Poetin dibran Ahmet Prençi nderohet me çmimin “Esad Mekuli”

0 0
Read Time:2 Minute, 56 Second

“Gazeta e Alpeve” organizoi konkursin “Takim në Plavë-Guci”, në Vuthaj, më 1 gusht 2019, ku merrnin pjesë gazetarë e publicistë, studiues, poetë e shkrimtarë, veprimtarë atdhetarë, politik e kulturor, personalitete të fushave të ndryshme shqiptare nga  Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Sanxhaku Shqiptar, nga diasporat shqiptare në Amerikë, Europë, etj.

Me Çmimin e lartë “Esad Mekuli” u nderua poeti e publicisti, veprimtari atdhetar e kulturor, Ahmet Prençi” me këtë motivacion: “Për librin e tij poetik “Udhë në pasqyrë” (Botimet M & B. Tiranë, 2016), i cili është një arritje e autorit dhe  i mirëpritur nga kritika letrare elitare e masmedia të shumta panshqiptare; për angazhimet e tij poetike, me shkrime letrare, në veprimtari të ndryshme të botës akademike, letrare e gazetarisë; për shkrimet e tij në Botimet Tropoja”.

Çmimin e lartë “Esad Mekuli” ia dorëzoi doktori i shkencave psikologjike e pedagogu universitar Jashar Demiri.

Esad Mekuli (1916-1993), i nokshiqas, i lindur në Plavë, banoi në Prishtinë, renditet ndër personalitetet ma të shquara të Kosovës e Shqiptarisë, me veprimtari letrare, shkencore, publicistike, politike, etj. Ai gjatë Luftës së Dytë Botërore u burgos dy herë për idetë e qëndrimet e tij atdhetare politike kombëtare. Në vitin 1949 e themeloi revistën letrare “Jeta e Re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën më 1959, u mor me punime akademike, ishte nismëtari, themeluesi e kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës (1975-’79). Gjithashtu ka qënë dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Njihet e vlerësohet shumë si poet, autor i disa librave poetik, që ka hyrë në shumë antologji poetike botërore, ka marrë çmime etj. Veprimtaria e tij është e madhe dhe në fushën e gazetarisë e publicistikës, si përkthyes nga shqip në gjuhë të huaja e nga gjuhët e huaja në shqip, etj.

Poeti e publicisti Ahmet Prençi  falenderoi për dhënien e Çmimit “Esad Mekuli” në vendlindjen e këtij personaliteti të shquar të Letrave Shqipe, poet, publicist, shkrimtar, akademik, etj.

Në “Takimin e Plavë-Gucisë” te “Krojet” në Vuthaj, folën e sollën përshendetjet e tyre edhe atdhetari e veprimtari kulturor Besnik Paci i Derës e Trungut familjar të Gjergj Fishtës së Madh, i nderuar me Çmimin “Agim Ramadani”; Binak Ulaj i Vuthaje- veprimtari atdhetar, ish i burgosur politik i rregjimit jugosllav, gazetari i njohur në Prishtinë e Kosovë; historiani Paulin Z. Zefi–drejtues i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore (Muzeu & Memoriali i Skënderbeut) në Bashkinë e Lezhës; veprimtarët atdhetar, kulturor e humanitar Esad Gjonbalaj-ish president i FPG në Amerikë e Hilmi Gashi i Drenicës me banim në Gjermani, etj. Pati dhe këngë e recitime.

Në përfundim të “Takimit të Plavë-Gucisë”, te “Krojet” në Vuthaj, mbajti fjalë përmbyllëse gazetari, poeti e studiuesi Ramiz Lushaj–kryeredaktor i Gazetës së Alpeve dhe drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë.

“Gazeta e Alpeve” është pjesë e “Botimet Tropoja” dhe e Portalit Kombëtar Limit. Al, është gazetë rajonale ndërballkanike në hapësirat alpine në Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Sanxhak, me tematika e shtrirje etno-historike-gjeografike përgjatë brigjeve të Valbonës, Drinit, Moraçës, Limit e Ibrit.

“Takimi i Plavë-Gucisë” u ndoq nga disa masmedia si “Zëri i Amerikës” (VOA), Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), gazeta print/online “Bota Sot” në Zvicër e Prishtinë, Portali Kombëtar Limit.al në Tiranë, etj.

“Gazeta e Alpeve” do të organizojë një Takim tjetër në Tiranë, më 12 shtator 2019, në 1-vjetorin e themelimit të saj, të botimit të numrit të parë të saj.

Burimi: Botasot.info

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %