Koncert Foklorik për të përmbyllur fushatën studentore “Ruaj traditën, festo shqip”
Muzika popullore është pjesë e ditëve, dhe ndoshta jo çdo ditë merr vëmendjen e duhur, vlerësimin e merituar, por ajo është pjesë e pandarë e jetës së çdo shqiptari dhe si e tillë ka rrëmbyer vëmendjen e studentëve në masterin shkencor për Marrëdhënie Publike dhe Gazetari në Kolegjin Universitar Bedër.
Në kuadër të fushatës studentore “Ruaj traditën, festo shqip” u organizua koncerti përmbyllës me pjesëmarrjen e shumë artistëve të njohur profesionistë (këngëtarë, instrumentistë e grupe valltarësh), përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare. Ky koncert shërbeu si aktivitet përmbyllës i një numri të gjatë takimesh e aktivitetesh për folklorin.
Nën moderimin e Eraldo Rexhës, Isida Mollaymerit dhe Iris Hazizaj koncerti u hap me vallen çame, kushtuar traditës së bukur shqiptare.
Në skenën e Universitetit të Artve performuan artistët më të mirë shqiptarë të këngës popullore si Irini Qirjako, Irma Libohova, Sabahete Vishnja, Lirie Rasha, Vera Laçi, Petrit Lulo, Vojsava Alia, Anxhela Hamati, grupi polifonik nga Vlora etj.
Midis performancave të këngëtarëve të shkëlqyer nuk mund të mungonin vallet tona të magjike, të realizuara me mjeshtëri nga disa grupe nën kujdesin e koreografëve më të mirë si; Andrea Kokeri, Lindita Kaimi, Avni Ndreu, Bujar Gorenca, Tada Dance, si dhe grupet nga gjimnazet e Kamzës dhe gjimnazi Don Bosko.
Studentët e Kolegjit Universitar Bedër bënë të mundur sjelljen e çdo vlere artistike në skenë duke përfshirë edhe instrumentistët e njohur si violinisti Ervin Gonxhi, flautistja e njohur Anxhela Kapja dhe lahutisti Gjin Peplokaj, të cilët i shtuan ngjyrat dhe bukurinë këtij koncerti në sallën e mbushur plot me spektatorë të të gjitha moshave, të cilët mbetën shumë të kënaqur dhe, të emocionuar shprehën dëshirën që aktivitete të tilla nuk duhet t’i mungojnë publikut shqiptar, pasi shpalosin dhe transmetojnë vlerat e historisë dhe artit shqiptar ndër breza, aq të nevojshme për të ruajtur lidhjet me traditën dhe rrugën e bërë ndër shekuj.
Koncerti u përmbyll më përshëndetjen e studentëve të vitit të dytë master shkencor në Marrëdhënie Publike dhe Gazetari të cilët prej 4 muajsh nën kujdesin e lektores Edlira Mali kanë punuar për të realizuar një seri aktivitetesh në kuadrin e fushatës ndërgjegjësuese “Ruaj traditën, festo shqip”.
DibraOn.com