Një 50-vjeçar nga Dibra ka humbur kontaktet e tij me familjarët që nga pasditja e djeshme.
Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet T. Xh., i cili sipas banorëve që kanë denoncuar në Polici rastin, mësohet se për herën e fundit të jetë parë në fshatin Fushë-Alie, në vendin e njohur si Rrethas duke peshkuar buzë lumit Drini i Zi.
Pas këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur Shërbimet e Komisariatit Policor të Dibrës dhe forcat ‘Shqiponja’, të cilat kanë nisur kërkimet. Mbrëmjen e djeshme kërkimet janë ndërprerë për shkak të errësirës, ndërkohë që sot pritet të rifillojnë.
Njoftimi i Policisë:
Dibër/informacion paraprak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, rreth orës 19.00, janë njoftuar nga disa banorë të fshatit Fushë-Alie, ku kërkonin ndihmën e policisë pasi shtetasi T. Xh., rreth 50 vjeç, prej orëve të mbasdites ka humbur kontaktet dhe nuk është kthyer në banesë. Nga deklarimet paraprake të disa prej banorëve, rezulton se e kanë parë shtetasin T. Xh., në vendin e quajtur ‘Rrethas’, buzë lumit Drini i Zi, dyshohet duke peshkuar dhe më pas nuk kanë parë më. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër dhe forcat ‘Shqiponja’, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Aktualisht kërkimet janë ndërprerë për shkak të errësirës dhe do të rifillojnë përsëri në orët e para të mëngjesit. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.