Pilafët e Klosit

0 0
Read Time:4 Minute, 38 Second

Nga: Samet Zagradi

Fadil Hallmadhit i bie mendja me u nis e me pa vëllaznit e motrat që prej disa vitesh me familjet e tyre për një jetë ma të mirë, kanë ik me jetu në Durrës e në Tiranë. U bë kohë pa i pa dhe ishin mbledhë disa sebepe e me patjetër duhet me shku. Ora 8-të e mas darkes dhe gruaja e Fadilit përfundoi me pregatitjen për udhëtimin e nesërm, ndërsa vetë Fadili sapo mbylli telefonatën me shoferin që në shtatë nisej prej stacioni. Ai siguroi dy vënde, ndërkohë gruaja e tij mbylli çantat me qepë, patate, gjizë, tlyen e me zahiretë që duhet me i çu tek të afërmit e tyre.

Ora 6 pa njëzetë e pesë dhe Fadili me gruen e tij u gjendën mu para stacionit. Pas një kafeje, gotë rakie dhe nga një kokër makine zunë vend në dyshen e tretë të një furgoni 20 vendesh ngjyrë gri. Për pesë minuta furgoni niset. I ftohti i ditëve të fundmarsit nuk ka penguar dëshirën për me udhëtu. Dikush për hall, dikush për qejf e dikush si vetë Fadil Haĺlmadhi duhet me shku me la disa sebepe.

Furgoni pa kalu Dobrovën akoma, krejt sediljet u plotësuan me njerëz t’gjinive e t’moshave të ndryshme. Muzika e lartë shoqërohej në kombinim perfekt me lëvizjet e duerve të shoferit trupgjatë e të hijshëm që me plot dëshirë u shpjegon dy vajzave studenteve që shteti po u merr shpirtin me taksat që vendos. “Nuk ja vlen më!”,- shfryn i inatosur mbi timon e makinës së tij. Mas shoferit dy gra gati të përgjumura mbanin në prehër çantat dhe pas tyre tri studente që gjatë gjithë rrugës me kufje n’vesh e kryet n’telefon. “A thu edhe ajo e jona rri kshu oj grue?”,- u afru afër veshit të saj duke pëshpëritur Fadili që shtrëngon mëngët e xhaketës e turinjtë shtremërohen, teksa shikon me përçmim tri shoqet që pa e prish fare terezinë vazhdonin qejfet e tyre.

Furgoni gri vazhdon të çajë përmes rrugës që qindra herë e ka bërë. Gropë mas grope rruga nuk soset. Muzikat që u numërohen e s’u kuptohen fjalët përzihen me diskutime të zjarrta rreth Rrugës së Arbërit dhe ngjarjeve javën e fundit në parlament. Me pikëllim Fadili argumeton që ndihma ekonomike nuk duhej hequr dhe ku ndoshta për herë të parë në atë udhëtim ranë dakord të gjithë udhëtarët të ulur pas dyshes së tretë.

Pas dy orësh furgoni në dukje i lodhur ndalon mu përpara një godine me një derë dhe shkallë që të ngjisnin deri brënda. Dera-shinë e komanduar e furgonit gri u hap e prej saj dolen studentet, gruaja, Fadili e shumë bashkëudhëtarë të lodhur që me mund erdhën deri aty. Qëndruan disa çaste, u qetësuan dhe u drejtuan drejt shigjetës ku më shkronja të mëdha shkruhej WC. Të them të drejtën vetë banjo nuk mund të quhet, me dyer të pa sigurta, uji i bollshëm që rrjedh nën këmbët tua dhe një erë që pas furgonit ndihmon të trazojë stomakun. E pas rojes tek dera e WC së grave Fadili bashkë me gruan e tij drejtohen drejt atyre shkallëve që të çojnë drejt pushimit të këtij udhëtimi. Një tavolinë e vetme e lënë bosh zu vend gruaja dhe Fadili, i cili teksa po fërkonte duart pëshpëriti si ndërvete:

– “Ça të marrim?”

– “Dy pilaf me vezë dhe kos…”,- gruaja i flet me një zë më të lartë kamarierit që rrëmbimthi akoma pa sosur fjalën zonja sjell pjatat dhe i përplas mbi tryezë. Turinjtë e gruas dhe të shoqit të saj u rrudhën nga sjellja e pakëndëshme e tij. Ftohtë koha, ambjenti në lokal, ftohtë sjellja dhe pilafi me vezë aq i ftohtë, saqë dy bashkëshortët nuk donin as të tentonin ta provonin.

Minutat e pushimit mbaruan, njerëzit paguan paret e si në koshere mblidhen në furgon. Shija e hidhur e pilafit të Klosit ndihej akoma ndihej tek të gjithë udhëtarët. Asnjë nuk fliste, as shoferi, as vajzat, as të moshuarit, as gruaja, madje qetësi kishte rënë edhe ai tipi që gjithnjë kishte një mendim. Qetësinë e prishte vetëm uturima e motorrit të furgonit gri që vazhdonte rutinën e çdo dite.

Brenda gjindej Fadili që me shijen e hidhur të pilafit të ftohtē buzëqesh herë pas here, teksa mendon që do shikojë njerëzit e tij kaq të dashur që prej kohe kan ik nga qyteti tyne.

Qeset që mbushen me të vjellat e dala nga stomaku i trazuar filluan të rralloheshin duke i lënë rradhën gjumit të trazuar nga momenti në moment. Furgoni gri ecte pa pushim. Gropat, kthesat e shumta që shqetësonin prej tri orësh duket sikur u rralluan. Furgoni bie në qetësi, në rrugë më t’mirë e njerëzit sikur ngrohen e nisin të flasin. Autostrada filloi e mbaroi me bisedën tashmë më të qetë sërish për Rrugën e Arbërit dhe çfarë do zgjidhte ajo në qoftë se do bëhej. Motorri i furgonit u fik, e kësaj radhe u fik për të mos udhëtuar më tej. Lodhja duket tek të gjithë, teksa vihen në rresht pë të shlyer detyrimet ndaj furgonit gri dhe shoferit trupgjatë e të hijshëm.

Çantat e rënda si hallet e çdo dibrani e shqiptari, të zonjës dhe zotit Fadil me vështirësi vendosen në një benz po gri ashtu siç kjo ditë ishte. Më pas një përqafim i sinqertë nga një i ri, që sipas fjalëve të zonjës ishte nipi i të shoqit dukej sikur u zbut ajo ftohtësi e mëngjesit n’Dibër dhe e pilafit të Klosit që akoma mban shijen e hidhur në gojët e tyre

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %