SKAVICA ËSHTË FJALË E DIBRANËVE JO E POLITIKANËVE

0 0
Read Time:3 Minute, 55 Second

Nga: Abdurrahim Ashiku

Meditim para ekranit të vogël

Sikur dibranët të thonë me zë të përbashkët: “JO SKAVICËS” interesat e spahinjve të politikës shqiptare për mbytjen e Dibrës do të dështonin…
Skavica është vënë në gojën e politikanëve si dhëmb i tridhjetë e shtatë. Lakohet në të gjitha rasat, gjinitë, në njëjës dhe shumës, deri në marramendje.

“Sikur aksiomat gjeometrike të preknin interesat e njerëzve ata do ti përgënjeshtronin”.
Nuk e di pse më erdhi kjo shprehje fiksuar që në rininë time nga një mendim filozofik, tek shikoja një sekuencë filmike televizive të Spahiut të një partie politike në pozicionin e gjelit në majë të grumbullit të plehut.
Spahiu në krye të një tabori me një uniformë të çuditshme, diku si turke (nga xhaketat e mbërthyera deri në fyt) e diku si balliste (nga shqiponja mbi qeleshe) flet për Skavicën.
Në Skavicë jam i sigurt se nuk ka qenë kurrë, madje as nuk e din se ku gjendet në hartë.
Jam i sigurt se asnjëherë nuk është ulur në “Odën Dibrane” për të dëgjuar ndonjë “leksion” nga “lektorë” të Universitetit të Dibrës
Dyshoj në se ka qenë ndonjëherë edhe në Dibër, në të Madhen andej kufirit shqiptaro-shqiptar apo në të Voglën (që Konferenca e Londrës e la pa kokë, pa kryeqendër të saj, Dibrën e Madhe apo Shehrin e Dibrës siç përdoret në të folmen vendase).
Skavica është vënë në gojën e politikanëve si dhëmb i tridhjetë e shtatë. Lakohet në të gjitha rasat, gjinitë, në njëjës dhe shumës, deri në marramendje.
Të gjithë, në përfytyrimin tim, më ngjajnë se për tribunë kanë gjetur “majën e thanës” dhe flasin e flasin sa Zeqies së famshëm, “pronari thanës”, i është marrë “maja” bashkë me “zërin”.
Spahiu, me taborin e tij, me dhe pa uniformë, nuk është i vetmi që flet, madje fjalët e tij nuk ndryshojnë as në formë dhe as në përmbajtje nga fjalët e politikanëve të tjerë, liderë partish të mëdha e të vogla, nga zëdhënëse perri të bukura e lajkatare në zë e në pamje. Të gjithë flasin për korrupsion, për allishverishe me kinezë, turq, italianë, gjermanë…pardje, dje, sot, nesër.
Të gjithë si ta kenë marrë leksionin nga e njëjta kokë, flasin për “para xhepi”, për qindra mijëra e për miliona euro të marra nga firma që nuk paskan ndërtuar kurrë ndonjë digë lere uji në kullotat verore të bagëtive në male (!)
Asnjë (deri sot ASNJË) nuk flet për Dibrën dhe Dibranët trojet e të cilëve, varret, historia, lavdia e hershme dhe e re, do të përfundojnë në lymin e turbullt të liqenit të Skavicës. ASKUSH !!!
Dibra, nga Mireshi në Draj Reç ka luginën më të bukur dhe më pjellore të Drinit të Zi dhe të lumenjve të tjerë të Shqipërisë. Lugina e Drinit të Zi me fushat e bukura e pjellore të Gjoricës, Brezhdan-Katundit të Ri, Muhurrit, Kastriotit, Fushë-Çidhnës, Dardhës… në shekuj ka mbajt me bukë Malet e Dibrës, ka dhënë “tëlyen e dhjamë” për shpatat dhe pushkët në një seri betejash ku 18 nga 24 beteja fitimtare, Gjergji i Gjon Dibranit-Skënderbeu, i ka fituar në Dibër e bashkë me Dibranët. Për të mos folur më vonë për betejën kundër Hajredin Pashës në Fushë të Gjoricës, për “zënien haps” të Hysni Pashës në “Gjurë të Shpu” e për fitoret dhe rezistencën VETËM kundër pushtuesit serb në vitet 1913-1922 duke mos e lënë Drinin, luginën dhe malet e Dibrës pjesë të Serbisë e duke ua prerë rrugën serbo sllavëve drejt daljes në det, Durrësit, synimi i tyre strategjik.
Për Dibrën, për 65 kilometrat katrore të saj që Skavica përmbyt, për dyzetmijë dibranë që nga mbytja e gjithëçkaje të tyre do të jenë të detyruar të shpërngulen, askush nuk flet.
Askush (deri SOT) nuk ka thënë një fjalë të vetme se ku do të vendosen këto mijëra familje që shpërngulen.
Mua, nga kjo heshtje, më ngjan se politikanët tanë në pushtet apo në opozitë, mendojnë se dibranët do ta gjejnë veten siç e gjetën në vitin 1913 kur u shpërngulen nga shpatat, thikat dhe pushkët e serbit…
Spahinjtë e taborëve të politikës shqiptare; të majtë, të djathtë, të qendrës, të tokës, të qiellin… janë vënë në garë kush ta vringëllijë më shumë shpatën kundër të drejtës të popullit të një treve të lashtë në qendrën gjeografike të shqiptarëve, për të jetuar në tokën e të parëve, duke menduar vetëm për xhepin e fryrë të korrupsionit, kampionë botërorë në vrapimin njëqind metërsh me “xhep plot”.
Dibra mendohet, bluan fjalën…
Sikur aksiomat gjeometrike të preknin interesat e njerëzve ata do ti përgënjeshtronin…
Sikur dibranët të thonë me zë të përbashkët: “JO SKAVICËS” interesat e spahinjve të politikës shqiptare për mbytjen e Dibrës do të dështonin…

Abdurahim Ashiku
Athinë, shkurt 2016

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %