Njihuni me një nga bukurite e Lurës, Liqenin e Luleve

1 0
Read Time:2 Minute, 58 Second

Peshkopi – Liqeni i Luleve ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës, në lartësine mbi 1600 metra të malit të Kurores së Lurës.

Liqeni përbëhet nga uji i pastër si kristali, i ftohtë dhe ka një sipërfaqe prej 4 hektarësh.

Bota ujore është shumë e larmishme, ka nje shumllojshmëri gjallesash duke formuar kështu një ekosistem.

Ajo që e dallon këtë liqen është zambaku i bardhë, i cili çel në muajin qershor, duke e transformuar kështu liqenin në një lulishte te mrekullueshme.

Këta zambakë, sipas një legjende, jane gratë e mbytura në kohën e luftës nga pushtimi i Perandorisë Osmane.

Sipas legjendës, Sulltani jepte urdhër që gratë e plagosura dhe të zëna rob të mbyteshin në një nga liqenet e Lurës dhe pas çdo mbytjeje në mëngjes mbinte një zambak i ri.

Këta zambakë çelin në mëngjes dhe mbyllen në darkë, ose nëse dikush tenton ti kepusë.

Si rrjedhojë e këtyre zambakëve të mrekullueshëm, liqenit i ka mbetur emri ‘Liqeni i luleve’.

Lexoni dhe mësoni më shumë:

Territori i parkut të Lurës është shumë i thyer nga një radhë përrenjsh malorë ku më të njohurit janë Seta, Uraka dhe Malla e Lurës.

Parku Kombëtar i Lurës shtrihet përreth malit ‘Kurona e Lurës’, i cili është 2,121 metra mbi nivelin e detit.

Pylli i Lurës përbëhet nga drurë gjethorë e halorë. Përhapjen më të madhe e ka ahu, që formon pyje të dendura me një shtrirje deri në lartësinë 1,600–1,700 m. Mbi ahun rritet rrobulli, pisha e zezë dhe pisha e bardhë.

Më tej mbi lartësinë 1,700 m rritet arneni i zi dhe arneni i bardhë.

Bukuri e kësaj zone janë edhe liqenet e saj. Gjithsej në këtë në të ndodhen 12 liqene, që në gjithë Shqipërinë njihen si, Liqenet e Lurës.

Liqenet e Lurës janë liqene akullnajore. Malet e Lurës kane drejtim veri-jug. Malet e Lurës ngrihen ne 2250 m.

Ndër to përmendim Liqenin e Madh, Liqenin e Zi, Liqenin e Lopëve, Liqenin e Luleve, etj.

Liqenet shtrihen ne shpatin lindor, në pragun e Nezhdës së Lurës. Rol në formimin dhe ruajtjen e këtyre liqeneve ka luajtur pozicioni i tyre në shpatin Lindor.

Mbi liqene rritet një bimësi ‘higrofile’, siç është zambaku i ujit me lulet e bardha të mëdha, të cilat në verë pushtojnë gjithë sipërfaqen e tyre duke u dhënë një bukuri të rrallë.

Vlerat botanike dhe ekologjike të parkut pyjor të Lurës lidhen si me pasurinë, shumëllojshmërinë dhe vjetërsinë e drurëve, shumë prej të cilave kanë moshë shekullore, ashtu edhe me liqenet akullnajore, që janë nga më të bukurit e Shqipërisë me relievin e thyer e të larmishëm.

Kafshët karakteristike të parkut të Lurës:

Ariu i murmë është kafsha grabitqare gjitare më e madhe e vendit (arrin 2 metra gjatësi, 1 metër lartësi dhe ka një peshë prej 180–200 kg).

Rrëqebulli është kafshë grabitqare i cili rritet deri në 1 metër gjatësi, me gëzof shumë të bukur lara-lara dhe të kushtueshëm.

Zardafi është kafshë grabitqare e ngjashme me shqarthin, por me trup më të madh dhe gezof të çmueshëm dhe ngjyrë kafe të thellë. Gjendet me shumicë në Lur.

Kaprolli ose sorkadhja, është një gjitar ripërtypës dythundrak i familjes së drerëve, me trup elegant 60–70 cm të lartë, deri 130 cm i gjatë dhe me një peshë 15–25 kg. Mashkulli ka brirë të degëzuar kurse femra nuk ka brirë.

Gjeli i egër është shpendi më i madh i familjes së fazanëve por mjaft i rrallë. Jeton në gjithë zonat kodrinore e malore të Evropës, po ashtu edhe në Lurë. /bulqiza.info/

Happy
Happy
50 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
50 %