Xhuliano Skuka është një nga rastet e rralla të viteve të fundit kur Partizani ka goditur drejt e në shenjë për gjetjen e një sulmuesi. Të kuqtë vuajtën shumë për një pikë referimi në majën e ofensivës dhe më në fund duket se e gjetën, më saktë ua dhuroi Dinamo. 23-vjeçari la blutë pas disa muajsh dhe firmosi për dy vite me Partizanin, ku gjeti habitatin e duhur për të shpërthyer duke u bërë një pikë referimi në majën e ofensivës së “demave”.
KUSH ËSHTË XHULIANO? – Xhuli, siç e thërrasin familjarët, është një djalosh i lindur në një zonë ku futbollin nuk e kanë kryefjalë, megjithëse e pëlqejnë mjaft, pikërisht në Maqellarë të Dibrës. Gjithsesi, fëmijëria e të riut nuk do të përqendrohej vetëm në provincën veriore të vendit tonë.
Babai i tij la Shqipërinë dhe shkoi në Francë si emigrant duke marrë edhe familjen me vete. Pikërisht atje nisi edhe rrugëtimi i Skukës drejt futbollit. Në moshën 11- vjeçare ai regjistrohet në një nga akademitë e qytetit të Lionit dhe nis të stërvitet rregullisht e ta dashurojë akoma më shumë lojën e tij të preferuar dhe pasionin më të madh.
Djaloshi vazhdon të stërvitet dhe dalëngadalë ëndrra për t’u bërë një futbollist profesionist nis të kthehet në një objektiv të arritshëm.
Pas shtatë vitesh në Francë, Skuka arrin të plotësojë dëshirën e tij për të luajtur si profesionist dhe këtë mundësi ia jep qyteti i tij i lindjes, Dibra.
Rreth vitit 2017, kur ishte 18 vjeç, Skuka kthehet në Dibër bashkë me pasaportën franceze si aset i rëndësishëm dhe firmos me Korabin, ku shpejt arrin të spikasë e të fitojë besimin e klubit dhe të trajnerëve atje.
Nëse në sezonin e parë, për shkak të moshës e ambientimit nuk luan shumë, në të dytin arrin të zërë vendin e titullarit e të shënojë 11 gola.
Kjo ecuri vazhdon edhe një sezon më pas, kur shënon 12 rrjeta dhe në edicionin e shkuar shënoi 14 herë e u bë golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë.
Forma e mirë në Dibër u shpërblye me interesin e skuadrave të Superiores dhe në verë firmosi me Dinamon. Më pas historia dihet…
SKUKA SI MËSIM – Firma me djaloshin nga Dibra duhet të shërbejë pa dyshim si mësim për Partizanin se emri i madh i lojtarëve që vijnë nuk është kriteri i vetëm që duhet parë. Të kuqtë në këto vite kanë sjellë sulmues pa fund, që pastaj rezultuan të jenë dështime të mëdha sportive, por edhe plagë të thella financiare.
Partizani, që nga viti 2013 kur u kthye në Superiore, regjistron disa dështime, nga Edgar Çani e deri te Braun e Solomon së fundmi.
Skuka me siguri merr shumë më pak para se lista në krah të fotos së tij, por po bën atë që askush prej tyre nuk arriti dhe iu desh të largoheshin me hijen e rëndë të dështimit.