Si u be bashkimi i Dibres per here te pare

0 0
Read Time:4 Minute, 3 Second

  ( 12 prill 1941- gusht 1944)

          Dibra ishte ndarë padrejtësisht në dy gjysma, nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913. Dibra arriti të bashkohet vetëm në periudhën 12 prill 1941-1944. Ja si u bë ky bashkim:

Ndonëse forcat italiane mbërritën në Peshkopi, më 15 prill 1939, Dibra e Madhe ra nën  pushtimin italian më 12 prill 1941. Ky pushtim, nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre u trumbetua me të madhe si çlirim, duke aluduar se Dibra ishte çliruar nga thundra serbo-jugosllave. E vërteta është se në këtë datë  iku një pushtues dhe erdhi një pushtues tjetër. Pavarësisht nga maskat, pushtuesit janë pushtues.

          Por, duhet pranuar, pavarësisht se nën pushtimin italo-gjerman Dibra, për herë të parë e të vetme pas konferencës famëkeqe të Ambasadorëve në Londër, më 1913, Dibra u bë bashkë, dy pjesët e një trupi u ringjitën, për t’u ndarë përsëri në gusht të vitit 1944, kur në Dibër të Madhe dhe në viset tjera shqiptare të Kosovës  e të Maqedonisë  hyri  ushtria jugosllave….

          Më 12 prill 1941, u ngrit me shpejtësi administrata që punoi nën pushtim. Prefekt  i parë i Dibrës së Madhe u emërua Qazim Mulleti, i cili u transferua nga Peshkopia në Dibër të Madhe.

          Në këtë qytet u ngrit edhe gjykata, u emëruan edhe gjyqtarët.

          Më 10 prill 1941, njoftohet se Rakip Leka,  kryetar i gjykatës së Peshkopisë, u emërua kryetar gjykate në Dibër të Madhe. Prokuror në Dibër të Madhe u emërua Hysen Sulo.

          Petro Martini u emërua gjyqtar i kl.I në gjykatën e shkallës parë të Dibrës së Madhe, Osman Mukla u emërua  ndihmësgjyqtar në këtë gjykatë, Filip Koraqe transferohet nga Kukësi si gjyqtar në Dibër të Madhe, ndërsa Emer Muhtari u emërua gjyqtar hetues në Dibër të Madhe.

    Ja si e kanë përcjellin kronikat e kohës ditën e pushtimit italian të Dibrës së Madhe:

          ….Lajmi ishte përhapur edhe atje, mbi male, në luginat e heshtura, nga njëri katund në tjetrin, nga njëra kullë te tjetra. 

          Në majë të maleve bora kishte filluar të shkrihet. Livadhet janë të verdha. Përrenjtë po bënin zhurmë  nga shkëmbinjtë me ujë fësh-fësh, alegri që i ngjante këngës së  pranverës, si gjethet e pemëve të lulëzuara.

          ….Kryengritja u përgatit në heshtje. Flamurët e vjetër, të ruajtur në vatër, po shpalosen përsëri në erë. E gjithë popullata e Dibrës ishte gati për veprim…. Askush nuk u ngrit të organizojë patriotët shqiptarë të Dibrës… po kryetarët ishin gati në mes të popullit; besa-besa tradicionale ishte në zemrën e të gjithëve. U ndanë armë dhe revole, u formuan to-gje vullnetarësh në çdo kullë, edhe çeta të rinjsh në çdo katund.

          …Më në fund dhe lufta. Posta e kufirit serbo-shqiptar nga ana e Dibrës, po sulmohet papandehur. Muret e bardha të këtij posti janë bërë të gjitha shoshë nga plumbat. Italianët dhe shqiptarët i përgjigjen zjarrit. Çeta komitësh serb hyjnë midis grykave të maleve, kapërcejnë malet. Po papandehur sulmohen nga çeta malësorësh shqiptarë, që dalin si fantazma të heshtura, u pengojnë rrugën, ngulen prapa çdo shpelle, zotërojnë të gjitha kalimet, rrethojnë shtigjet, pushtojnë kalimet e lumenjve, ruajnë urat dhe rrugëzat e detyruara. Janë të paktë, janë të shumtë, s’e di njeri….

          …Shqiponjë e gjallë Kol Bibë Miraka, nënkryetar i Partisë Fashiste, që në përpjekje e sipër mbeti i plagosur rëndë.

          …Po në Dibër qeveria serbe ka ikur. Të gjithë ata që kishin përkrahur çështjen jugosllave kanë ikur… Dibra është një qytet në zemrën e një peizazhi, që të kujton peizazhin zciveran…            

Kështu, Dibra është duke marrë pamjen e qytetit shqiptar, që bëhet qendra e prefekturës së Dibrës, duke zënë vendin që kishte deri dje Peshkopia. Autoritetet ndodhen prej ditësh në krye të detyrës dhe puna ka hyrë në vijën e saj…..                                 25 prill 1941

Këtë shkrim po e ilustrusojmë me flamurin që valvit në Dibër, më 12 prill 1941.

Fatos DACI 

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %