DIBËR- Përplasja mes kandidatëve për listën e anëtarësisë ka çuar në anulimin e zgjedhjeve për kreun e ri të degës së Partisë Demokratike në Bulqizë. Fillimisht Komisioni i Rithemelimit kishte miratuar një listë me 1700 anëtarë, por ditën e sotme në momentin kur do mbaheshin zgjedhjet Rithemelimi ka dërguar në Qendrën e Votimit një listë tjetër me 2258 anëtarë.
Anëtari i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Shkëlqim Tançi thotë se në listën e anëtarëve janë shtuar emra që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike, por i përkasin partive të tjera. Për këtë arsye, ai thekson se kandidatët nuk ranë dakord që të mbaheshin zgjedhjet dhe u vendos që të zhvillohen një ditë tjetër.
“Për sot procesi u pezullua, u shty për një datë tjetër, për arsye të mosrakoordimit të listave. Lista e miratuar nga kryesia ishte me 1700, lista që erdhi sot ishte e fryrë me 2258 emra. Dy kandidatët vendosën që të mos futen në këtë lloj gara sepse nuk është garë e barabartë sepse listat janë të fryra me emra që nuk ekzistojnë fare të PD aktualisht. Mund të jenë pjesë e partive të tjera. Emrat që janë shtuar janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit, janë emra që kanë votuar në referendum”, tha Tançi.
Kandidati për kryetar Fatos Hoxha në një prononcim për mediat tha se janë kundër kësaj liste pasi nuk ishin njohur më parë me të.
“Kemi një problematikë me listat. Kemi punuar me një pjesë të listave. Në komision kanë ardhur lista të tjera, ku janë shtuar gati 500 anëtarë. Nuk jemi njohur me këtë listë. Jemi kundër kësaj liste. Nuk e di si do veprohet “, shprehet kandidati për kreun e degës Fatos Hoxha.
Por, kjo shkelje e hapur në procesin e votimit nuk përbën aspak problem për kandidatin tjetër për kryetar Shaqir Manjani i cili thotë se gara duhet të vazhdojë.
“Jemi krejt dakord, të vazhdojë procesi, mos të pengohen demokratë të votojnë. Jam krejt dakord që të vazhdojë, listat janë të pastra atë plota, janë të përcaktuara me vendim të komisionit të rithemelimit. Lista e votimit do përdoret lista e 2019 dhe kësaj liste i shtohen anëtarët që kanë votuar në referendumin e 18 dhjetorit”, shprehet kandidati tjetër për kryetar dege Shaqir Manjani.
Komisioni i Rithemelimit nuk ka ndërmend ta ndalë procesin e zgjedhjeve për kryetarët e degëve, ndonëse ende nuk është dhënë një vendim i formës së prerë nga Apeli se kush do e kontrollojë partinë. Rithemelimi do të zhvillojë sot zgjedhjet për kryetar në pesë degë të tjera, Krujë, Belsh, Vorë, Maliq dhe Tirana 14. Pas zgjedhjes së krerëve të degëve, Rithemelimi mbledh më 30 prill Kuvendin Kombëtar, nga ku do të nisë procesin për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike.