Nga: Samet Zagradi
-Vijmë nga larg, midis malesh dhe vështirësive të panumërta e përpiqemi të ecim njëkohësisht me pjesën tjetër të shoqërisë. Përpiqemi me sforco të shumta të tregojmë vlerat, virtytet, bujarinë që vetëm një zonë e bekuar dhe e pa kursyeshme si Dibra di ta japë. Gjykohemi por ecim me kryelartë me krenari dhe dijnitet prej malësori, me ndershmëri besojmë vetëm tek puna. Jetojmë mes sakrificash, varfërisë dhe skamjes por të bindur për një qëllim të qartë, një të ardhme më të sigurtë dhe gjithmonë synojmë të bëjmë më të mirën. Ne punojmë fort, nuk lodhemi dhe besojmë realisht në afëtsitë dhe forcat tona. Të besosh, e të përpiqesh të mbijetosh në vështirësi, madje të jesh i suksesshëm pa harruar nga vjen per ne do të thotë shumë!
Të rritur me ujin e freskët e nën hijen e Korabit madheshtor dhe të ushqehesh me oratori magjepsëse të odave dibrane, me ushqimet dhe me traditat unike të saj, duhet të ndihesh vërtetë me fat. Apo të rritesh në odat e njohura të Dibrës me bëmat e Elez Isufit, mjeshtërinë e fjalëve të Dine Hoxhës e Haki Stërmillit, apo me oratorinë e pashoqë që vetëm një Dibran di ta kuptojë sërish do të thotë shumë. Do të thotë të jesh me fat për atë tokë dhe atë mënyre jetese që je rritur, të varfër por të ndershëm! Të rritesh me ndjenjën e atdhedashurisë ashtu sic Skënderbeu bir i Dibrës u kthye për vatanin e tij dhe të bësh krenar këtë vend është detyrim për këdo ne. Të thithësh ajrin e bujarisë së këtij vendi, e të mësohesh me kulturën e mikpritjes, besnikërisë, zgjuarësisë dhe punës tregon që Dirbra dhe dibranët ja kanë dalë ashtu sic historia e ka thënë gjithmonë. Arti i fjalës dhe kultura e të qënurit njeri jetojnë thellë në shpirtin e cdo Dibrani, që padyshim detyrimi më i paktë moral është të ndihet krenar nga vjen dhe të bëjë krenar Dibrën kudo që ai merr frymë.
Të vish prej Dibre do të thotë të ecësh me sforco përtej limiteve, përtej cdo vështirësie, përtej cdo halli. Të kalosh pengesa në dukje te pakalueshme. Të qëndrosh i heshtur mes qindra vështirësive dhe të përpiqesh të mbijetosh mbetet zgjedhja e vetme që nga fëmija deri tek plaku. Të vish nga Dibra do të thotë të jetosh mes mureve të kalbur te varferisë në dukje i pashprese, ku mbijetesa për shumicën bëhet objektiv kryesor i jetës. Harruar nga cdo sistem politik dhe braktisur nga cdo shërbim që i takon. Mohuar, cënuar dhe copëtuar padrejtësisht e ndarëne dysh me kufinj shtetëror. Paragjykuar pa të drejtë, pa e njohur e pa pasur asnjë informacion për cka flasin. Të jesh nga Dibra do të thotë të ndihesh i paragjykuar akoma pa të njohur. Më pas ,vlerat unike që vetëm ajo krahinë di të ti falë të bën të jesh ai që këto tabu të thyhen në qindra copëza suksesi.
Të vish nga Dibra do të thotë një bagazh i mbushur me norma, doke, tradita e një kulturë të papërsëritëshme dhe unike. Shtyllë e një familje të shëndoshe. Kulturë pune, dhe këmbëngulje deri në skaj. Njerëz bujar, punëtorë karakteristikë kjo e cdo Dibrani anë e kënd saj që me sakrificë përpiqen të mbajnë gjallë atë cka të parët amanet ua lanë. Të vish prej Dibre do të thotë shumë. Jemi të varfër por të ndershëm. Jemi mësuar të na vrasë morali, ndrërgjegjia po ashtu . Ndoshta larg trendeve të fundit, jo aq të “modernizuar” dhe të shfrenuar por cdo gjë e kanë me nder. Madje zotërojnë më shumë se një pjesë e madhe e shqipëtareve. Ky fakt të bën të ndihesh krenar për ta, më bën të shkruaj, flas fort që ne nuk jemi ashtu sic ju na thoni, jemi ashtu sic ju do donit të jeni. Ne zotërojmë familje të shëndoshë, me rregulla, norma të cilat tashmë rrallë kush i ka. Kemi ditur gjithmonë të flasim, të veprojmë, drejtojmë dhe të jemi të sukssesshëm aty ku kemi vepruar. Kemi ditur të punojmë me nder dhe të zaptojmë botën, të jemi kampion bote, talent ndërkombëtarë por pa harruar kurrë kush jemi dhe nga vijmë. Pa harruar kurrë që në venat e tyre rrjedh gjaku i Skenderbeut dhe i paraardhësve tanë që shqipëria krenohet me to. Të vish nga Dibra do të thotë të ndjesh detyrim moral të mos humbësh traditën e të bërit Dibrën krenare për ty. Të vish nga Dibra do të thotë të ndihesh me fat që vjen nga një zonë që historikisht do merret shembull. Të vish nga Dibra duhet ndihesh me fat, që ke fatin e madh të marrësh emrin “Dibran”.