Pikërisht kështu i ndodhi të birit të Ajaz Çelikut në fshatin Shterpë: tek luante me gurë në lumin e Veleshicës, i cili nuk pushonte së gurgulluari as verë, as dimër, zhytet në një valë mendimesh e fantazish, se ku shkon e tëre ajo Veleshicë, pastaj ajo me gjithë Drinin e Zi. Ç’rezervuar i nxë?Goxha mendime të pjekura i vinin në rradaken e tij rrumbullake, njëjtë si kungulli i papjekur. Nuk dihet ekzakt se sa kohë u përhumb i biri i Ajazit në mendime, por mjafton fakti se lopët e tij nuk i nxinte syri kund, që ai të dilte nga ai pellg mendimesh, të mallkonte veten pse ra sërish pjesë e këtij dështimi, realisht përsëri katastrofal.
Gjëma i mbiu në derë (këtë rast në gurë) djaloshit të ri. Në mendje si me magji, iu shfaqën paralajmërimet e të atit, britmat e tij, dhe më pak herë ndonjë shpullë surratit. Kjo e fundit dhimbte më fort.
Varianti i parë që rrëfimtari rrëfen herë pas here është që: Asimi, u çua nga guri ku qe këmbakryq, dhe i ra rrotull gjithë fushës, e në të perënduar, me kokën ulur u kthye në shtëpi ku e ëma i thotë që lopët i kanë zënë Cungët në arën e tyre. Por ka dhe një variant tjetër i cili thotë që, ai, i paska gjet lopët në vathën e Halit Cungut, dhe se djemt e tij i paskan thënë që po nuk pagujte dëmin, harroi lopët. Madje-madje, nëse ndodh sërish, ata do ia thernin dhe gabimi s’do mund ta shlyhej nga kurrkush me asgjë.
Gjithsesi, ai e mori guximin t’i dalë sërish të atit përballë, si burrë. Qëndroi para portës për një kohë të majme e pasi e kuptoi që veç po humbte kohë u fut brenda për t’ia thënë të atit që lopët i ishin humbur, e pastaj i kishin marrë Cungët, dhe se ky ishte aty me duar në xhepa.
Flitet që Asimi paska qarë, por gjithsesi e paska gjet forcën të futet brenda.
-Siii the? Prapë? Turp, turp, turp…se mos ke turp ti! -hakërreu Ajazi.
-Po si merrja dot mor babë, se ata ishin tre vetë. Pastaj unë jam fajtorë. Lopët bënë dëm.- u përgjigj me lot në sy Asimi, përballë babës së tij.
-Mos mu përqull- thirri ai, pastaj vazhdoi, – dil e mos më hajde brenda me duer në xhepa.
-Po s’di… Si t’i marr… -fjalët iu mekë në gojë.
-Një zot e di kujt i ngjave. Nuk janë kështu as ata të tët ëme, – sos ai
Asimi ngeli i gozhduar para të atit.Nuk e shihte nga fytyra, s’kishte sy e faqe ta shihte ashtu, madje as guxim, por e pa me vëmendje nga duart tek dredhte një cigare, e cila i doli e trashë, e fryrë si hardhucë barsë.Ia kishte qejfi fort ta thithte, ndoshta jo më shumë për kureshtje se sa ngaqë kish dëgjuar se zehëri del me zehër. Po vdiste nga dëshira t’ia kapte prej duarsh atë cigare obezë, ta ndjente në mushkëri, ta dehte në palcë, dhe si përfundim kjo historia e tij të mos ishte pjesë e jetës së lopëve dhe e anasjellta, as ato të mos bëjnë më pjesë në jetën e tij.
-Mos humb kohë, do vish me lopët sonte.- urdhëroi Ajazi, tek mustaqet e tij u drodhën cepash.
Ai u kthye dhe eci me një hap të vendosur.Ra në bodrum dhe doli pa u venë re.
Mund të kish dalë nga dera e madhe, por një zot e di pse zgjodhi të dalë nga pas. Rrugës mund të ketë qarë, madje mund ketë dënesur me gulçime ose mund të ketë vrapuar duke thithur ajrin siç donte të thithte cigaren, nëpër mushkëri duke e dehur veten me dëshirë.
