-Thonë se dikur në një fshat të thellë egzistonte një grua e fisshme, bujare dhe që mirësinë e kishte qëllim kryesor në jetë. Fëmijët e gjithë mëhallës e donin dhe ajo i donte si të ishin fëmijët e saj. Fati deshi që burri i saj Haxhi K. punëtor i thjeshtë me të cilin kishte 4 fëmijë të ndërronte jetë pas një aksidenti në punë dhe barrën e rëndë të familjes ta merrte që në moshën 25 vjecare. Punëtore, gojë ëmbël, fisnike dhe e besës Xhibja krijoi mitin e të mirës, saqë urimi për njerëzit e mirë në atë zonë ishte “u bëftë si Xhibja”.
Vitet ikin dhe mes viteve muret e larta të kullës që Haxhi.K ndërtoi lindën nipër e mbesa të cilët lumturonin cdo ditë nënën Xhibe. Madje, vajzën e madhe të djalit të vogël me miratimin e saj e quajtën Xhibe, në nder dhe respekt të saj që kur ajo ishte gjallë.
Ajo ishte e llastuara, e zgjuar dhe e bukur si hëna. Njerëzit thonin që edhe tiparet i ka si gjyshja e saj e mirë e cila vdiq disa vite më vonë teksa amanet kishte që mbesa që mbante emrin e saj të bëhej e ndershme, të shkollohej dhe të ndihmonte njerëzit qoftë edhe me gjëra të vogla, aq sa mundësi të kishte. Të mos harronte kurrë njerëzit që e ndihmuan në momentin kur ajo mbeti në mes katër rrugëve, me katër jetim dhe fëmijën e vogël akoma nuk e kishte lindur.
-Pasditet zakonisht në fshat ishin të qeta ku njerëzit derdheshin tokave duke punuar pa marrë parasysh kushtet klimatike. Mes varfërisë, harresës, halleve të shumta, djersa u ndrit në ballin e nxirrë nga dielli i fortë i pranverës duke luftuar për bukën e fëmijëve. Gratë shamibardha të etura për punë mbajnë në supet e tyre veglat e punës, ndërsa burrat në dukje seriozë dhe fisnikë rendin pas kuajve të ngarkuar me produkte të fshatit. Makinat në fshat ishin të rralla, pasi balta dhe rruga aspak komode ndalonte çdo shofer të futej. Ishte pothuajse e pamundur të kalonin veturat e vogla duke qenë se rruga ishte tepër e amortizuar.
Kulla që i ndjeri Haxhi ndërtoi shumë vite më parë, e rrënuar në masë të madhe dukej se dita ditës do të jepte shpirt. Të rrallë ishin dhe mysafirët apo njerëzit e rinj që e vizitonin. Pasditen e fundit të Majit, oborri i saj prej kalldrëmi të vjetër ishte mbushur me njerëz të panjohur, të veshur mirë, me dosje nëpër duar dhe të ulur në formë rrethi. I gjithë fshati mbytur nga kurioziteti afrohet për të parë njerëzit me kravta e kostume të parfumosur dhe me fytyra të mbajtura dhe te kremosura. Disa fytyra ishin të njohura, të para nga televizori kur ato kishin kohë të lirë, e të tjerët nuk ua kishin rrok kurrë sytë e tyre të lodhur nga gjendja e zymtë e situatës në fshat. Rutina e tyre ishte e kufizuar brenda kornizës së fshatit dhe rrallë në rast nevoje dikush shkonte në qytet.
-Askush nuk e kuptonte çfarë po ndodh, por të gjithë me kuriozitet dëgjonin djaloshin e gjatë, me trup të mbushur dhe me një kokë të rruar që ndriste nga drita e diellit. Në mes të burrave me kollare ishin dy zonja, njëra prej tyre Xhibja tashmë një vajzë e rritur prej kohësh larg fshatit, në qytetin më të madh të vendit. Prindërit mundoheshin me sakrifica ta shkollonin, por rezultatet nuk ishin aty ku babai i saj, mësues i lëndës së matematikës dëshironte. Fshati fliste, njerëzit gjykonin sjelljet që ajo bënte, madje disa krahasonin karakteret me gjyshen e saj, që natyrisht ishte shumë i kundërt. Fytyra e imët, trupi i gjatë, flokë gështenjë dhe kembët e drejta që fundi i shkurtër i nxirrte më shumë në pah e bënte atë të dukej ndryshe, disi më e rritur dhe më simpatike. Syzet e mëdha herë herë mbuloheshin me avull nga sikleti ndërkohë që shtërngonte duart sikur ta detyronin te rrinte përballë njerëzve.
