SHIJOJENI DIBRËN ASHTU SIÇ DO IA KISHTE ËNDA NJË DIBRANI

0 0
Read Time:4 Minute, 44 Second

Qyteti i malit më të lartë të Shqipërisë, apo ujrave akullnajore të Lurës është i radhës në rrugëtimin tonë turisitk.

Dibra, edhe pse mund të mos e dini, është qyteti pasardhës i fisit ilir Dober, i shquar për tregtinë dhe artizanatin.

Mes përmes qytetit, kalonte rruga Egnatia, një nga ndërkalimet kryesore romake që i dhanë shtysën zhvillimit ekonomik kësaj zone.

Dibra sot ndahet nga kufiri me Maqedoninë e Veriut në: Dibrën e vogël dhe atë të Madhe. Edhe pse e ka emërtimin e vogël, ajo përfshin rrethin e Matit e atë të Bulqizës, ndërsa si kryeqendër ka qytetin e Peshkopisë.

IntoAlbania dhe ONE Telecommunications ju ftojnë në një udhëtim të paharrueshëm në Dibër, për të zbuluar bukuritë e paçmuara që ajo fsheh, siç do të bënte edhe një dibran.

ZBULONI ÇFARË FSHEH KRYEQENDRA E DIBRËS

Kur drejtoheni në hyrje të Peshkopisë, aty do të gjeni lagjen e njohur Treg. Nëpër rrugicat e shtruara me kalldrëm, do të mund të zbuloni disa nga shtëpitë karakteristike të zonës, të ndërtuara mjeshtërisht me gurë.

Jo shumë larg nga kjo lagje është edhe “Bulevardi i Blinave”. Siç edhe vetë emri e tregon, përgjatë kësaj shëtitoreje rreth 600m të gjatë, janë mbjellë pemë Bliri, që falin për qytetarët aromën e tyre fantastike.

Gjatë shëtitjes në bulevard do të keni mundësinë të shihni dhe të njiheni me përmendoret dhe bustet e disa prej patriotëve që luftuan dhe dhanë kontributin e tyre për vendin. Ndër to, do të shquani edhe Shtatoren e Skënderbeut, origjina e të cilit mendohet të jetë pikërisht nga Dibra.

Në qendër të qytetit gjendet “Muzeu i Dibrës”, i cili përbëhet nga pavioni i historisë, arkeologjisë dhe etnografisë. Aty ekspozohen një larmishmëri objektesh, sendesh, armësh dhe veshjesh, që dëshmojnë më së miri historinë dhe kulturën materiale e shpirtërore të zonës.

VIZITONI MONUMENTET E ÇMUARA KULTURORE DHE FETARE

Kalatë Më Të Rëndësishme

Kështjella e Grazhdanit, e cila ndodhet në Maqellarë, mbart vlera të mëdha historike dhe arkeologjike. Ajo përfaqëson një ndërtim të shekullit IV, ndër më të mëdhatë e këtij lloji në Shqipëri.

Vetëm 11km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, kështjella rrethohet nga disa fortifikime të tjera të kësaj periudhe, si Kalaja e Gradecit, Videnit, Gradishta e Peshkopisë, qyteza e Topojanit etj. Kalaja e Dodës në Ceren, është një tjetër destinacion historik dhe kulturor, që ja vlen të vizitohet.

Kishat Dhe Xhamitë

Ju mund të vizitoni kishat si ajo e “Shpërfytyrimit” në fshatin Herebel, e Shën Dhimitrit apo e Shën Sotirit në fshatin Kërçisht, që janë cilësuar si monumete kulturore të kategorisë së parë.

Ndërsa për sa i përket xhamive, do të veçonim atë të Allajbegisë në fshatin Burim, e cila daton në vitin 1588.

Për vlerat e shumta historike e kulturore, por edhe për të shuar kuriozitetin, vizita në këto objekte është një eksperiencë që nuk duhet humbur.

Trokisni Në Dyert E Banesave Më Të Famshme

Dibranët shquheshin si mjeshtra të ndërtimit dhe kjo mund të dëshmohet më së miri duke vizituar disa nga banesat më të bukura.

Banesat si ajo e Mude Sali Kadrisë në Bellovë, Selman Tollës në Fushë-Lurë, Reshit Zunës në Sohodoll, Tasho Markos në Herebel etj, janë vetëm disa nga ndërtesat që ruajnë dhe tregojnë për shijen e hollë në fushën e ndërtimit.

TURIZMI I NATYRËS DHE AVENTURËS

Zhytuni Në Ujrat Termalë

Një nga atraksionet më të njohura të Dibrës janë padyshim llixhat shekullore, të krijuara nga burimet e ujrave kurativë. Pranë llixhave mund të gjeni shërbim hotelerik të kënaqshëm dhe sipas preferencave ekonomike.

Ngjituni Në Çatinë E Shqipërisë

Për të gjithë adhuruesit e ecjeve malore, ngjitja në malin më të lartë në vend, atë të Korabit, me një lartësi prej 2764m, është një sfidë dhe një eksperiencë e paharrueshme.

Ju gjithashtu mund të vizitoni edhe Parkun Natyror të Korab-Koritnikut, i cili njihet për larmishmërinë e florës dhe faunës, por edhe për bukurinë mbresëlënëse.

Vizitoni Liqenet e Kacnisë

Plot 14 liqene akullnajore, rrethojnë dhe i shtojnë edhe më tepër magjinë fshatit Kacni, që ndodhet në kufi me Lurën, Matin dhe Bulqizën. Edhe pse rruga për të mbërritur aty mund të jetë e vështirë, asgjë nuk është e pamundur për eksploruesit e natyrës.

Shijoni bukuritë e pafundme në Parkun Kombëtar të Lurës dhe Zall Gjoçajt

Dy nga parqet më të bukura të vendit që ndodhen në qarkun e Dibrës, i shtojnë më tepër bukuri dhe pasuri natyrore këtij qarku. E jo më kot thuhet se nëse nuk ke parë Dibrën nuk ke parë Shqipërinë.

Vizitoni Fshatin Unik

Rrugicat e ngushta me kalldrëm, dyert e mëdha prej druri, dhe arkitektuara e veçantë e banesave prej guri të ruajtura më së miri, janë ato që e dallojnë Rabdishtin dhe e kthejnë në një fshat kaq unik. Gjithashtu monumentet natyrore si Kroi i Gjyshes apo Guri i Shqiponjës, do t’ju bëjnë të përhumbni në botën e imagjinatës.

Lundroni Në Lumin Më Të Gjatë Të Shqipërisë

A mund ta imagjinoni sa bukur do të ishte të lundronit në lumin më të gjatë të Shqipërisë? Epo këtë mund ta bëni në degën e Drinit të Zi, me operatorët që ofrojnë një eksperiencë të paharrueshme në këtë zonë të mrekullueshme dhe ende jo shumë të eksploruar të vendit.

MOS U LARGONI PA PROVUAR SPECIALITETET E KUZHINËS DIBRANE

Kuzhina dibrane është një tjetër simbol i traditës vendase dhe shijimi i pjatave tradicionale është po ashtu një tjetër mënyrë për të shijuar më së miri vizitën tuaj në të gjitha aspektet. Mos u largoni pa provuar specialitetet e zonës si jufkat, paçen dibrane, sheqerparet apo gjylnarin.

Nëse jeni të interesuar për aktivitetet kulturore të qytetit, duhet të vizitoni Dibrën në tetor për festivalin “Oda Dibrane”. Gjatë kësaj kohe në bulevardin kryesor festohen traditat e zonës dhe kultura.

intoalbania.con

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %