“Top Story” u ndal në një prej lokaleve modeste që ka Bulqiza. Aty mblidhen punëtorët e nëntokës për të qarë hallet mes tyre. Cigare, kafe dhe një gotë raki për të zbutur pak të ftohtin ekstrem të Bulqizës, shoqërojnë çdo ditë këta njerëz të punës.
Në këtë mjedis kaq të thjeshtë e miqësor, ishte ndër të paktit në Bulqizë ku mund të bisedoje lirshëm me minatorët për problemet e tyre.
Në këtë mënyrë ata kalojnë çdo pasdite, pasi kanë mbaruar orarin e punës në minierë. Njerëzit e nëntokës kanë vetëm një kërkesë dhe këtë e përsërisin përditë.
“Duam statusin. Ata thonë që do ta bëjnë statusin, por nuk shohim gjë”, shprehet një banor.
“Statusin e minatorit e duam, sepse kemi lënë brinjët”, shprehet një tjetër banor i Bulqizës.
“Duam vetëm statusin”, thotë një tjetër banor.
Për 12 vite rresht, politikanë të majtë e të djathë kanë premtuar “statusin e minatorit”. Por, të gjithë kanë mashtruar.
Të njëjtin premtim dha edhe Damian Gjiknuri, ish-ministër i Industrisë. Viti 2018 iku pa status, e bashkë me të ikën dy ministrat e qeverisë.
Ky është Agim Mera, një prej minatorëve që morën pjesë në grevën e vitit 2011, në nivelin e 14 të minierës. Tetë vite më pas, ai është pensionist.
“Kemi kaq vite që luftojmë për statusin e minatorit dhe ka kaq vite që vijnë e premtojnë, por asgjë nuk kanë bërë për minatorët e Bulqizës. Ne protestojmë për të drejtat tona, por shkojnë në vesh të shurdhër”, shprehet Agim Mera, ish-minator në Bulqizë.
68-vjeçari, njësoj si çdo njeri, mendon se politika gatuan çdo problem në vendin tonë.
“Me sa mendoj unë, është mungesa e politikanëve për ta çuar statusin në vend, se lekë ka sa të duash…”, shprehet Agim Mera, ish-minator në Bulqizë.
Agimi, i cili ka punuar për 40 vite nën tokë, ka edhe një thirrje për minatorët.
“Njerëzit për sa kohë nuk marrin fatin e tyre në dorë, nuk pres ta zgjidhë qeveritari”, shprehet Agim Mera, ish-minator në Bulqizë.
Ndër vite janë zhvilluar me dhjetëra protesta, por ato janë shuar sapo drejtuesit e sindikatave kanë përfituar nga pazari i radhës. Për ironi, minatorët përfaqësohen nga 5 sindikata, secila prej të cilave bën pazar me interesa të ndryshme. Dikush nga sindikalistët afrohet me qeverinë, një tjetër me opozitën, të tjerë me biznesin. Si përfundim, asnjë prej tyre nuk është me minatorët.
Top Channel
DibraON.Com