Dibra, e njohur për bukuritë e saj natyrore, vazhdon të mahnisë me pasuritë artizanale që mbajnë gjallë traditat përmes njerëzve të përkushtuar dhe punëtorë. Në aktivitetin “Shijet e Territorit dhe Traditës Shqiptare”, organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Kryetari i Bashkisë Peshkopi, Rahim Spahiu, dhe i dërguari politik i qarkut, Blendi Gonxhe, u takuan me dy sipërmarrës të zonës, Ramazan Kaza dhe Selman Voka, të cilët përfaqësojnë frymën e punës dhe traditës dibrane.
Ramazan Kaza, nga fshati Shumbat, ka themeluar “Kaza Fruit” që nga viti 2009, duke shndërruar pasionin e tij për bujqësinë në një histori suksesi. Çdo vit, ai prodhon mbi 30 ton kumbulla, të cilat pas përpunimit sjellin në treg shijen autentike të tokës dibrane.
Nga ana tjetër, Selman Voka, nga fshati Muher, ruan një tjetër traditë të zonës – prodhimin e djathit të dhisë. Ai prodhon mbi 50 kuintal djath në vit, duke sjellë një produkt të cilësisë së lartë që reflekton dashurinë për natyrën dhe bagëtinë.
Përfaqësimi i tyre në këtë aktivitet është një shembull i gjallë se si traditat dibrane vazhdojnë të jetojnë përmes përkushtimit dhe punës së palodhur, duke kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë lokale.