Nga: Arjan Muça
Si fillim, pa hyrë në themel, duhet të theksojmë se shqiptarët nuk po ikin, por po i përzënë.
Se vendi ynë po zbrazet, ky tashmë është një fakt i ditur botërisht dhe ska nevojë të provohet, e që pasojat e këtij fenomeni janë një fatkeqësi afatgjate nuk duhet shume mend për ta kuptuar. Këto nuk i kupton vetëm ai që s’do ti kuptoj. Këto që s’duan ta kuptojnë nuk është e vështirë ti dallosh, sepse kanë disa cilësi të përbashkët, kanë parimin bindu dhe shpëto, nuk kanë aftësi për të kuptuar vetë, por as për të kuptuar kur të tjerët ua shpjegojnë, e kështu janë të destinuar të binden e të ndjekin, e duke qenë se siç thamë nuk kuptojnë, nuk din as se kë ndjekin. Problemi nuk qëndron tek fakti se kjo kategori njerëzish ekziston, problemi qëndron se jen shumicë dhe janë të sigurt në vetvete se sa më shumë njerëz ta besojnë diçka, aq më e vërtetë është ajo. Dihet që kjo është lajthitje dhe kolektive madje, por të bindësh një të marrë për një mendim ndryshe, është një sipërmarrje që vetëm një i marrë e merr përsipër, e lë më pastaj të bindësh një turmë të marrësh. Pa u shpërndarë shumë, përfaqësuesit më të denjë të këtij kontigjenti janë ato qe i lëpihen sunduesit apo klikës sunduese e qeverisëse. Nëse mendja të shkon tek militantët, mos mendo se e ke gabim dhe as mos u frikëso se po hyn në mëkat, se mendimi kurrsesi nuk mund të jetë i tillë e kur mbi të gjitha po thua të vërtetën. Po pate dyshime mos u shqetëso se gjithsesi vetëm budallai është tërësisht i sigurt.
Të sipërcituarit që sunduesi i plotfuqishëm i këtij vendi, rajonit, globit e tërë universit , ardhjen e të cilit e paskemi pritur si te Mesihut, i konsideron si dishepuj te tijit, e një i marrë , të marrë do ketë dishepuj, jo vetëm që e mohojnë këtë fenomen, por edhe po e gjysëmpranuan i mohojnë pasojat e tij shkatërrimtarë jo vetëm për ekonominë, por për shoqërinë dhe strukturën e saj në përgjithësi. Kjo sepse ato fort besojnë se diçka po ta përsëritësh shpesh, vjen një moment që do ta besosh.
Ndërkohë, mjafton të dalësh pak nëpër rrethinat e këtij vendi dhe sheh në çdo shtëpi nga dy pleq që jetojnë të vdekur, e çdo fshat që po tretet e çdo të ri që bie e ngrihet nga gjumi me shpresën se nesër do ik. Dëshira për të ikur është aq e madhe sa kanë frikë të kthejnë kokën pas, e u desh kjo pandemi për të provuar se kishte njerëz që ikën nga kjo botë pa një dorë dhé nga fëmijët tyre.
Thonë se sheh mendja dhe jo syri, prandaj këto që qeverisin s’do e shohin kurrë gjendjen e këtij vendi sepse mbi të gjitha lakmia u ka zënë sytë dhe mashtrimi e propaganda ka arritur deri aty sa kanë mashtruar vetveten. Përderisa ne presim që të vijë koha që ti bëjmë mirë vetes tonë duke ngritur krye, e dihet se duke pritur kjo e mirë kurrë s’do vij, atëherë shkaktarët kurrë s’do ndëshkohen, e kush nuk ndëshkohet as nuk pendohet. Pa pendesë nuk ka ndryshim, pa ndryshim që vjen nga brenda, askush nuk e ndryshon gjendjen e atij populli. Të mos harrojmë se nëse kjo gjendje është e qëllimshme, që me shumë gjasa është e tillë, çka rrjedhimisht e bën atë të ligë atëherë kush lavdëron apo mohon një ligësi, është më i ligë se ai që e bën.
E drejta e lëvizjes dhe zgjedhjes se ku dëshiron të jetosh, që rëndomtë e gjen si argument kur përmend braktisjen e vendit, është një kamuflim i bukur i të detyruarit për tu larguar për shkak të pameritokracise, nepotizmit, përçmimit, denigrimit, vrasjes së shpresës, përçudnimin e intelektualit, varfërimin e fermerit, promovimit të injorantit dhe të fortit, humbjes së mundit, mohimin e lirisë ekonomike dhe sipërmarrjes private, e mbi të gjitha promovimin e kulturës së të qeverisurit me arrogancë nga këto që qeverisin dhe qe i mbështesin.
Të mos harrojmë se një komb që fle është i destinuar të shuhet, prandaj e kemi për detyrë të zgjohemi për ti treguar se pushteti i takon sovranit, e sovrani është populli, i cili kurrsesi s’duhet ta braktisi këtë vend.