OSMAN LAMI, NJË JETË NË SHËRBIM TË ISLAMIT

0 0
Read Time:5 Minute, 47 Second

Osman Osman Lami u lind e u rrit jetim që në ditën e parë të jetës më 15 mars 1919 në fshatin Cerjan të Dibrës. Babai i tij Osmani , hoxhë i fshatit, u vra në tetor të vitit 1918 bashkë me 18 fshatarë të tjerë nga shovinistët serb, duke e lënë djalin e tij në bark të nënës, 4 muajsh. Nëna e tij lehonë, Bidja, vajzë e Abas Shahut nga Bellova, i la djalit të porsalindur emrin e burrit të vrarë para 5 muajsh.

Në ato kohë ishte zakon që nuset e reja që ngelnin të veja të mos i nxirrnin nga shtëpia apo fisi. Meqë imam Osmani s’kishte vëlla, nusen e tij të re e mori për grua kushriri I tij, Ismaili, vëllai i madh i Vebi Lamit. Bidja, nëna e Osmanit, e mori me vete djalin e saj të vogël dhe e rriti deri në moshen 12 vjeçare në shtëpinë e burrit të saj të dytë. Bidja e rimartuar lindi më pas dhe 6 vajza me Ismailin , dy nga të cilat vdiqën në moshë të njomë.

Osmani i ri, kaloi një fëmijëri e rini plot vuajtje dhe vështirësi .Në moshën 13 vjëçare mbaron shkollën fillore në Bellove bashkë me shumë moshatarë të tij duke pasur si mesues arsimtarët e nderuar Abdulla Bazhdarin nga Dibra e Madhe, Sejdi Vishkan nga Elbasani dhe Mislim Shehun nga Peshkopia.

Edhe pse me pak libra të vjetër e mjete shkollore të pakta, Osmani e mbaroi shkollën fillore të Bellovës, e vetmja shkollë në 4 fshatrat e zonës, me rezultate të shkëlqyera. Fill pas mbarimit të kësaj shkolle, Osmani jeton e punon për 6 muaj rrjesht te gjyshi i tij, Abas Shahu, në Bellovë dhe nga fillimi i vitit 1933 zbret në qytetin e Peshkopisë ku punon si çirak te një dyqan ëmbeisirash me pronar bashkfshatarin e tij Ferik Paci. Pasi qendroi 2 vjet çirak, Osmani i ri mori zanatin e pastiçierit dhe u bë i zoti të administrojë vetë këtë dyqan, ku gatuheshin e tregtoheshin ëmbëlsira të ndryshme.

Problemi ishte: të nxirrej buka e gojës dhe të siguroheshin ca të ardhura për të ardhmen e jetës së tij e varur plotësisht nga puna e krahëve të tij. Gjatë viteve ‘30 të shekullit të kaluar, Osmani punoi në këtë dyqan me një shok tjetër nga Bellova, i quajtur Qamil Sela .

Me këtë zanat, Osmani, u rrit e u burrnua deri në fundin e vitit 1946. Gjatë kohës që Osmani punonte në dyqanin e tij, gjate viteve 1935- 1940, ndoqi kursin fetar për imam xhamie pranë e Hafuz Sabri Kodrës në Peshkopi, per te ecur kështu në gjurmët e babait të tij të vrarë. Këtë kurs e bënte çdo ditë pasdite nga një orë, ku mësoi të lexonte e të shkruante arabisht, si dhe suret e ajetet e kuranit, bazamenti ifesë islame. Osmani pasi mësoi mirë arabishten dhe bazat e fesë islame u vu vetë në rolin e mesuesit. Këtë gjuhë të bukur dhe mesimin e fesë islame ai filloi tua mësonte të rinjve të tjerë.

Kështu tek Osmani kanë marrë mesimet e para të fesë islame Pijazit Tafa, e të tjerë. Gjatë viteve të luftës NCL, që nga viti 1942, Komiteti Musliman e caktoi Osmanin imam në fshatin Bugjunec për muajt e ramazanit, krahas punës së përditshme që bënte në dyqanin e tij.


Jeta e Osmanit është karakterizuar gjithmonë nga dashuria dhe etja për dhe përhapjen në popull të fesë islame, nga ndershmëria e humanizmi njerëzor për të sherbyer e ndihmuar njerëzit pa kursim e në çdo kohë, natë e ditë, pa dallim feje e kombësie. Këtë e tregon dhe gjesti i tij human kur në vjeshtën e 1943, pas kapitullimit të Italise fashiste, ai strehoi e mbajti me bukë në dyqanin e tij për 6 muaj rrjesht një n/officer Italian me emrin Morini nga Bolonja e Italisë.  Për fjetje Osmani stehonte në dyqanin e tij çdo natë dhe 2 ushtarë të tjerë italiane .

Pas çlirimit të vendit, në vitin 1946, Osmani ngjitet në fshatin e tij të lindjes, tashmë i rritur e i burrnuar dhe ndërton shtëpi të re për vetë e familjen e tij të ardhshmë. Dyqanin në Peshkopi ja shiti nipit të tij, Hebip Haka. Në vitin 1947 Osmani martohet me një vajzë nga fshati Zimur, krijon familjen e tij të re. Që nga ky vit nis jetën e tij familjare si bujk pranë tokës së tij, por dhe si imam në fshatin e tij të lindjes, ku shërbeu plot 20 vjet deri në vitin 1967, kur regjimi i kohës nderpreu çdo aktivitet fetar dhe mbylli kisha e xhamia. Gjate viteve që Osmani shërbeu si hoxhë në Cerjan lindi dhe rriti 8 fëmijë: 5 vajza e 3 djem të cilët gëzojnë shëndet të plotë dhe secili nga ata ka krijuar familjen e tij .


Gjatë kohës që shërbeu si hoxhë në fshat, Osmani plotësoi e formoi më tej personalitetin dhe karakterin e tij burrëror si njëri i urte e i mençur, punëtor i palodhur, njeri me horizont e kulturë. Osmani me punën e tij si hoxhë dhe sjelljet e tij njerëzore, fitoi besimin e respektin e bashkëfshatarëve të tij. Një aspekt i veçantë i jetës së Osmanit është dhe puna e tij e palodhur për përhapjen e dritës islame ndër fshatarë, por dhe mësimin e të rinjve të lexojnë e të shkruajnë shqip.

Në vitet 1946 e 1948 Osmani caktohet si mësues nga shteti në kurset kunder analfabetizmit në fshatin e tij të lindjes. Kursi kundër analfabetizmit zgjati në fshat 3-4 vjet. Në çdo vit shkollor ai mësonte nga 20 të rinj e te reja të lexonin e të shkruanin në gjuhen amtare. Në vitin 1947 hapet për herë të parë në Cerjan shkolla fillore. Mësuesit e ardhur nga rrethe të tjera të vendit e konsideronin Osmanin 28-30 vjecar si shok e koleg pune me të cilin shkëmbenin mendime e përvojë pune në mesimin e femijeve. Në vitin 1950 Osmanit i erdhi dekreti nga Komiteti Musliman për ushtrimin e aktivitetit të tij fetar si imam fshati. Pas vitit 1967 kur shteti komunist nderpreu cdo aktivitet fetar .Osmani s’e ndërpreu aktivitetin e tij në shërbim të fesë dhe të njerëzve besimtarë. Ai punonte në mënyrë ilegale e nuk nguronte t’ u shërbente njerëzve për të kryer ritet fetare në morte e dasma. Edhe pas vitit 1990 kur u lejua të ushtrohet feja, Osmani vazhdoi ta ushtronte në mënyrë legale si hoxhe në fshat edhe pse i kishte kaluar te shtatëdhjetat. Këtë detyrë, ai e kreu deri në vitin 1996, kur zbriti me banim në qytetin e Peshkopisë.

Edhe në Peshkopi, aui nuk pertoi, as nuk ngurroi t’u shërbente njerëzve në çdo kohë. Ai vdiq i nderuar e i respektuar nga besimtarët muslimanë në gusht të 2005, në moshën 86 vjeçare. Le të sherbeje ky shkrim për jetën e Osman Lamit si homazh për jetën e tij në sherbim të islamit .

Shkroi Besnik Lami

Nëntor 2005

Marrë nga https://www.facebook.com/XhamiaPeshkopia

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %