgjedhin vec për kopertinës. Në të dyja rastet kjo me të drejtë mund të quhet disfatë, madje fatale. Nëse kjo do ishte funksionale, qëllimi i shkrimtarit atëherë mund të ishte komplet tjetër: të kujdesej më së shumti për kopertinën.
Për ta shmangur sa më shumë këtë disfatë, duhet të kujdesemi për brendinë, për autorin, stilin e autorit, zhanrin, subjektin, narrativën, madje edhe për gjendjen tonë, sepse vetë arti në tërësi është gjendje, e cila krijohet dhe krijohet sërish sa herë jemi në kontakt me veprën estetike.
Gjithsesi, siç ndryshojnë qëllimet e lexuesit mbi një vepër ndryshojnë edhe qëllimet e krijuesit mbi veprën para ose gjatë procesit. Kështu një pjesë shkruajnë për të marrë sadopak vëmendje. Një pjesë tjetër shkruajnë për të folë mbi atë çfarë kanë shkruar. Një pjesë shkruajnë sepse thjeshtë mendojnë se kanë talent (dhe kanë), por nuk kanë gjë për të thënë. Siç edhe një pjesë shkruan sepse është e bindur që ka lexuar mjaftueshëm. Ndërsa një pjesë tjetër shkruajnë vetëm për para.
Çfarë bën një lexues i mprehtë?
Ai gjen një shkrimtar që shkruan vetëmse nuk jeton dot pa shkruar, ta zëmë si Tolstoy, Dostojevski, Sabato, Marquez etj.