Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka reaguar pas rastit të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, ku një shtetase nga Bulqiza është dhunuar nga bashkëjetuesi i saj, ndërsa punonjësi i Policisë që kontaktoi fillimisht me denoncuesen nuk ka reaguar menjëherë.
Si pasojë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Inspektor D.D., i cili ushtronte detyrën e Ndihmësspecialistit në Zyrën e Informacionit, në Komisariatin e Policisë Bulqizë.
Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH ka nisur një hetim disiplinor për shkelje të rëndë ndaj punonjësit të policisë dhe ndaj gjithë zinxhirit komandues në këtë komisariat, bazuar në nenin 121 të Ligjit 82/2024 për Policinë e Shtetit. Për të siguruar një hetim të plotë, është urdhëruar edhe transferimi i menjëhershëm i punonjësit nga Komisariati i Policisë Bulqizë.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët për denoncimet e rasteve të abuzimit me detyrën dhe i fton të raportojnë çdo paligjshmëri, duke garantuar një reagim të menjëhershëm.