Nga: Klodiana Kapo
E rrisim për derë të huej! Kështu m’u përgjigj nëna e Anës 12 vjeçare kur e pyeta pse vajza nuk po ulej. Sapo kishim bujt në shtëpinë e saj dhe jashtë kishte nisur të errej. Dhoma ishte e ngrohtë ndërsa dyshemeja e cila mbulohej nga një tapet që i kishin dalë ngjyrat ishte i akullt. Ishte ftohtë dhe fëmijët preferonin të qëndronin sa më pranë sobës së drurit. Gruaja e shtëpisë mblodhi me shpejtësi tryezën e bukës. Kishim ardhur në një kohë të papërshtatshme. Por të zotët e shtëpisë nuk e prishën zemrën. Nëna dhe dy djemtë e vegjël u ulën në njerin divan, pranë nesh. Burri dhe vëllai i tij në anën tjetër. Pasi na pyetën me rradhë si ishim, dhe a ishim lodhur në dhomë hyri vajza e madhe e shtëpisë Ana. 12 vjeçarja kishte një fshesë të vogël në dorë, dhe me shpejtësi u ul për të pastruar nën këmbët tona thërrimet e mbetura të bukës. Sa hap e mbyll sytë ajo pastroi tapetin dhe u zhvendos pranë sobës së drurit, për të futur një kërcu druri. U largua dhe pas pak minutash u duk në derë me një tas me karamele dhe një limonatë për të na qerasur, ne miqtë e paftuar. Pasi kreu nderimet me rradhë dhe qerasi edhe dy vëllezërit e saj më të vegjël, ajo qëndroi sërisht në krah të sobës, në këmbë aty ku dremiste e qetë një mace e bardhë. Sa fëmijë ke?- e pyes gruan e shtëpisë.
Pesë, tre cuca e kta dy voca. Një e kam të martuar, një tek vllahu dhe në shtëpi kam Anën e dy vocat.
Ana nuk i ngrinte sytë. Duart i shtëngonte e nuk dinte nga t’i fuste prej sikleti.
Pse e lodh kaq shumë gocën? – e pyes mbase edhe duke e tepruar pak.
Eh, thotë nëna po e përgatis për derë të huej. Në këtë çast ndërhyn xhaxhai i cili bashkë me të vëllanë përdrodhën mustaqetet. Ana këtu është në derë të huej. Tek burri është në derë të vet.
Askush nuk foli. As nëna, as Ana, as ne.
Kërkuam leje dhe u çuam. I fola Anës, i afrova ta përqafoja. Por ajo smë degjoi, smë pa. Sytë i mbante poshtë. E preka. M’u hodh në krah ndërsa më dukej se tërë kohës pickonte veten me siklet.
Ana më trishtoi.
E takova pasi kisha takuar tre gra që kishin zgjedhur të ishin të forta, të mos u besonin lotëve, të luftonin. Por dhimbja po i linte vraga të mëdha, në shpirt dhe në trup. Ato i ishin nënshtruar mentalitetit të nënave dhe baballarëve të tyre. Ishin dhënë në derë të vet. Aida 38 vjeç po luftonte e vetme të rriste tre fëmijët që burri i saj kishte pasur në martesën e parë, dhe po përpiqej me forcë të gjente zgjidhje për djalin e saj pesë vjeçar i cili kishte lindur me disa sëmundje dhe askush nuk i jep shpresë. Bashkëshorti i saj jeton në Greqi dhe asaj i duhet jo vetëm të kujdeset por edhe të ushqejë katër fëmijë. Kur ne ikëm, mes lotësh Aida tha: “Do të ishte më mirë të isha bërë nënë pa patur në krah një burrë. Por Aida nuk është e vetmja. Valentina ështënjë tjetër grua, që na besoi një pjesë të jetës së saj. Ajo ishte mbartuar me mblesëri në moshën 19 vjeçare. Ishte bërë nënë e një vajze dhe një djali i cili lindi me probleme të mëdha shëndetësore. Bashkëshorti e braktisi dhe vjehrra e nxorri nga shtëpia. Tani ajo jetonte në një hapësirë prej 2 metër katror tek shtëpia e babait të saj. Ajo me vajzën kujdeset 24 orë në 24 për djalin.Ai nuk ecën. Nuk mund të ushqehet vet dhe nuk flet. Kur ky fëmijë të eci e gjithë Shqipëria do të jetë e imja thotë Valentina. Ju më shihni në dy metra katror por mua më duket vilë, duke patur parasysh se çfarë kam kaluar në shtëpinë e burrit. Ndërsa Zarja, një tjetër grua na tha se përveç varfërisë, sëmundjes duhet të durojë dhe pranojë edhe dhunën që burri ushtron ndaj saj dhe femijëve. Nënat në disa zona të Dibrës trishtohen kur lindin vajza. Ato i shohin me dhimbje se kanë frikë se ato do të nëpërkëmben, përbuzen, shfrytëzohen dhe dhunohen.
Dhe cikli vijon. Këto vajza bëhen gra, nëna që ndëshkojnë vajzat e tyre pa patur forcë të ndryshojnë.
Sa do të doja që Ana, të kishte mundësi të bisedonte me ne, të fliste për ëndrrat e saj, të ulej me kokën lart në divanet e shtëpisë dhe të bisedonim për shoqet e saj të klasës, apo se çfarë do të donte të bëhej kur të rritej,
Do të doja që Ana të ndihej e barabartë me vellezërit e saj, dhe ta ndjente se ajo derë do të ishte gjithnjë e hapur dhe e ngrohtë për të.