Qindra qytetarë të Dibrës janë derdhur sot pasdite në bulevardin “Elez Isufi” në Peshkopi. Ato ishin të shumtë në numër por të ndarë për dy qëllime të ndryshme. Disa për të festuar mbylljen me sukses të fushatës zgjedhore dhe disa më vonë po protestojnë kundër egzekutimit të zgjedhjeve lokale të caktuara këtë të djelë, në datën 30 Qershor 2019.
Dibranët mot pas moti janë mbajtur mend për zgjuarësi dhe dashamirësi ndaj njëri tjetrin por fuqitë politike dhe situata e krijuar i detyron ato të ndahen në dy pole, madje edhe të jenë kundështarë të heshtur pavarësisht afrimitetit farefisnor që mund të kenë.
Politika “ndan në dysh” vëllezërit dhe motrat dibranë, të cilët të vjedhurazi duke parë njëri tjetrin përiqen të detyruar nga zori të protestojnë për kryetarët e partive apo të plotësojnë karriget bosh të mitingjeve me frikën e mbijetesës së kësaj situate që absolutisht çdo sekt partiak mban përqindjen e kontributit për katandisjen e vendit në këtë “derexhe”.
Udhëtojnë në një furgon, por ndahen pa u futur në qytet duke u ndarë në dysh pasi kështu e dashka axhenda e eprorëve dhe drejtuesve të sekteve.
Disa përplasin duar dhe bëjnë sikur u besojnë të gjithë fjalëve që medemek mbahen pas 30 Qershorit dhe disa detyrohen të luftojnë me vëllezërit tonë polic dhe duke rënë pre e gazit lotsjellës pa e kuptuar që kjo situatë po e çon vendin në një vëllavrasje.
Situata në vendin tonë fatkeqësisht po përkeqësohet dhe askush nuk po e prish pak interesin personal për të negociuar dhe ndalur këtë tatëpjetë që shkon Shqipëria jonë.