Në prag të sfidës së rëndësishme me Erzenin e Shijakut, një nga lojtarët më të rëndësishëm të K.F Korabi, Redon Raza flet për Dibra On:
Munguat ndaj Dinamos pasi kishit plotësuar kartonat por skuadra duket se ka edhe lluksin të përballojë kampionatin edhe në raste të tilla?
“Jam i kënaqur që skuadra ja doli në takimin ndaj Dinamos ku unë mungova për shkak kartonash. Ishte një 3 pikësh i rëndësishëm për të cilin të gjithë luftuam dhe e merituam. Ne jemi të barabartë, kjo është arsyeja pse të gjithë duan të jenë si ne, kur sportistët trajtohen dhe stërviten njësoj, diferencat janë fare të vogla.”
Java e 15-të ju gjen në vëndin e 4, 8 pikë poshtë vëndit të parë por 4 pikë mbi vëndin e 5-të i cili ju dërgon në zonën e ftohtë. Cili është objektivi saktësisht?
“Jemi në kulmin e sezonit, edhe 3 ndeshje mbyllet faza e dytë dhe ndahen grupet ndaj takimi me Erzenin është shumë i rëndësishëm për tu fituar për shkak të pozitave në renditje. Një fitore me Erzenin, fillimisht na garanton qëndrimin në kategori, më pas do na ndihmonte në ruajtjen e diferencave me kreun apo në ngushtimin e tyre.”
Si ju duket ardhja e trajnerit Dalipi në këto momente?
“Trajneri i ri ka injektuar menjëherë filozofinë e tij në skuadër dhe dora u ndje që javën e parë ndaj Dinamos. Që ditën e parë ka shprehur se ka ardhur këtu për Korabin dhe për ne. Ka punuar çdo ditë me të gjithë elementët si tekniko-taktikë ashtu edhe psikologjikë apo emocionalë të secilit prej nesh. Në këto kushte do të tregojmë rritje nga java në javë si në grup ashtu edhe individualisht.”
Në lidhje me ndeshjen Korabi – Erzeni?
“Gëzojmë formën me të mire, grupi është i plotë, asnjë i dëmtuar dhe asnjë i penalizuar. Jemi të fokusuar nga dita e hënë tek ndeshja dhe kam besim se do ja dalim. Ndaj Erzenit duam “hakmarrje” dhe tju tregojmë se si organizohet dhe menaxhohet një ndeshje e nivelit profesionist! I bëj thirrje të gjithë Dibranëve të jenë të pranishëm në stadium për të festuar sëbashku të shtunën, prezenca juaj është forcë për ne. Të tregojmë qytetarinë dhe kulturën që na karakterizon si përgjigje për atë pritje aspak fair-play dhe anormale që na bënë në Shijak!
Ish- trajneri Bubeqi do të debutojë ndaj Korabit, si ndikon kjo në kampin tuaj?
“Kam respekt për profesorin, kemi punuar për 2 vite dhe ka bërë çdo gjë mirë me ne. Të gjithë e dinë forcën tonë, ndaj edhe në krahun e tyre është e qartë se kush është Korabi, skuadra me të cilën trajneri Dorjan Bubeqi fitoi në Shijak dhe hyri si pretendente për në Superiore. Këtë takim dua ta fitojmë ne, për të tjerat i uroj suksese në të ardhmen.”
.