Nermin Delić, është një poet i ri Boshnjak. Ai lindi në korrik të vitit 1995 në Bugojno. Mbaroi shkollën mjekësore në Jajce. Bazuar në aftësitë e lidershipit të pikasura nga Ambasada Amerikane, në moshën 18 vjeçare përfaqësoi Bosnje-Hercegovinën në Shtetet e Bashkuara në ”Programin e Udhëheqjes Rinore” duke punuar kështu me stafin e Barack Obama (Luis Ortega, Ivan Baron). Nermin Delić, është themeluesi i konkursit ballkanik në poezi ”Mili Dueli” (Dueli i ëmbël). Gjithashtu ai është fitues i disa çmimeve letrare dhe autor i disa vëlllimeve me poezi. Prej kohësh është anëtar i Klubit Akademik ”Jajce”.
Nëse do duhej ta përkufizonit poezinë me dy ose tre fjali, çfarë do shkruanit?
Poezia është filozofia më madhështore. Është bash terapi.
Çfarë ndjesie ju jep një poezi e shkruar mirë?
Gjithmonë pres me dalldi të lexoj poezi të mira! Kur shoh që dikush ka shkruar diç origjinale, ndjej një si lumturi. Jam modest, kështu që flas mirë gjithmonë. Poetët duhet të shpallin të pazakonshmen tonë përmes poezisë. Në këtë mënyrë, ata mund t’i rrëfejnë botës se sa e rëndësishëm është të jesh i pazakonshëm.
Po një poezi e shkruar keq?
Të gjithë kemi lindur të talentuar, kësisoj pjesa më e madhe e punës është ushtrim. Poeti mëson vazhdimisht gjatë tërë jetës së vet. Poezia është funksion më i epërm intelektual. Në këtë kuptim poezitë tona nuk kanë të njëjtat vlera. Diku gjetja është i mundur, kështu që unë kqyr elementët që mund të mbesin në mend. Përkundër, diku tjetër, është pothuajse e pamundur, ama askush nuk duhet me t’i pre krahët. Në komentet e mia jam mjaft i sinqertë dhe kjo më ka bërë disi të njohur.
Pse merret një djalë i ri me poezi ditë e sotme?
E them gjithmonë: poezia qe ajo më zgjodhi. Kënaqem kur e shoh veten në botën e letërsisë. Ka shumë sfida, por këtyre sfidave iu bëj ballë më shumë ide.
Po Ballkanin si do ta përkufizonit? A është ballkani një poezi heremetike, zorzshëm e kuptueshme?
Ballkani është kryqëzimi i Lindjes dhe Perëndimit. E vërtetë, ballkanasit janë si një poezi hermetike, e pakuptueshme. Të gjithë jetojnë në botën e tyre, në historinë e tyre. Kombet ngrihen mbi mëkate. Një qenie njerëzore bën kaq shumë gabime në jetë, kështu që mund të imagjinojmë se si një grup njerëzish të quajtur komb bëjnë gjithë ato gabime duke jetuar. Më vjen keq që arsimi është i ulët, mund t’i çelim pak sytë për tolerancë gjë për të cilën, kemi aq shumë nevojë.
Në pikëpamjen e një poeti të ri, si janë marrëdhëniet e artit në Ballkan?
Ndërmjet artistëve të Ballkanit marrëdhëniet ndërkombëtare janë lënë pas dore. ”Dueli i Ëmbël” – një konkursi poezie, qëndron ballaz me poezinë ballkanike dhe i rifreskon realisht këto marrëdhënie. Konkursi është i licencuar dhe unik në llojin e vet, por universal dhe i përshtatshëm për pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të Ballkanit. Suksesi i konkursit tregohet edhe nga popullariteti i madh në mesin e poeteve, më i madhi në Ballkan.
Më vjen keq që në sfera të tjera të jetës njerëzit nuk po punojnë me gjithë zemër ashtu si ne. Ta zëmë, turne e futbolli në Ballkan, në një këndvështrim humanitar, mund të zhvillohen çdo vit dhe kjo mund të ndihmonte shumë në zhvillimin e dialogut ndërkombëtar midis vendeve tona.
Ju prej disa vitesh jeni organizator një konkursi poetik ndërkombëtar, çfarë është ky konkurs? Pse “Dueli i ëmbël”?
Dueli i ëmbël (ose Mili Dueli në gjuhën boshnjake) është një konkurs poetik ballkanik që zhvillohet në Internet. Konkursi synon të lidhë poetët e Ballkanit përmes rrjeteve sociale dhe kështu të mundësojë dialogun ndërkulturor dhe tejkalimin e barrierave të së shkuarës. E themelova unë kur isha 17 vjeç. Që në vitin 2012 dhe deri më tani janë organizuar me sukses 8 sezone. Konkursi ka 5 raunde. Mili Dueli deri më tani ka patur 2,000 autorë dhe 15,000 poezi. Revista më e madhe e biznesit në botë, American Forbes, në një artikull të saj për Mili Duelin, e sheh konkursin si më të njohurit në Ballkan. Hera e fundit që ata kishin shkruanin për atdheun tim, Bosnjën kishte të bënte me vitet e luftës. Pra, Mili Dueli promovon anët pozitive të Ballkanit. Emri i konkursit simbolikisht paraqet një përballje poetësh për të shkruar fjalë të mira.
Si janë prezantur poetët Shqiptarë në këtë konkurs?
Vitin e kaluar, ne morëm aplikimin e parë nga Shqipëria. Për shkak të pengesave gjuhësore, popullariteti i konkursit është rritur më ngadalë në Shqipëri, pasi gjuha boshnjake dhe gjuha shqipe nuk kanë ngjashmëri. Këtë sezon kemi marrë 26 aplikime nga Shqipëria nga gjithsej 739 aplikantë. Kështu, popullariteti i konkursit në Shqipëri po rritet. Aktualisht, rekordin kombëtar për vendosjen më të mirë të Shqipërisë e mban Sarah Isufi (vendi i 4-të). Ajo çka unë vërej duke lexuar poetë tuaj është se Shqipëria ka shumë poetë të talentuar. Këtë sezon, në Mili Dueli 2020, poetë shqiptarë prezantohen në një kategori së bashku me poetë nga Greqia, Kosova, Rumania dhe Sllovenia.
Izet Sarajliç, shkruante poezi nën zhurmën e bombave, ndërkohë sot jemi në një kohë tjetër. A mundet letërsia t’i zbusë diferencat me të shkuarën apo vetëm i thekson ato?
Më vjen mirë që Izet Sarajliç është i njohur në Shqipëri. Letërsia mund t’i bëjë të dyja. Në fakt, letërsia mund të bëjë shumë më tepër nga sa na e rrok mendja. Letërsia e Ballkanit duhet të përqendrohet në të tashmen, sepse ka shumë pasoja nga luftrat kaluara dhe ne duhet të anagazhohemi në këtë. Problemet e së kaluarës duhej të zgjidheshin nga njerëz të asaj kohe. Përndryshe, kurrë nuk do jemi të lumtur dhe në të ardhmen, fëmijëve tanë do iu dalë punë për të zgjidhur keqkuptimet tona.
Poezia lind shumicën e rasteve nga gjendje të trazuara. Si qëndrojnë sipas jush raportet e saj me paqen?
Askush nuk ka nevojë të shkruajë kur gjithçka është perfekte përreth. Njerëzve të lumutur du iu pëlqente më shumë të fotografonin sesa të shkruanin. Të gjithë kur po shijojnë jetën e harrojnë letrën dhe lapsin. Kemi trishtim në gjenet tona ballkanike. Kaq shumë luftëra, kaq shumë familje të pakënaqura … kaq shumë poezi.
Ballkani duket sikur është vendi ku përballen qytetërimet, forcat, fetë, rrymat dhe stilet. A mund të themi se kjo krijon një poezi të madhe?
Ballkani është një nga vendet më tërheqëse në botë dhe natyrisht ka qenë dëshirë për shumë pushtues. Kjo na solli shumë njerëz dhe shumë fe. Tani, në vend që ta shfrytëzojmë këtë si avantazh, ne marrim pozicione diferencuese. Këtu fillojnë të gjitha poezitë tona.
A i prekin poezitë e medha problemet e vogla, ato te perditshmet?
Poetët nuk shkruajnë për të zgjidhur një problem, por për të treguar që ekziston një problem. Shoqëria hesht për shumë të tilla. Poetët i shkruajnë problemet e njerëzve përgjatë historisë. Poezia mund të ngrejë vetëdijen kolektive për problemet me të cilat nuk duam të merremi.
Çfarë mund t’iu thotë një poet i ri boshnjak, poetëve të rijnë?
Duajeni kohën tuaj! Dikush nuk e ka më.
Po të vjetërve?
Duajeni të kaluarën tuaj. Dikush nuk ka të drejtë ta ketë.
Dashuria
Dashuri domethënë
kur ti je
duke bërë një amoksicilinë
sepse
ia dhe asaj
xhaketën
fundjavën që iku.
Shtëpia
Largohem prej shtëpisë për t’u bërë diç.
Lotët bien dhe çdo herë, ime më derdh ujë me ibrik
mbase për t’i larë ato, a mbase veç për të thënë
se lumturia me forcë mund të ngrihet ende.
Po shkoj me mendje se ku jetoj kur largohem…
Shtëpia ime janë flokët e pakrehura të sime mëje,
lulet që harruam në oborr
dhe një në sallon të cilën e bleu për ditëlindje e saj.
Edhe pse e di që shumë shpejt do vyshket,
ajo akoma ia ndërron ujin
(tingëllon sikur ne kurrë nuk harrojmë
po s’ia dole nuk do thotë që s’vlen).
Shtëpia ime është dora e tim eti, ai mur i gjallë
midis meje dhe kozmosit
luftëra të reja dhe burra të moshuar, të plagosur
vepra të këqija të artistëve të famshëm
zemra e gurit dhe tetralogjia Fallot
(njëri kurrë nuk domethënë tjetri).
Në fakt, edhe sytë e sime mëje janë shtëpia ime
ato xhama në të cilat shfaqet jeta
si lulet e egra që naive tunden
ato janë dritare që i shoh
duke ndezur xhepat e qiellit
duke kërkuar Zotin për ta pyetur diçka.
Shtëpia ime është gjithashtu furça e saj e dhëmbëve
një tjetër kujtesë se fjalët mund të lahen
që ne mund ta pastrojmë veten
aq kohë sa kemi dikë t’i tregojmë dhëmbët.
Po shkoj me kokën kthyer pas.
Dritat e jashtme të shtëpisë sonë janë ndezur, i harruam.
s’e harroj dot një natë më parë
kur babai ndizte të njëjtat drita
ata që s’flasin me të mund të mbajnë male.
Është ftohtë, botës i duhet ngrohtësi!
Ai vëren tash nga dritarja gjurmët e mia.
Prej atakut, nuk i lejohet të dal jashmë.
Po të isha një grua, do të qaja, them me vete.
Kalojnë nëpër kokën time …
të gjitha ato buzëqeshje në fotot mbi komo,
të gjithë miqtë e mi të shkollës,
të gjithë ata trofe futbolli që nga rinia e tim eti shkatërruar nga lufta,
të gjitha ato rroba të amvisës së zellshme, sime mëje…
I sjell në mendje dhe përpiqem t’i ringjall
të gjitha ato ngjarje të vdekura si katarsis, hiri në ar
(e kaluara nuk mbahet kurrë me duar).
Shtëpia ime është gjithashtu një protezë e lënë në një qoshe.
Jemi tre, por pesë këmbë.
Ajo këmbë plastike si një medalje e të mbijetuarit nga lufta
duke pritur për nesër, të ec përsëri
dhe për t’i kujtuar se duhet të vazhdojë për aq kohë sa ka nesër.
Disa shënime në tryezë. Një yll pranë emrit tim,
Sikur diç do me thënë.
Po shkoj me mend se ku jetoj kur largohem …
Kam ndërruar vend.
Ende dukem si 22-vjeçari më i vjetër në botë.
Kam ndërruar vend.
Ende shkoj për të ardhur.
Intervistoi dhe përktheu Alban Tufa