Drini dhe Veleshica putheshin me epsh mes tyre (këtë rrëfimtari kurrë s’e harroi) dhe krijonin një zhurmë si rënkim.Tingujt e puthjeve të tyre rrihnin shpatet përreth e dëshira aty merrte përmasa të trasha. Këto rënkime që ia merrnin kohën Asimit e kishin çuar atë sot në një ngatërresë fijesh të mendimit, në një dimension tjetër perceptimi ku jeta dhe vdekja ngjyejn duart me dinamit të zier.
Trillimi i trurit të tij, kishte marrë një mision të mundur në mendjen prej 13-vjeçari.Në një mpiksje logjike kishte vepruar si një kompjuter dhe u gjend mekanikisht para të atit për një orë.
-Bab’ Lopët i ke posht. Unë nuk jam qullë
Në shtëpinë e Ajaz Çelikut ra termet. Do ta donte fort një tërmet tjetër Ajazi, por veç ky mos t’i binte. Nga tavani i çarë e bërë kërpudha-kërpudha ra një copë suvaje mu para syve të tij. Mustaqet prap iu drodhën, por këtë herë ndyshe, diç më rëndë, diç më thellë, e diç më frikshëm.
Më i vogli i Çelikëve, 4-vjeçar atëkohë, trazonte në botën e tij të ëmbël e të pastër, me një shufër hekuri vatrën e zjarrit në oxhak.Askush nuk e vinte re, sepse të gjithë e kishin mendjen te i madhi, e kështu ai vazhdonte lojën e tij të preferuar, duke trazuar zjarrin. Fundja ai po shfrytëzonte rastin dhe as që i interesonte lopa, i ati, i vëllai, e aq më pak burrëria. Buzëqeshtte.Sytë e tij tregonin një botë të re, si diçka krejt ndryshe në odën e tyre që kishte gatuar veç trimëri.
Duart e tij të vogla të nxira nga shufra e hekurit e cila kushedi sa herë ishte zhytur në hi, dilnin hapur kundra zjarrit, si me thënë, po kryenin betejën e ekzistencës. Ai donte ta shuante zjarrin me shufër, por çuditërisht ai çartej më tepër dhe në prrafëllima e sipër dilnin shkëndija mbi flakë.
Posht fshatit, Veleshica ashtu nuk reshtte së ecuri, si një burrneshë. Gjithë jetën penetrohej nga Drini, e në moment shfaqeshin shkumëzime që në çast pilleshin e ngordheshin si të mos kishin qenë dhe të dy lumenjtë bashkë merrnin rrugën për në Shkodër, ku divorcoheshin në fund të Kalasë.
Asimi nuk e njihte Shkodrën, as detin. Emrin e këtij qyteti, që as e dinte se ishte qytet, e kishte dëgjuar njëherë nga dritarja e një konaku, ku një zë i forte plaku kish shpallur: “Mendja, or burra, ka lind në Shkodër, ka bujt në Mirditë dhe asht vendos në Dibër. Dhe jo në pak raste ky ishte arsyetimi që i jepte vetes sa herë mendonte se i vinte një ide në kokë.
Ai thjesht kish rënë thellë në dashuri më lumin e tij nën këmbët e fshatit, i cili ngrehte e shkrehte histori e bëma pafund, ku më e reja, ishte kjo e tij.
Mu aty mbi gurin ku ulej këmbakryq, kohët e fundit e kish marrë malli për fëmijërinë. Ai nuk ndjehej më fëmijë. I ati ia kishte bërë bindje që tashmë është rritur, e kjo bindje si padashur i ishte bërë ndjenjë. I kish fol për nderin, për besën, sedrën e shumë-e-shumë tipare të tjera malësori. Gjithë ç’i ishte thënë ia kish rrahur fort butësinë e tij, dhe sot, gjendej ballë të atit, tek po i jepte faktin e shekullit që realisht ishte rritur. Sot po i jepte të atit brumin që ai kish gatuar.
I shtangur para tij, i kocktë, pa butësi, me pushkën në dorë si një çmim që po ia dorzonte të atit ia shtriu përballë.
-Urdhno pra! I vrava Cungët.
-Ah ça m’bane… më shtive në gjak -rënkoi Ajaz Çeliku
Ndërkohë prrafëllimat e krandeve të zjarrit vetëm shtoheshin, ndersa vogëlushi ngacmonte qetësisht vatrën si me dasht të thyejë kohën.