Opinion nga: Samet ZAGRADI
Dibra është një trevë ku mbizotërojnë vlera të veçanta kulturore dhe historike të trashëguara me sukses nga njëri brez tek tjetri. Pavarësisht kushteve ekonomike, pozitës gjeografike apo vështirësive të mëdha, dibranët kanë treguar me kalimin e kohës se sfidat i kanë bërë gjithmonë më të fortë. Këmbëngulja dhe dashuria e madhe për punën janë karakteristika që personalizojnë çdo dibran, kudo dhe në çdo kohë. Vazhdimisht kemi dëgjuar histori suksesi të të rinjve nga Dibra, të cilët, mes shumë vështirësive, jo vetëm që janë të barabartë me pjesën e suksesshme të shoqërisë, por në shumicën e rasteve janë liderë dhe ndër më të mirët në punën që bëjnë.
Por a mund të ketë një shpjegim përse dibranët janë të suksesshëm kudo që janë dhe veprojnë? Sipas psikologëve, personaliteti i njeriut fillon të formohet që në fëmijëri, dhe kjo ka ndikuar te dibranët, duke trashëguar brez pas brezi “damarin e punës dhe të këmbënguljes” për të qenë të suksesshëm. Asgjë nuk mund t’i lihet rastësisë kur mendon se ka aq shumë dibranë të suksesshëm në fushat e tyre saqë në cdo vend patjetër që gjen një dibran.
Një nga arsyet kryesore për këtë fakt është “kultura familjare,” e cila në Dibër është prezente në një masë të madhe. Kultura e familjeve dibrane imponon te fëmijët idenë për të dashur punën dhe për të mposhtur vështirësitë që hasin gjatë rrugëtimit të tyre. Vështirësitë e bëjnë njeriun më të fortë. Kjo frazë ka qenë mjaft aktuale për dibranët prej kohësh. Largësia e konsiderueshme me kryeqytetin, mungesa e mundësive, varfëria ekstreme dhe kushtet aspak të favorshme nuk e kanë penguar dibranin të jetë i suksesshëm; përkundrazi, këto kushte duket se e kanë forcuar atë. Mes vështirësive, dibranët gjithmonë kanë arritur të jenë të suksesshëm në pikat e tyre të forta.
Dibranët janë punëtorë të zellshëm, bjuarë dhe mikpritës. Gjithmonë kanë qenë dashamirës të arsimit dhe i janë përkushtuar dijes bres pas brezi edhe kur pengesat kanë qenë të mëdha. Trashëgimia kulturore dhe vlerat e forta natyra e dibranit mbart shpjegon mjaftë qartë për suksesin tonë në fushat më kryesore të jetës. Cdo dibran ka dëshirë të jetë i spikatur në atë cka bën por nuk është kurrë mendjemadh. Përshtatet me këdo, nuk ka turp të pyes kur nuk di diçka dhe me zgjuarsi mëson dhe jep modelin më të mirë të vetes së tyre.
Aftësia për t’u përshtatur me ndryshimet dhe komunitetet e tjera është një cilësi e çmuar e dibranëve. Kjo aftësi u siguron avantazhin e të qenurit unikë brenda turmës. Ky aspekt i bën dibranët të shpalosin aftësitë e tyre humane, profesionale, dhe çdo lloj tjetër cilësie në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Tiranën e ndërtuan dibranët” është një thënie që shpesh haset në biseda të ndryshme. Bujaria dhe dashamirësia e dibranëve është vërtetuar prej kohësh. Ata që e njohin sadopak historinë e kryeqytetit shqiptar, kujtojnë ardhjen masive të dibranëve në vitet 1912-1913 në Tiranë. Dibranët nuk kërkuan të bëheshin të parët e vendit; ata respektuan bujarinë dhe dashamirësinë e popullit të Tiranës dhe nuk zaptuan asgjë me forcë. Ata u bënë bashkë me autoktonët, dhe kjo është një meritë e veçantë e popullit dibran.
Besa dhe zakoni i fjalës së dhënë jeton ende në egon e dibranëve. Kjo padyshim është një vlerë që pasuron cilësitë që dibranët zotërojnë në portofolin e tyre jetësor dhe që i ndihmon ata të ndihen të sigurt në gjithçka që bëjnë. Dibranët vijnë nga një zonë e bekuar në çdo aspekt, pavarësisht se shumë gjëra nuk janë ashtu siç duhet të ishin.
Të qenurit i suksesshëm nuk nënkupton vetëm personat që kanë një karrierë të pasur, tituj akademikë, apo zotërojnë një kapital financiar. Sigurisht që këta persona meritojnë gjithmonë meritat që kanë, por të qenit i suksesshëm do të thotë të zotërosh cilësitë më të larta njerëzore, të cilat dibrani i ka më së miri.