Xhibja ose Xhoi siç e njihnin djemtë me kollare me zë të dridhur zotohej që të ndihmonte zotin Shemsi Shkema për tu bërë Kryetar i Komitetit Qëndror. Pas një muaji, pikërisht të djelën e fundit të qershorit zhvilloheshin zgjedhjet ku populli i varfër do të linte shatin në mes të arës për zgjedhur atë që do e drejtonte.
Përpara 50 burrave kreshnikë dhe të ndershëm me duart që ju dridhnin nga emocionet Xhibja premtoi se do i ndihmojë të gjithë ato që do kenë nevojë duke përmendur amanetin që gjyshja e saj i kishte dhënë.
-“Unë do ju ndihmoj për çdo hall që keni motra dhe vëllezër” e kam amanet nga gjyshja :- ishte fjala e fundit që tha, hoqi syzet dhe pastaj mbylli derën e makinës së shtrejntë që qëndronte karshi me kullën gati të rrënuar ku jetonte me prindërit. Në këtë makinë qëndronte edhe Shemsiu i cili njihej në zonë si person i fuqishëm nga ana ekonomike.
Makinat e modeleve të fundit të mbuluara nga balta rindezën motorët dhe çanë për tu larguar nga ai fshat në tjetrin. Të njëtat situata kaluan në çdo vend që shkonin.
-Kishte rreth pesë vite që Xhibja, mbesa e një gruaje të fisshme edhe me emër në këtë zonë nuk vinte në fshat. Asaj nuk i pëlqente fshati, madje e mohonte se vinte nga një familje e varfër me prejardhje nga ky vend. Askush nuk dinte për të, madje në disa detaje as prindërit e saj. Dinin që punon në një zyrë ku ndihmonte njerëz të varfër, me probleme ekonomike dhe fëmijë që janë me shëndet të ligë. Dinin që për një provim nuk arriti të diplomohet sepse pedagogët i kërkonin para dhe për këtë arsye shit viçin dhe paratë ja dërguan asaj në qytet. Lart e poshtë nga ndonjë i njohur thuhej se ajo e braktisi shkollën në vitin e dytë, kishte ndërruar emrin dhe nuk dëshironte më të kthehej në fshat pasi sipas saj mentaliteti I fshatit e mbyt. Bënte pushime të shtrejnta dhe blinte rroba firmato.
Kaloi koha por balta e fshati mbeti e njëta. Erdhi dimri dhe kulla e gurtë e ndërtuar nga i ndjeri Haxhi. K pikonte gjithandej. Prindërit e saj bashkë me fëmijët u zhvendosën në qytet por varfëria dhe skamja mbeti prezentë në fshat. Xhibja nuk ishte më Xhoi, por u bë zonja Xhoi. Madje drejtoresha kryesore e një institucioni të rëndësishëm. Vuloste, firmoste, takonte njerëz të rëndësishëm, mbante fjalime dhe u bë një aset i rëndësishëm në qytet. Të shpeshta ishin udhëtimet dhe trajnimet jashtë, ku qëndronte me ditë të tëra. -Kishte kolegë dhe drejtonte profesor të cilët ishin bërë shkak që ajo të mos diplomohej kurrë. Ndoshta nuk e meritonte. Herë herë krijonte polemika. Në zyrë e qeshur priste vetem persona që dëshironte, madje refuzonte gjithmonë banorët e fshatit të saj.
Të gjithë e njihnin por askush nuk e dinte arsyen përse kaq shpejt dhe zuri një status për tu admiruar. Qyteti ishte i madh, sigurisht kishte dhe personazhe të tjerë të spikatur për të qenë në vendin e saj. Fshati mbeti po ai fshat ashtu siç e ishte. Skamja thellohej dhe dimri mbetet sërish i vështirë. Hallet shtoheshin dhe amaneti i gjyshes nuk u mbajt kurrë, pavarësisht se shumë u premtua të bëhej ndryshimi.
Pranvera erdhi vrullshëm dhe marrëdhëniet me shefin u prishën. Askush nuk guxoi të fliste rreth kësaj gjëje dhe shef Shemsiut duket se nuk i pëlqente më Xhoi në stafin e tij duke e përjashtuar dhe e lënë në mes katër rrugëve. Thashethemet e korridoreve flisnin shumë por flitej që gruaja e shefit nuk e donte atë në stafin e burrit të saj.
Fustanet, darkat, lukset apo takimet e rëndësishme ja lanë venditbaltës së kullë në fshat. Xhibja që dikur ishte e rëndësishme u kthye në fshat, mes fajit, varfërisë dhe paragjykimesh. Çdo mëngjes u detyrua të fshinte oborrin, të bënte punët e fshatit. Shkëlqimi nuk zgjati shumë dhe rënja ishte shumë e fortë. E penduar Xhibja kujton gjyshen e saj teksa i thote gjithmonë që duhet të jesh e ndershme, të punosh fort dhe të lësh punën të flasë për ty.
Nga |Samet Zagradi|