Ethet e ministrave të kabinetit Rama 2 që shpresojnë të rikonfirmohen dhe kandidatëve për tu ulur në qeverinë Rama 3 do të vijojnë deri në orën 10 të datës 2 Shtator.
Përbërjen e skuadrës së tretë qeverisëse Edi Rama po e ruan me fanatizëm deri në mbledhjen Asamblesë Kombëtare këtë të Enjte. Në një kohë kur ka konfirmuar Elisa Spiropalin si ministre për marrëdhëniet me parlamentin dhe Taulant Ballën në krye të grupit parlamentar, në selinë rozë nuk mungojnë hamendësitë për emrat e ministrave të rinj.
Për momentin thonë burime nga PS, Belinda Balluku Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë është në pol pozicion të rikonfirmit, por mund t’i hiqet Energjia, duke u bashkuar me Mjedisin duke krijuar një ministri që mund t’i besohet Benet Becit.
Ftesa për vijuar drejtimin e shëndetësisë ka mbërritur tek Ogerta Manastirliu. Edhe ministria e saj do të ristrukturohet duke i hequr Mbrojtjen Sociale, e cila bashkohet me Sportin dhe Rinë, nga ku drejtimi mund t’i besohet Bora Muzhaqit aktualisht zëvendës ministre arsimi.
Edhe Olta Xhaçka shihet si një kandidaturë potenciale për të vazhduar drejtimin e diplomacisë shqiptare e vijuar koordinimin e suksesshëm deri më tani prej saj, në operacionin humanitarë të strehimit të afganëve.
Parashikohet edhe ndarja e Ministrisë së Financave nga Ekonomia ku në njërën prej dy këtyre ministrive do t’i besohet Arben Ahmetajt bashkë me vijimin e drejtimit të punëve të rindërtimit nga tërmeti.
MMarrë nga Bold News