Trajneri i Kombëtares Silvinjo u shpreh entuziast një ditë përpara ndeshjes me Gjeorgjinë në “Arenën Kombëtare”, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Në konferencën përpara ndeshjes Sylvinho tha se të gjithë lojtarët janë gati dhe se pret një ndeshje të bukur në Tiranë, edhe pse përballë do të kenë një skuadër të fortë siç është Gjeorgjia.
“Unë e kam thënë që ky është një grup shumë i ekuilibruar dhe do të ndodhë gjithçka. Ukraina është e fortë, Çekia është shumë e fortë, Gjeorgjia nëse nuk e keni parë, përgatituni se është skuadër e përgatitur, fizike dhe teknike. Trajneri ka punuar shumë, është e fortë. Të gjithë trajnerët e përgatitin ndeshjen për të fituar, edhe ne. Unë mendoj se nesër do të jetë një ndeshje shumë e bukur, me stadium të mbushur, ata janë një ekip i fortë, i organizuar, i vështirë. Do të duhet të ecim me 100 në orë nëse duam të bëjmë një paraqitje të bukur, do të jetë e rëndësishme”, tha Silvinjo