Si festohet Dita e Verës në Dibër

0 0
Read Time:7 Minute, 3 Second

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Kjo festë konsiderohet si arbëreshe dhe në thelbin e vet, pagane. Festimi kryhet në nderim të tokës dhe natyrës së bukur shqiptare, bimësisë që merr jetë në këtë këtë periudhë kohore, pas një dimri të fortë dhe të acartë . Tashmë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi, duke i dhënë kështu rëndësinë dhe hapsirën e duhur. Shqipëria, ndalet dhe feston ardhjen e pranverës.


“Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur skish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shlegjevet. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falën perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës. Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë.” Kështu shkruante dikur Faik Konica mbi Ditën e Verës.


Ndërsa at Berdardin Palaj më vonë, për Ditën e Verës në zonat e veriut, shkruante: “Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese : gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nuk lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darkë, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave! Unë pak e Zoti shum ! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë”.


Ndërsa në Dibër, Dita e Verës, fillon që me fundin e shkurtit. Këto kohë zakonisht bora fillon të shkrijë dhe natyra transformohet në ngjyra të ndryshme. Ditën e verës në fundin e shkurtit e nisin fëmijët, ata të një moshe relativisht të madhe duke nisur nga 15 deri në 20-vjeç. Kështu, ata zgjohen herët pa zbardhur, mblidhen në qendra të fshatrave dhe luajnë lojra nga më të ndryshmet: kryesisht kukafshehti deri me të gdhirë. Pasi dita vjen, ata ndërrojnë lojë, ku më e preferuara është Kalaja dibrançe. Vjen nje çast kur dielli del dhe ata ose i kthehen shkollës, ose ndonjë pune që sugjeron kjo kohë. Në Dibër nëse do, merresh me diçka kur toka është e zezë.


Këta fëmijë i japin gjallnimin e munguar gjatë muajve të dimrit, tashmë dhe natën. Ndaj të gdhirë, të gjithë të ndarë në grupe tre-katër vetë vërshojnë në fshat dhe mbyllin nga jashtë dyert e pahapura, portat e avllive me tela e litarë. Mandej jo rrall herë dëgjon zëra burrash që bërtasin, të tjerë që rreken të hapin dyert.


Ndërsa tek vajzat ekziston një mënyre tjetër dallimi i ardhjes së kësaj feste. Ato vihen vetiu në një garë se cila do dalë para në krua, pasta cila është e para që fshin rrugicën e saj. Ajo që del e para është me zonja, më fismja, ndërsa ajo e fundmja vetkuptohet që konsiderohet më pazonja, më gjumashja.


Kjo lloj kulture iu është kultivuar nga nënët dhe kryesisht gjyshet e tyre. “Nëse të gjen Dita e Verës në gjumë, atëherë e gjithë vera ka me të shkue përgjumësh.”, mbaj mend t’i thote ime më motrës. Këtë do ia kish thënë dhe gjyshja asaj kur do ketë qenë e re.


Kështu hyjnë ditët e para të marsit. Ritualet janë thuajse të njëjta. Natyra gjallon kudo, me të gjallon dhe jeta e shtatit pas një gjumi thuajse letargjik. Në rastet e një dëbore të harruar që vetëm prish punë dhe bëhet pasojë për çdo vonesë në punët e fshatit Dita e Verës vjen më e plogësht, për të mos thënë se nuk ndjehet, pavarësit imitimeve e sajimeve që mundohen dibranët t’i bëjnë.
Trembëdhjeta e marsit i gjen shtëpitë me nga një mullarth dëllinjash përpara në oborr, ose goma makine të ruajtura nga fëmijët: në rastin më të mirë në lëmat e fshatit, ku lagjeja ose fshati gëzojnë një harmoni të trashëguar. Këtë e quajmë vëllallëk. Familjet maten me njëra tjetrën, se cila e bën zjarrin më të madh. Kjo ndodh edhe mes lagjesh e fshatrash. Tënxheret janë me vezë të ziera: herë me gjethe qepe, herë me çaj mali, ku marrin një njyrë thuajse të kuqërremtë. Të gjitha gatitjet i duhen mbrëmjes.
Pas muzgut, kur dielli zhytet poshtë në Vargmalet e Lurës, dëllinjat ndizen, gomat marrin flakë e rretherrotull tyre familijarët qëndronë buzqeshur sepse aty “rruhen” (zihen) vezët. Kush ia thyen tjetrit ia merr. Mandej dikush nën dritën e flakëve këndon: Zjarrmi jonë fishek baruti, zjarrmi atyne si grumbull m**ti. Kjo këngë këndohet mbi naltësinë e flakëve.

Shkëmbehen aty për aty vizita te zjarret e njëri-tjetrit. Rruhen vezët. Humbet. Fitohet. Komentohen zjarret rrotull dhe bëhet një agjendë për të nesërmen, sepse ajo është has Dita e Verës. Pastaj konsumohen ushqime tipike, të tilla si petulla, flì, kuleçë me sheqer, pulë me jufka dhe llageja.
Me të dalë drita e parë, vajzat si gjithnjë janë zgjuar të parat. Rrugët ndrijnë nga pastërtia dhe janë të spërkatura me ujë. Pastaj ato mbidhen në grupe të vegjël dhe iu këndojnë atyre vajzave që nuk janë zgjuar akoma: “Ka ra dielli o kep e m’kep, kjo filanja akoma n’dyshek.”.


Pastaj siç janë nisen e mbledhin lulet e dit’veres dhe i vendosim mbi dyer e porta. Kthejnë shpejt dhe i vendosin lulet aty mbi porta e mbi dyer. Punët i kanë bërë herët e janë gati të shkojnë në lëmë e të luajnë.
Lëma është gjithëherë e mbushur me fëmijë të moshave të ndryshme. Të vegjlit i kanë mbush qeset me ushqime tipike për Ditën e Verës. Kjo gjë është thuajse piknik. Luajnë të gjitha lojrat, të gjitha moshat. Nuk mungojnë ngacmimet e vajzave nga ndjemtë, në më të rrallë dhe e anasjellta. Shumica i konsiderojnë motra, por një pjesë nuk e bëjnë këtë dhe kjo shëndërrohet në një fushëbetejë dashuriçkash.


Në qoshe të lëmës kanë ardhë edhe të panjohur. Janë miq, nipër në fshat por edhe të tjerë nga fshatrat rrotull. Aty kanë ardhë të shofin ndonjë cucë për nuse: atë më të urtën, më të pjekmen, atë që dëfton karakter. Në një rast ndryshe, ia kanë sugjeruar të afërm dhe tashmë ky është çasti më duhur për ta pas nën vrojtim. Në këto lëma kanë lind martesa dhe dashuri sa të harruara, sa të kurorëzuara. Gjithçka e filluar si lojë, çel të tjera degë sikur çelin degët e reja të pemëve. Dreka vjen, herë ndihet e herë jo.
“Nuk rri saçi pa u djegë për Dit’vere” thoshte imja gjyshe. Nënkuptonte se duhej gatuar një fli ose një petë. Kjo e karakterizon drekën e Ditës së Verës, e më të rrallë petulla malësie ose të ardhme.


Mbrëmja qaset shpejt. Dielli ikën e hëna vjen. Me ardhjen e hënës thonë që fillojnë edhe punën plakat e veja. Ato shpirtligat. Fillojnë punën ato që merren me qoftëlargun. “Duhet me u prujt për Dit’vere”, këshillojnë plakat tona, sepse “ato” këtë natë presin. Magjia e zezë dhe e bardhë i atribuohet më së tepërmi kësaj nate, ku paramendohet se është më i madh efekti. Këtë mund ta lidhim me thelbin pagan të kësaj feste, duke mos pas një shpjegim më të qartë. Megjithatë Dita e Verës në Dibër është ndër festat që shijonjë më së shumti fëmijë.

Nga Alban Tufa

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %