S’do fejohem as këtë janar (skicë)

0 0
Read Time:2 Minute, 0 Second

Meqë gushtit i ika, zor se do t’i ik janarit. Këtë janar janë kthyer nga kurbeti djemtë e vendit. Duke qenë se kanë aq mallë për vendin e lindjes, edhe nuset sigurisht që do t’i gjejnë këtu. Tashmë tezet, hallat, xhaxhallarët janë fut në aksione. Kudo nëpër kafet e qytetit pyetet: Si e ka cucën filani? Çfarë nusje ka fisteku? Ku është mbesë? Ku i punon i ati? Ku i punon e ëma? 

Askush nuk pyet për shkollën, askush nuk pyet çfarë dëshirash ke. Ja, ashtu të humbet identiteti kur askujt nuk i intereson dhe tretesh në masë, tamam si numër. Ky janar do t’ma çel kismetin. Sa mirë, më në fund, komshinjtë nuk do të flasin për mua. Të paktën do e kuptojnë që nuk kam betë në derë.

Në rradhë janë disa: njëri prej Italie, një tjetër prej Anglie, edhe një prej Gjermanie, por edhe një, që shkon në Greqi në fushatën e ullijve në vjeshtë dhe të qershive në verë. Në fakt të gjithë kanë makina, të gjithë kanë letra, kanë edhe shpi. Si me thënë i plotësojnë kushtet.

Edhe unë i plotësoj kushtet që kanë ata, madje të gjithë, edhe kushtin e parë. Fundja askush s’më ka prek me dorë. E kam një shkollë të mesme, me mesatare mbi 9, por s’e tentova të lartën se kshu janë punët: s’patëm tetezi. Duhen hap sytë duhet me shku në derë të huaj. 

Përballë kam një rradhë, një rradhë burrash, që asnjëri s’e ka ruajt bukurinë mashkullore për mua, sepse e kanë derdhë rrugëve të Europës. Por apet, kërkojnë të marrin bukurinë time, ashtu të paprekme. Kurrsesi, askush nuk u interesua për mesataren, as për shkollën, as për mendjen. Askush nuk u interesua nëse jam dru që gdhendem. 

Aq më pak për ndjenjat. Çdo ditë vjen nga një. Flasin me babin, nëpër dhëmbë. Vjen çasti vendimtar, por unë i refuzoj. Do të t’kaloje koha, më thonë, por mu sma ndjen. 

Erdh edhe njëri sot. Ishte me letra në Amerikë, me shpi, me dyqane, por ç’e do, as ky nuk pyeti për shkollën. As ky nuk pyeti për dëshirat e mia. Jo iu thash, as këtë. M’u turrën sikur të kisha bërë ndonjë marre. Por unë prap me timen. Do pres…

Do pres dikë që edhe pa shpi e letra, të interesohet për dëshirat e mia. Fundja të pyes sa e ka mesarare.

Alban Tufa

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %