“Heroinat e Dibrës”
“Filli i gjithçkaje nis nga një belbëzim, nga një rrahje qepallash që fort trokasin me ngulm për të ndjerë aromën e asaj që të dha jetë nga jeta e saj . “
E ku ka perlë më të shndritshme se emri i një gruaje, që fort mbi supe mbart tituj detyrues për veten, familjen, shoqërinë dhe për disfatat që kalon në jetë?! Duke marrë shkas faktin që të jesh një grua, një zonjë shtëpie, një bashkëshorte, nënë duhet shumë punë, e hera-herës natën në ditë me e kthye me forcën e femrës, u ndërmorr projekti për gratë dibrane “Heroinat e Dibrës”.
Në të vërtetë, heronj të vetvetes jemi të gjithë.
Por, vallë a mundet të jemi heronj njëherazi të të gjithëve ,duke e lënë veten në hije e të ndriçojmë botën e tjetrit?!
Çdokush do ishte në dilemë…
Vetëm gratë dibrane pa u dridhur qerpiku, nëpër vena e në deje u kalon gjaku i trimneshave, që armë të tyre kanë punën e palodhur, e veshje të luftës kanë guximin dhe shpresën se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë se e djeshmja.
Ju ftojmë, që të ndiqni historitë e pathëna nga gra të zellshme e plot dinjitet, ku do të mësoni se jeta ka vlera edhe në çastin kur mendoni se dielli nuk do lind sërish! Nëpër rreshtat e shkruara për “Heroinat e Dibrës” do të mësoni shumë për histori bijash dibrane, që shpejt kanë veshur petkun e nusërisë për t’iu nënshtruar ligjeve të natyrës.
Andaj, merrni shkas të lexoni historitë e grave që kanë jetuar në dy kohë të ndryshme, mësoni përballjet,vështirësitë , disfatat e tyre dhe kur janë rrëzuar kurrë nuk kanë mbetur aty, duke u zvarritur,këmba-doraz janë ngritur sërish dhe kanë ndërtuar themele të forta mbi bazën e rrënjëve të punës me nder e dinjitet.
Po ç’është ky projekt?
-“Heroinat Dibrane” synon të tregojë vlerat e shumta që zonjat dibrane tregojnë çdo ditë! Një cilël reportazhesh mbi “heroinat e Dibrës” që tregojnë sakrificat, sukseset, dhe triumfet që zonjat dhe zonjushat dibrane kanë hasur në jetën e tyre. Ky cikël reportazhesh do të ketë personazhë të thjeshtë që njihen por me shpirtin e tyre jane heronj.