Një përvjetor ndryshe për Skënderbeun
Shoqatat “Çidhna dhe Kastriotët” dhe “Unioni i Krijuesve Dibranë”, si dhe biznesmenë dibranë kishin menduar për të organizuar një veprimtari në kuadrin e vitit Mbarë Kombëtar të Skënderbeut në Sinë dhe në Peshkopi. Masat organizative dhe përpjekjet për të arritur në ditën finale, mes vështirësive dhe pengesave, u finalizuan. Në Sinë, në Muzeun e Kastriotëve u organizua një veprimtari domethënëse për pritjen e Skënderbeut, ku nxënës dhe patriotë dibranë të veshur me uniformën tradicionale dibrane, këmbësorë dhe kalorës, iu bënë një pritje madhështore Skënderbeut të imituar dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor, të historianëve dhe të ftuarve.
Pas fjalës së hapjes nga organizatori kryesor Fatos Daci, folën Prof. Paskal Milo, përfaqësues të pushtetit lokal dhe historianë. Vallet dhe lodrat dibrane nuk kishin të mbaruar.
Muzeu, pas një periudhe të gjatë dëmtimesh dhe shkatërrimi, ishte kthyer në origjinalitetin e tij, si dikur më parë. Që në hyrje ishte stema e Kastriotëve, në hollin kryesor ishin bustet e, ndërsa në dy dhomat e tjera të muzeut stenda ku bëhet fjalë për origjinën e Kastriotëve, zotërimet e tyre, luftërat e zhvilluara për mbrojtjen e territorit, si dhe të betejave të Skënderbeut në Dibër dhe në Bulqizë.
Në bibliotekën e qytetit u zhvillua një sesion shkencor ku u mbajtën disa kumtesë për diplomacinë e Skënderbeut, për strategjinë e taktikën e betejave në qarkun e Dibrës, për furnizimin logjistik dhe përgatitjen e popullatës për luftë, toponimet, argumente për datën e lindjes dhe fshatin e lindjes etj. Kumtuesit sollën fakte dhe argumente rreth këtyre problemeve.
Sina, vendlindja e Skënderbeut
Qyteti i Skënderbeut siç thuhej në dokumente shtrihej matanë Drinit të Zi, në Çidhën e Sinë dhe këndej Drinit, në Kastriot e deri në Kep të Bardhë. Mjaft studiues si Aleks Buda, Kristo Frashëri etj., kanë theksuar vite më parë se Skënderbeu ka qenë prej katundit Kastriot (Dibër). Studiues të ndryshëm kanë theksuar se në Kastriot kanë qanë varret e familjes së Skënderbeut. Shtëpia e Gjinëve, fis që ndodhet dhe sot, në këtë katund janë prej fisit të Kastriotëve, ndaj dhe Skënderbeu me gjithë vëllazërinë e vet e kanë zanë në Kastriot. Dokumente theksojnë se Skënderbeu në Çidhnë strehohej e mbrohej, pasi terreni ishte mjaft i përshtatshëm dhe i fortifikuar, si nga ana natyrore, por se këtu gjendeshin kalatë e tij. Sina, për Skënderbeun, ishte selia ku ai bënte kuvendet e luftës, priste dërgatat e kohës dhe jepte kushtrimin për luftë.
Historiani Kristo Frashëri, pasi ka analizuar të gjitha të dhënat është shprehur i bindur se origjina e Kastriotëve është nga treva e Dibrës, konkretisht bashkësia krahinore e Çidhnës, më saktë, fshati Sinë i kësaj zone, në të cilën ndodhet dhe fshati Kastriot, rreth 5 kilometra në të djathtë të lumit Drin. Referuar burimeve arkivore, në muze gjen brezat e Kastriotëve, në një periudhë prej 250 vitesh, nga Pal Kastrioti, zot i fshatit Sinë në çerekun e tretë të shek. XIV, Gjon Kastrioti i gjysmës së parë të shek. XV, i cilësuar si Gjon Dibrani, Dhimitër Kastrioti, banor i fshatit Sinë më 1467, Pal Kastri, banor më 1571 i Çidhnës së Epërme, fqinje e Sinës, deri te Jozef Kastrioti nga Çidhna, i cili përmendët më 1602, këta të cilësuar sipas historianit të njohur Kristo Frashëri.
Në historinë dhe gjurmët e së shkuarës së Kastriotit në Sinë kanë qenë trojet e vjetra të Kastriotëve. Kalaja e Gjonit iu ka rezistuar kohëve dhe me mure ka ardhur deri në vitin 1946, pasi gurët i morën për shtrimin e rrugës që po hapej… Banorët theksojnë se ka qenë dhe Kisha e Kastriotit, por e kanë dëmtuar në kohën e kooperativës, si shumë mure të tjera të vjetra… Historianët dibranë theksojnë se i vetmi objekt i moçëm, prej një kohe që nuk mbahet mend, është kulla në qendër të Kastriotit, kjo e prishur e që po dëmtohet dita-ditës. Gurët e rëndë, si dhe gëlqerja që është përdorur për muret e saj ka qenë e përzier me lesh dhie, për t’u rezistuar së më mirë kohëve. Kulla ende nuk trajtohet si monument kulture, si për pozicionin që ka, e cila ndodhet në anë të rrugës, por në një fshat historik, ky objekt do të fitonte shumë vlera turistike… Historianët dibranë theksojnë se te Kodra e Gështenjave, kanë vende historike që thirren dhe sot me emrat si: Kopshti i Gjonit, pusi i Gjonit, ograjat e Gjonit. Te Guri i Luftës, Tre-Gurët, kanë shërbyer si pika vrojtimi, guri i Hajatit etj., që ende dhe sot ndodhen në një pozicion dominues. Komshi me Kastriotin, janë trojet e Kukëve, të Pal Kukës, që ishte daja i Skënderbeut, që gjenden në Livadhet e Epërme. Fiset e vjetra të fshatit kanë qenë: Gjini, Doçi, Koltraka, Noka, Doda, Përgjergji dhe Sava, ky i fundit, sipas banorëve, i njerëzve të Vojsavës, ardhur nga Fushë-Alia fqinje.
Historia e betejave të Dibrës
Ndërsa në qytetin e blirëve, me epikën dibrane të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, organizatorët e veprimtarisë kishin organizuar një sesion shkencor, ku u mbajtën kumtesa për diplomacinë e Skënderbeut nga Prof. Paskal Milo, mik i dibranëve, nga studiues ushtarak Dr. Asllan Zemani për betejat e Skënderbeut në Dibër, nga studiuesi ushtarak Azis Keta për logjistikën e përdorura nga Skënderbeu në betejat e Dibrës, si dhe nga historian dibran. Midis viteve 1444 dhe 1467 në zonën e Dibrës u zhvilluan rreth 9 beteja që u fituan nga Skënderbeu, kundër Perandorisë Osmane. Në betejat e Dibrës ndonëse pashallarët Osmanë u mundën, në to u arritën të kapen me pusi disa komandantë të ushtrisë shqiptare. Betejat u zhvilluan në fusha të zgjedhura me kujdes nga Skënderbeu, i cili e njihte mirë territorin përfunduan me humbjen e forcave osmane. Skënderbeu zgjodhi vendet e betejave për të luftuar, falë pozicionit strategjik që kishte, për të sulmuar dhe për t’u mbrojtur. Vëmendje Skënderbeu u kushtoi përcaktimit të vendit dhe mënyrës së përdorimit të borizanëve dhe britarëve. Këto mjete u përdorën për qëllime mashtrimi dhe në të tilla përmasa për herë të parë, mbasi mendohej, siç shkruante Barleti, që me zhurmën e tyre, osmanët të vdisnin nga frika, duke kujtuar se po sulmoheshin nga gjithë fuqitë e Epirit, së bashku me ato të Dalmacisë. Terreni ndikoi për ndarjen e forcave shqiptare. U mbajt parasysh synimi që gjatë veprimeve luftarake forcat të pësonin sa më pak humbje. Skënderbeu, po i ndante radhët dhe forcat e veta, shkruan Barleti, me qëllim që të mos pësonin ndonjë dëm e të mos shteronin. Grupimi kryesor, i udhëhequr nga Skënderbeu, zbriti në fushë pa u diktuar. Në kohën e caktuar, goditi forcat armike në pjesën qendrore të kampit. Pasi i asgjësoi, shkoi në ndihmë të forcave të grupimit të Moisiut, duke e vënë armikun midis dy zjarreve. Me shpartallimin përfundimtar të armiku, një pjesë e forcave të këtij grupimi e ndiqte atë dhe, në bashkëveprim me pritat e popullin, e asgjësoi kundërshtarin gjatë ikjes. Grupi i rojeve të pritave, i përbërë nga këmbësorë, kishte detyrë të rrethonte kampin nga të gjitha anët, të vendoste prita në vendkalimet, qafat, luginat. Detyra e tij ishte që me burie dhe brirët të shkaktonte zhurmë sa më të madhe dhe, kur ushtria armike e shpartalluar të fillonte tërheqjen, të asgjësonte, në bashkëveprim me popullin.
Muzeu i Kastriotëve në Sinë
Muzeu i Kastriotëve në Sinë, investim i sapo përfunduar nga Ministria e Kulturës, ka nisur të organizojë aktivitetet e para në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Shoqata “Çidhna dhe Kastriotët” dhe “Unioni i Krijuesve Dibranë”, kanë bërë kujdes në vite dhe në bashkëpunim me Bashkinë Dibër, organizuan këtë aktivitet kushtuar figurës së Skënderbeut, në kuadrin e vitit mbarëkombëtar. Pjesë e këtij aktiviteti u bënë edhe shumë të rinj. Edukimi përmes kulturës tashmë është një ndër mënyrat më të mira për të afruar dhe njohur brezat e rinjtë me trashëgiminë e pasur kulturore të vendit. Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut solli një përvojë të re në kujdesin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e vlerave dhe simboleve që kemi për Skënderbeun, jo vetëm në Dibër, por në të gjithë Shqipërinë dhe kudo ku është përcjellë jehona e bëmave të Skënderbeut, duke e kthyer këtë në një mit kombëtar. Nëse ende nuk e keni vizituar, Muzeu i Kastriotëve ju mirëpret të gjithëve!
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
(Gazeta “Telegraf”, datë 24 dhjetor 2018)