Të shtatë Teqet e Dibrës

0 0
Read Time:12 Minute, 57 Second

Të shtatë Teqet e Dibrës

Të gjithë dibranët e kanë dëgjuar në një mënyrë a në një tjetër betimin, urimin apo mallkimin duke iu referuar “shtatë teqeve”, çka vetvetiu flet shumë për autoritetin dhe rëndësinë e madhe që kanë patur ndër shekuj “shtatë teqet” e Dibrës. Por se si janë themeluar, kur dhe çfarë ndikimi kanë patur në jetën e përditshme të dibranit, kjo është çështje e ndërlikuar, që nuk mund të kalohet me dy-te përmendje të thata. Prandaj ne këtu do të bëjmë një shmangie nga natyra shkencore e kësaj skice parqitëse dhe i lëmë vendin një digresioni lirik, duke përcjellë një fragment nga libri “S’ka qetësi në Lisivalle” të shkrimtarit  të ndjerë dibran, Xhelal Ndreu:

Me ardhjen e turqve në Dibër, dalngadalë dibranët u kthyen në muslimanë. Kishat u zhdukën nji nga nji, vetëm u mbetën trojet e muret e rrënueme sa për emën. Në vend të kumbonave ndigjohej nëpër minaret e xhamijave, zjarri i muhamedies. Emnat i ndrruen, vetëm mbiemnat mbetën ose i mbajtën siç i patën. Për t’i shqiptarizue edhe këtyne u vunë nga nji prapashtesë. Mbiemri Gjergji u kthye në Përgjegji, Kola në përkola, Leka në Përleka, Luca më Përluca, Përnezha etj. Shejtat u kujtuen me vumjen e një sh-je para emnit: Shpali, Shmitri, Shmrija, Shënxherxhi, Shmhilli, etj. Vetëm në Lurën e vjetër sot e saj dite emnat i ngjiten sipas dëshirës. Kështu në një familje ka nji vlla musliman, tjetri kristian. I respektojnë edhe priftin edhe shehin. I festojnë dhe bajramat edhe këshnellat, i kujtojnë pa dallim festat e Sh-Gjergjit edhe të Sh-Mitrit, Shënkollit, etj. Ditën e Shëngjergjit fëmijët ndezin gjethe të vume mullar nëpër kodra, i ndezin pa dalë drita e në çdo katund shihet flaka e tyne; janë drita të mëdha rreth së cilave vajzat e djemtë këndojnë e hedhin valle. Shëngjergjit e Shmitrit si data të caktueme të një kalendari idilik, pajtohen ismeqarët me afate 6 muej-se tamam 6 muej kanë ndërmjet. Për Sh’mri caktojnë ditat e dasmave, për Sh-kristof u lëshojnë cjapin dhive, po kanë edhe festa vendi, si dita e verës, Novruzi etj. Krishtlindjet festohen me emnin Këshnelle sa me kujtue me përmallim të kaluemen e largët.   

Në Dibër ka edhe ma, por në za e që përmenden si të 7 teqet e Dibrës janë teqja e Haxhi-Osmanit në Peshkopi, teqja e Brezhdanit, teqja e Tuminit, dy teqet e Vleshës, e Epra dhe e Poshtme, këto njihen si teqja e Vleshës. Dibranët betohen kur duen të përforcojnë nji tregim, për 7 teqet. Por ka edhe teqe të tjera të dorës së dytë për kah nami, si ajo e Vranjit, e Sharakanit, e Reçit, e Palamanit ose e Mura-Dedes. Zakonisht në teqe ka do vorre shehlerësh, të cilët janë ndreqë si kolibe me drrasa të mbulume si avlia të sjellme nga vizitorët, që vijnë për shërim sëmundjesh, burra, gra e fëmijë. Disa sjellin një ibrik me ujë të rrijë e të bujë te mekami, e këtë ujë e marrin e ja çojnë të sëmunit që ta pijë për fajde e shërim. Te vorri i mirë i teqes përnatë ndezin qirinj, në nji shandan përbri, si atë dhomë të zymtë, nëpër dritaren e së cilës vezullon kjo dritë qiriu apo kandili, e cila regton tue lëshue hije në mure, hije të frikshme derisa të shuhet vetë e ta mbulojë vendin errësina e poltë e natës. Shehavajca apo e bija, e ndez qiriun përnatë. Në këtë punë fiton sevape, nuset e shehit, të ngjyeme me të bardhë e me të kuq, të veshuna e të pispillosuna, u ngjajnë murgeshave të nji kuvendi të vogël, të cilat i gëzojnë të dy jetët, të jetës tokësore dhe t’asaj përtej vorrit. Shehu, i veshun me nji herkë të madhe zezë, nji qylaf të bardhë të gjatë me nji çallmë të zezë, nji mjekërr të zezë, mentani i zi e poture të zeza, çorape e këpucë të zeza, i shëmbëllen nji prifti me veladon e rrasë. Ç’djal len e rritet në derë të shehit vetiut merr mbiemnin sheh, qoftë ky edhe nji budall. Zen kudo kryet e vendit dhe i qesin kryet e berrit në sofër. Vetëm shehu, që përfaqëson teqen, vishet si sheh, ndërsa meshkujt e tjerë të asaj dere apo fisi rrinë e vishen si njerëzit e rëndomtë, pa mjekër, pa herkë e çallmë, si dërvishët. Shehu i parë, në pastë mësue te ndonji hoxhë a te ndonjë sheh i ditun, fal të xhumatë e taravitë, shtin të vdekunit në dhé, u qep qefinat, u këndon telkinat, rite të cilat i kryen shehu, e jo hoxha, për këto merr dhe shenikun e drithit nga çdo derë. Merr dhe iskatet te vorri, zeqatet e të pasunve që japin fitrat e ramazanit natën e bajramit, punon me njerëzit e shtëpisë e jo vetë, tokat e veta, argatët i vijnë për çdo të korruna ose prashija, me nji fjalë e siguron ekonominë e teqes së vet. Shehin nuk e zemërojnë se të nem, të potop, teqja e ban ispat, e ban ixhra, e ban beli. “Paçim mirë prej saj!” – thonë kur e zanë në gojë, për të mirë. Për të keq, nuk e përmendin.

Nji sheh i mençëm din me përfitue prej besimit qi kanë njerëzit e thjeshtë e naivë për të. Shtiret ose asht vërtet njeri i thjeshtë. I paanshëm, i ndershëm në sajë të besimit ndërhyn për ndalesën e vrasjeve, i pajton gjakësit, i del zani për të mirë dhe e shtron rrubën e vet e të mekamit. Kur të mbetet për të ba be – njena anë e paditun për faj ose krim që e mohon se e ka ba, njofton 12 vetë apo 24, shkon te vendi ku duhet të bajnë be e t’lahen të damtuemit qoftë për vjedhje, shpifje, vrasje oase damtim. Ky vend asht nji mekam teqjeje. Në Dibër teqja e Limnjanit njihet për kësi punësh. Pasi marrin avdes, betohen që i akuzuemi asht i pafajshëm – se hile e mile nuk i ka. Vetë riti i k’tij procesi ashtë i zymtë. Së pari, betohet i zoti i punës, pastaj ndjekësit e tij. Shtinë dhe nji batare pushkësh të ushtojnë anë e mbanë se betimi u ba, qoftë në të drejtë, qpftë në rreme. Shkojnë te shtëpia e larësit dhe hanë nji bukë të fortë, të përgatitun për ta. Kjo bukë ashtë si nji buk morte. Edhe shehu që e ndigjoi benë shkon e ulet në këtë sofër dhe u ban nji dua, mbasi e lëmon fytyn e mjekrrën me yndyrë mishi e me hallvë.

