Partizani po kërkon gjatë gjithë verës për lojtarë në repartin e sulmit, me alternativat e tregut, që janë shumë të pakta. Megjithatë, mund të themi se drejtuesit e kanë fjetur mendjen për qendrën, ku ndoshta do të nevojitet vetëm ndonjë alternativë.
Xhuliano Skuka u largua nga Dinamo në janar, këta të fundit zgjodhën të mbanin Çinedunë dhe Rexhinaldon. “Demat” e nuhatën shpejt situatën dhe nisën menjëherë tratativat për të firmosur me 24- vjeçarin nga Maqellara e Dibrës.
Sulmuesi i rritur si futbollist në Francë e i kthyer në moshën 18-vjeçare te Korabi, ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si profesionist, erdhi me motivimin në maksimum për të bërë mirë e për t’i treguar Dinamos se bëri zgjedhjen e gabuar.
Debuton me Egnatian e po në të njëjtën ndeshje shënon edhe golin e parë dhe jep sinjale pozitive. Më pas golat vijnë në mënyrë të rrjedhshme, teksa hakmarrja ndaj Dinamos vjen shpejt.
Goli i tij e fundos “nëndetësen” në garën për Kupën e Shqipërisë. Në fund të sezonit Skuka e mbyll me 10 gola në Kupë dhe kampionat, shifra që shumë pak ish-numra 9 të Partizanit në vitet e fundit kishin arritur t’i regjistronin. Bën një “gabim”, e gozhdon Mirosavljevin e ardhur me bujë në stol deri në fund të sezonit.
MOMENTI I TIJ – Lojtari i madh nuk duket në vetëm gjashtë muaj dhe Skuka e di mirë këtë. Pas një “frenimi” për sa u përket golave në Europë, me nisjen e kampionatit, nis një epokë vendimtare për karrierën e dibranit.