Skavica mbyt një qytetërim të lashtë

0 0
Read Time:8 Minute, 56 Second


Fragment shkëputur nga libri “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”

Nga: Abdurahim Ashiku


Në një nga faqet e Balkan Web më 17/4/2008, ora 08.54 më ra në sy një titull i bujshëm “Harrohet prej 3 vitesh Hidrocentrali i Skavicës“.
Më tërhoqi vëmendjen ndaj si të gjitha shkrimet që Verilindjen ma shohin nga “sisët” dhe jo nga “goja“, e lexova dhe e rilexova me vëmendje.
Zoti Genc Kondi është i shqetësuar se një investim prej 600 milionë eurosh ka mbetur pezull “ndonëse bëhet me financim tërësisht të huaj dhe ka të bëjë me sektorin problematik të energjetikës”. Ai është tepër i shqetësuar se “Qeveria shqiptare ka lënë në harresë zhvillimin e tenderit për dhënien me koncesion të HEC-it të Skavicës.”
Pas kësaj zoti Kondi nuk mungon të bëjë avokatin e Konsorciumit italian TGK duke theksuar se “duhej të përbënte investimin më të madh të realizuar ndonjëherë nga kapitali i huaj privat deri tani, me fondet e veta…”
Më tej kalon nga roli i avokatit në atë të inxhinierit projektues hidroelektrik dhe të zëdhënësit të firmave të mëdha private italiane të cilat janë të shqetësuara për vonesën pa asnjë justifikim të tenderit “ndonëse “Geoteknika“ kishte paraqitur një studim të plotë për hidrocentralin e Skavicës si dhe projekt idenë përkatëse që ekonomizon terrenin”. Nuk harron zoti Kondi të sqarojë edhe “meraket“ e qeverisë Berisha, “me një zgjidhje origjinale edhe pse me një liqen më të vogël, pa u shtrirë në tokën maqedonase, jep të njëjtin rendiment si me liqen më të madh, ruan ambientin dhe konsideron veçoritë gjeologjike të tokës e zonës në përbërjen e materialeve të digës“.
Nuk e di se çfarë profesioni qytetar keni zoti Kondi përndryshe do t’ju flisja më drejtpërdrejt. Nuk e di edhe nga jeni zoti Kondi dhe çfarë interesash ju çojnë që përsëri t’i ngjitni digat e hidrocentraleve të mëdhenj në Veri e Verilindje duke u rrëmbyer në mënyrën më të turpshme banorëve të atyshëm jo vetëm tokën por edhe historinë e kulturën.
Në medien e sotme i nderuar z. Kondi po bëhet një polemikë tepër e ashpër, shoqëruar me greva dhe burgosje për ngritjen e petroliferës së Vlorës. Për mendimin tim, siç e kam shprehur edhe në shkrimin “Gjiri i Vlorës dhe Lugina e Drinit të Zi“ botuar në gazetën “Rruga e Arbrit“, vlonjatët kanë të drejtë sepse prania e naftës dhe produkteve të saj, me gjithë masat moderne të kohës, përbën një rrezik për turizmin dhe jetën në bregdetin vlonjat. Por krahasuar me luginën e Drinit të Zi dhe me pasojat që le pas përmbytja nga liqeni i Skavicës ajo nuk është asgjë.
Ju i nderuar z. Kondi jeni i gëzuar sepse varianti i ri me “një liqen më të vogël“ nuk shtrihet në zonat e Maqedonisë. Nuk e di se sa e keni të qartë gjeografinë e zonës dhe sa tokë përfitojnë dibranët e anës tjetër të kufirit nga “liqeni i vogël“. Po ta them unë: nuk e kapin qindin përfshirë edhe cekat dhe shelgjishtet e deltës së Zallit kur bashkohet me Drinin në fushë të Gjoricës.
Por çuditërisht, ndërsa merakosesh për “tokën maqedonase“ nuk merakosesh fare, madje e shpërfill në mënyrë të turpshme “tokën shqiptare“.
E dini ju i nderuar z. Kondi se sa tokë, nga toka më pjellore e Dibrës përmbytet ?
E dini ju i nderuar Genci se 18 betejat (nga 25 gjithsej) të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut përfundojnë në fund të “liqenit të vogël“?