Teqja e Vleshës përmendet se ka ba fet bylbilin – gjoja, tu këndue shehi suret e kuranit, njikohësisht në nji drizanë ka këndue edhe nji bylbil. Shehi ashtë mërzitë nga ky zog dhe i ka thirrë: “Ti bilbil, unë bilbil, njeni prej nesh duhet më këndue këtu!” Mbas kësaj dite në katundin Vleshë nuk ashtë ndie ma za bilbili. Ky ka qenë sheh Brahimi i teqes së Poshtme. Shpesh herë ndigjohet nji betim: “Më vraftë aj vend , që ka ba fet bilbilin!”. Sheh Brahimi me atë herkën e zezë e me nji shkop në dorë sa herë ka ngarendë prej Vleshe nëpër fushën e Vleshës me u hy ndërmjet kur vriteshin Ndreu me Dacin. U ndalte pushkën të dy anëve dhe secila palë mblidhej në trojet e veta. Shehin e kishin hatër. Ndërsa shehu i teqes së sipërme të Vleshës ishte edhe sheh edhe dinak, kishte rreth e miqësi me teqen e Borovjanit, të Brezhdanit, të Peshkopisë e të Haxhi-Osmanit, ishte sheh i Malësive të Dibrës, i maleve të Poshtme, çonte nganjë dervish me i la e shti në dhe, me u falë taravitë e ramazanit, u merrte nga nji shenik misër, nji penj duhan për shtëpi, kush kish tufë bagëtish – nga një dele ose dash, kishte valle të madhe, toka shumë, miqësi me Dacin e Kalisit dhe Çeren e Trojakut, edhe si sheh i teqes edhe si i pari. Tue iu rritun mendja, pa vu vetë pushkë në krah, hynte në ngatërresa vendi, bile edhe punë të pahijshme. Sheh Emërllahi i teqes së Epërme të Vleshës, kishte ngejt nja 30 veta të armatosun, nga Dacallarët e Kalisit e nga Bazallarët e Vleshës e nga Trojaku dhe i kishte çue të marrin me forcë vajzën e Haxhi Hasanit në Radomirë. Kishin brofë në derë natën dhe e kishin rrëmbye vajzën. Haxhi Hasani ishte i pasun, kishte 12 mijë dhen e mall. Radomira ishte katund i madh, të pesë lagjet e saj numërojshin 300 shtëpi. Ishin njerëz paqësorë e kurbetlinj. Banorët e Radomirës, të thuash pasanikë në masë. E gjithë Radomira mund të kishte rreth 300 mijë e kusur dhen. Këto i kulltnin verës në bjeshkët e Korabit, të Preshit, të Radomirit e të Xharanicës, Shtiravajcës deri në Malet e Kabashit e të Kallabatit. Dimrit i shtegtojshin në fushat e Manastirit e të Selanikut. Si pasunarë që ishin, merrnin sejmenë t’i ruejnë mos t’i grabitje e vjedhe kush nga pretarët malësorë të Dibrës. Kushtu të pesë lagjet kishin nga nji sejmen të çmuem prej Suf Ndreut në Lisivalle. Ky u merrte sejmenllëkun si këtyne ashtu dhe qehllarëve të matanë Korabit, deri në bjeshkët e Tetovës, Gostivarit e të Rekës. Nga frika e Ndreut s’guxonte kush për kollaj të vente dorë aty, ku ky kishte hy sejmen. Kështu të pesë sejmenët e tij në Radomirë shtinë e i muerrën mbrapa njerëzit e shehit të Vleshës, që grabitën e muerrën me zor vajzën e Haxhi Hasanit, deri nga lagjia e poshtme – Çernjevë, ku i detyruen ta lanë vajzën, mbasi kishin plagosë vetë grabitësin në kofshë, dhe ua mbathën e ikën. Sejmenët e muerrën vajzën e plagosun dhe ia çuen të atit. Hajde e mos i paguej sejmenët e Isuf Ndreut! Ndreu s’e la me kaq, i duel një ditë në pritë sheh Emërllahit tue kalue nëpër Çore e në Breg të Mollës dhe e vrau. I zaptoi edhe tokat e vrritë që kishte shehi, nga Kepi i gjatë i Vleshës, tokat e Sllovës dhe Lajthinë e madhe, e teqja as sun e potopi, as e bani beli, as e vrau, as e bani ixhra, e teqja në vend që të vritte Ndreun vrau shehun e vet. E vrau ai vend për të paudhën që bani. Ngjarja muer dhenë, të pestë sejmenët e banë detyrën si duhet. Jua mbajtën vajzën e rrëmbyeme sikur qentë, kur ja mbajnë ujqve berrin e grabitun.

Teqet e Dibrës nga tarikati janë Kadri e Halveti, nga të dymbëdhjetë tarikatet. Këta mbajnë ramazan e falin të pesë vaktet. Nuk janë në kundërshtim me synitë e me Sherihatin. Janë më afër me hoxhallarët e me besimtarët që s’kanë marrë dorë me hy në tarik e që janë muslimanë. Shehlerët që shkojnë e vizitojnë Qabenë bahen Haxhi. Edhe kushdo tjetër që dëshiron të shkojë në Qabe, po të jetë pasanik e të shkojë me pare hallall, merr titullin Haxhi. Kështu, janë të rrallë ata që shkojnë atje, ose nuk janë në gjendje ekonomike, ose paret e fitueme janë harram. Vetvetiu, Haxhiu konsiderohet njeri i drejtë, që s’ban gjynahe e lemeri. Teqja e poshtme e Vleshës asht halveti, shehi hyn në halvet, nji vend i veçuem, rrin në vetmi, tue ba ziqer e tenhid, dhe i ramë në meditacion e kontemniplacion, duhet të rrijë 40 ditë e net vetëm me nji pikë ujë e me ndonji petull të vogël në mëngjez. Zverdhet e bahet dyll në fytyrë, dobësohet në trup, s’ka asnji kontakt me njerëzit qoftë këta edhe të shtëpisë, as me shehavicën. Ndoshta asht nji imitim i Budës, në shkreti, apo e ndonji heremiti apo asketi në ndonji shpellë, i futur në fenë e tyre nga fetë e vjetra t’orientit. Kur del nga halveti gjallë, i vijnë për urime dhe ai mund të tregojë ndonji vizion a imazh që mund të ketë pa. Dikush s’mund t’i bajë ballë urisë e del para kohe. Kështu kishte dalë edhe nji sheh nga havleti mbas nja dhjetë ditësh, kishte gjet në shtëpi nji kusi me kunguj të premë në copa të mëdha të zieme, këndej fol e këndej ha, kishte ngranë 12 copa kungulli, memzi kishte shpëtue se i ishte fry barku si kacek. Teqja e Haxhi Osmanit në Peshkopi ashtë Kadri. Sheh Osmani u ba Haxhi e kështu betohen vendësit për Haxhi Osman. Ng fisi i tij megjithëse kishin mbiemrin sheh në përgjithësi, kanë dalë disa trima, që me pushkë kanë vra e qit fare do nipën të Hysenagollit, të cilët banë do punë të liga ndaj oxhakut në Dohoshisht, u duelën karshi Kaloshit të Kandrrit dhe tri herë ja prunë punën pisk, sidomos nji Rekë Shehi e nji Rahif Sheh Ymeri në fund. Vet Llan Kaloshi, me at fis të dalluem në Dibër për pushkë e trimni, pale ma për mend e bujari, kishte pasë thanë se kam has me Rek Shehin e Peshkopisë si parmenda me nji rranjë të trashë.

Teqet e tjera të Dibrës kanë qenë si roje, amin i thojshin oxhakut, amin Turqisë, amin kur bajshin duanë e bukës në sofër.

Ata përmendshin fjalën e urtë arabe: “Hub-bul vatani minel imani” (“Ma para vatani e pataj imani (besimi)”). Nuk asht ndigjue që të ketë dalë nji sheh t’u hekje para popullit të luftojë për Atdhe. Dhe Turqia i përkrahte teqet e yhoxhallarët se predikojshin me ba sabër, bile me ajet e verset Kurani: “Etiull-llahe ve etin rresuli-ve ulil-emër: – :Bundjuni Zotit e Profetit dhe atij që u jep urdhën”. Këtë verset të Kuranit e interpretonin për nënshtrim e durim ndaj vorfnisë e ndaj zaptuesit të huej e kjo i vinte për shtat pushtuesit e shfrytëzuesit. Fukaraja le të bajë durim, mos të reagojë e mos të revoltohet kurrë.

Bulqiza ka pasë teqet e veta, njifarë llojit Bektashianë. Si ma në za kishin nji tyrbe të nji Hazreti Tahirje, grue, shenjtneshë, te mekami i së cilës shkonin të sëmunët për të gjetë shërim.

Quheshin si bektashinj dhe nuk hanin mishin e lepurit, mbajshin 12 ditë matem – pa pi ujë, për të kujtue dëshmorët e Qerbelasë. Teqen e kryesonte nji sheh, e jo “baba” siç e kanë teqet e Jugut, ma të shumtën nji sheh analfabet, mezi din ndonji dua të mësueme përmendësh. Po dorë marrin te nji murshit (murxhidi – shehu i madh që u jep dorë muhibve). Kur bisedon me këtë sheh injorant, të fut në shtresat qiellore, stratosferë, lloj-lloje perdesh nëpër hyjplyme e galaktika, thue se po ndigjon nji leksion astronomie nga nji profesor i degës dhe s’din si të thuash e të mendojsh, ku i gjen ato shfaqje, vizione, mirazhe, mbetesh vetë injorant e shehi nji i laurum në astronomi. Sidoqoftë e ka nji sekret, të cilin nuk ia rrëfen kujt, sado të afërm e të dashtun që ta ketë. Këtë sekret e kanë edhe tarikatet e tjera, po kush vete e bahet myhib e të bajë siç thotë shehi, e zbulon. Myhibanët, sado myslimanë, njohin Aliun e jo Muhamedin, themeluesin e fesë myslimane. Nuk mbajnë ramazan as falin të pesë vaktet, lanë mustaqe të gjata dhe e njohin njani-tjetrin në të pame e takim të parë, se i panjohuri asht bektashi. Ku e njohin ata e ku e dinë? Ndoshta në të tokme të duerve, disa kundërshtarë të tyre thonë se dallohet nga balli, se u mungon imani.

Agron TUFA

Pjesë nga libri i autorit, “Dibra në sytë e të huajve”

https://www.facebook.com/notes/peshkopi-diber-albania/organizimi-shoq%C3%ABror-dhe-etnopsikologjik-i-dibr%C3%ABs-agron-tufa-100-vjet-pavar%C3%ABsi-p%C3%AB/391925604219782/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %