Falë ndërhyrjes së Policisë së Dibrës dhe banorëve të zonës, është shuar zjarri në fshatin Blliçe, në Dibër, i cili për shkak të erës rrezikonte banesat e fshatit.
Strukturat e DVP Dibër dhe Komisariatet e Policisë në varësi të saj krahas përmbushjes së detyrave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për krijimin e një ambienti sa më të sigurt, janë angazhuar maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur rastet e zjarrvënies në pyje e kullota, por dhe për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar nga zjarret që shkaktohen me qëllim apo nga pakujdesia.
Në vendin e quajtur “Pemëtore”, fshati Blliçe, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër dhe forcat “Shqiponja”, të ndihmuar dhe nga banorë të zonës, duke përdorur mjete rrethanore, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve duke parandaluar përhapjen e zjarrit i cili për shkak të erës do të rrezikonte banesat e fshatit.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin dhe apelon në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast mos të shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.