E dini ju se Kastrioti ku është vërtetuar tashmë historikisht se lindi dhe u rrit Gjergji i Gjon Kastriotit përfundon nën ujë?
E dini ju se beteja e parë historike e shqiptarëve të bashkuar kundër perandorisë otomane, Torviolli mbytet?
E dini ju se para se të ndërtohet një shtëpi e vetme në botën e qytetëruar në vendin ku hapen themelet zbresin të parët arkeologët të cilët mbajnë përgjegjësi për ato dhjetëra metra katrorë ndërtim?
Dibra, i nderuar z. Kondi, me ndonjë përjashtim të rrallë si Kalaja e Grazhdanit nuk e ka parë kazmën dhe furçën e arkeologut për shkaqe të asaj që përmenda në fillim se qeveritë e djeshme dhe të sotme e kanë parë siç shihet lopa nga gjinjtë dhe jo nga goja?
E dini sa krom ka dalë nga nëntoka e Dibrës i nderuar z. Kondi dhe ku kanë shkuar të ardhurat në flori nga eksportimi i tij, kur Dibra është treva më e sakatuar në rrugë kryesore e rurale ?
Në historinë e shekullit të kaluar njihen dy dyndje të mëdha të Dibranëve, dy shpërngulje do të thosha apoliptike të dhunshme nga trojet e tyre.
E para ishte ajo e vitit 1913 kur fuqitë e mëdha e prenë Shqipërinë si berr mes për mes kurrizit dhe ata u vendosën (qytetarët e Dibrës së Madhe) në Tiranë ku edhe sot ka një lagje nga më të mëdhatë që quhet “Mëhalla e dibranëve“
E dyta ishte ajo e viteve nëntëdhjetë kur dibranët si e gjithë Verilindja dhe Veriu, si pasojë shuarjes së të gjitha punëve dhe e mohimit (edhe sot e kësaj dite) të pyllit si pronë e tyre shekullore që i ka mbajtur me bukë dhe me strehë përballë asimilimeve historike, ikën natën i nderuar z. Kondi, ikën pa e kthyer kokën me nga një gjysmë IFA ngarkuar me anje dërrasash me të cilat ngritën barakat në rrethinat e Tiranës dhe të Durrësit…
Megjithatë Dibra ende mbijeton i dashur Kondi. Këtë mbijetesë të saj ju dhe të gjithë ata që mbron doni ta shuani.
Doni të mbytni varret e të parëve, varret e luftëtarëve që ranë në beteja heroike me serbin për ta pasur Luginën e Drinit të Zi shqiptare.
Doni të shuani historinë, kulturën, traditat gjithçka me vlerë të madhe kombëtare që ka krijuar kjo krahinë në “qendrën gjeografike të shqiptarëve“.
E dini se ku është “qendra gjeografike shqiptare“, “Verduni shqiptar“ zoti Kondi. Në qoftë se nuk e dini gjeni një hartë shqiptarësh dhe bëni matjet. Matjet do të çojnë në Dibër…
Nuk e di i nderuar z. Kondi në se e keni lexuar referatin “Shpërngulja e arnautëve“ të shovinistit të tërbuar serb Vaso Çubriloviq, platformën e tij për t’i shkulur shqiptarët nga trojet e tyre shekullore. Lexoje zotëri, sidomos atë pjesën ku programohet dëbimi i 40 mijë familjeve shqiptare (dyqind mijë vetë), pjesë e cila më ngjan me shpërnguljen dibranëve sot nga trojet e tyre në Luginën e Drinit të Zi.
Dua të ju pyes zoti Kondi si do ta administronte shteti shqiptar shpërnguljen e 40 apo 60 mijë dibranëve që llogaritet tu përmbytet gjithçka?
Sa do tu paguhet atyre në odisenë e ikjes nga vendlindja?
Sa do të vlerësohet toka e tyre, shtëpitë dhe katanditë?
Po të vlerësohej me çmimin e tregut të tokës që në Dibër është 80 – 100 lekë për metër katror, paratë që ata do të merrnin nuk do të mjaftonin me mbush një kamion me anie e dërrasa e jo për të blerë tokë e ngritur shtëpi.
Të përmbyturit nga liqeni i Fierzës ka kohë që bërtasin dhe kush nuk i dëgjon.
Gërdeci ku ndodhi një krim i shëmtuar me përgjegjës shtetin është treguesi më i qartë se pushteti dhe shteti në Shqipëri janë në koma.
Dua të ju pyes z. Kondi në se në këmbim të mos ndërtimit të petroliferës së Vlorës do të sakrifikohej Dibra a do të pranonin vlonjatët që në atë hapësirë bregdetare të ngriheshin vila për dibranët e shpërngulur?
Mund të vazhdoj gjatë i nderuar z. Kondi me pyetje e argumente.
Në qoftë se jeni gazetar atëherë shkoni një javë në Dibër ose më e pakta merrni kontakt me historianin dhe kryetarin e nderit të shoqatës “Për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi“ zotin Ali Hoxha dhe drejtues të tjerë. Ata do të ju japin argumente të gjëra që do tua ndryshojnë mendimin.
Në qoftë se jeni inxhinier hidroelektrik, atëherë do të ju rekomandoja të merrnit kontakt me ata specialistë që para njëzet vjetësh argumentuan se vetëm me ngritjen e hidrocentraleve të vegjël mbi kanalet ujitëse prodhimi vjetor i energjisë elektrike shkonte nga 16 milionë kilovat/orë në 220 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit, aq sa e tërë Dibra të ngrohej e gatuante me energji elektrike.
Do të ju rekomandoja edhe një gjë tjetër. Merrni ata që studiuan Skavicën dhe i çoni në tërë degëzimet e Drinit të Zi: në Mallë, Veleshicë, Setë, Gramë, Murrë, Okshtun etj. Ngrini me ta “diga“ me mjete ndërtuese vendore, llogarisni sasinë e ujit dhe prodhimin e energjisë elektrike…Jam i sigurt se sasia e ujit dhe prodhimi i energjisë elektrike në hapësirën në fjalë do të ishte më e madhe nga sa argumentoni ju me ndërtimin e Skavicës…
Po ju them edhe një gjë i nderuar z. Kondi. Po të ngrihet një digë hidrocentrali mbi degën e Setës, poshtë Çidhnës, do të formohej një liqen që do të shkonte deri në Gurë Lurë. Do të lundrohej nëpër të me gondola për të vazhduar më tej me teleferik drejt Liqenit të Luleve dhe Fushës së Pelave…
Skavica vdes përgjithmonë turizmin dibran, atë që lidhet me malet dhe me luginën e bukur të saj …
Edhe një gjë të “fundit“ i nderuar Genc. Ju jeni tepër i shqetësuar, madje i revoltuar se pse Qeveria e ka postuar vëmendjen nga Skavica duke e përcjellë mbi Devoll. Nuk e di se nga i keni rrënjët e të parëve tuaj por me argumente të “modelit tuaj“ desha të ju pyes. Sikur pellgu i lartë i lumit Devoll, prurjet mesatare të të cilit janë shumë pranë me ato të Drinit të Zi dhe lartësia mbi nivelin e detit dyfish me atë të Luginës së Drinit të Zi, të mendohej si një rezervuar i madh dhe hidrocentral (me të njëjtin funksion si të Skavicës), të përmbytej e tërë zona nga Maliqi deri në Bilisht me të tëra vlerat e veta parahistorike (Kultura e Maliqit) dhe historike dhe kjo do të bëhej “falas“ nga ndonjë kompani italiane, greke, turke, amerikane etj., etj. si do të reagonit? Do të bënit thirrje që të mos ndërtohet rezervuari dhe hidrocentralet që do të vinin njeri pas tjetrit në atë rënie prej rreth 800 metro mbi nivelin e detit? Unë nuk do ta pranoja një gjë të tillë edhe pse mua nuk më prek asnjë lloj interesi ashtu siç nuk më prek edhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.
Ju thashë disa, pa folur për të tjerat, të cilat po ua lë ju t’i thoni.
Mos kërkoni ta mbysni Dibrën z. Genc Kondi për hir se një firmë, e cila për interesat e veta, me mbështetjen e qeverive të korruptuara (majtas e djathtas pa dallim), donë të ngulë thonjtë në tokën e një prej trevave më në zë në historinë e popullit shqiptar, duke e zhbë atë.
Mos u bëni bashkëpunëtorë dhe kobure të shkatërrimit…
Athinë, 20 prill 2008N

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %