Një udhëtim në Llixhat e Dibrës

0 0
Read Time:5 Minute, 31 Second

Gjithnjë e më shumë, turizmi po shndërrohet në një nga burimet kryesore që do të gjenerojë të ardhura për ekonominë shqiptare. Ky sektor është ngjitur në vendet e para të klasifikimit për sa u përket prurjeve valutore në ekonominë vendase nga jashtë, duke ardhur direkt pas eksporteve dhe duke ia kaluar dërgesave të emigrantëve dhe të ardhurave që futen nga investimet direkte, duke u shndërruar në një burim madhor të ardhurash dhe punësimi.

Megjithatë, turizmi mbetet larg të qenët i qëndrueshëm, teksa të hyrat nga ky zë kanë shënuar rënie vitet e fundit, ndërsa dhe shpenzimet e shqiptarëve për të dalë jashtë janë pothuajse sa të hyrat nga turizmi.

monitor 634.indd
monitor 634.indd

Organizata Botërore e Turizmit i ka sugjeruar Shqipërisë të mbështesë zhvillimin e turizmit (aktualisht spontan), me strategji të qarta e shumëllojshmëri shërbimesh, që do të rrisnin të ardhurat nga ky sektor.

Veç bukurive përrallore për zhvillimin e turizmit malor e detar, natyra e ka bekuar këtë vend edhe me ujëra termale me veti të rralla kurative, pasuri kjo e jashtëzakonshme për turizmin shëndetësor. Janë të përmendura në Shqipëri qendrat banleare në Peshkopi, Elbasan, Fushë-Krujë, Leskovik, Përmet etj.

Një rrugëtim në Qendrën Banleare të Peshkopisë

Sa kalon Qafën e Buallit dhe futesh në segmentin e përfunduar të Rrugës së Arbrit (Bulqizë – Shupenzë), përpara të shfaqen madhështore me bukuri mahnitëse vargmalet e Korabit, dhe në të majtë vargmalet e Dejës, Kurorës dhe Lurës. (Rruga është e përmirësuar dhe nga Maçellara në Peshkopi është tërësisht e re). Në Dobrovë shfaqet Hoteli i parë, që u shërben turistëve shëndetësorë dhe në të djathtë, vetëm 1.2 kilometra nga qendra e Peshkopisë, të shfaqen dhjetëra hotele dhe vila private të ndërtuara në mes të një gjelbërimi përrallor; të gjitha në shërbim të turistëve shëndetësorë, që frekuentojnë Qendrën Banleare të Peshkopisë.

Kjo qendër me pamje magjepsëse, e qëndisur me lule e gjelbërim spektakolar, nën këmbët e maleve të Korabit, që ende zbardhëllon nga bora, është shumë e dëgjuar për vetitë e jashtëzakonshme kurative.

Sipas të dhënave që na jep drejtuesi i kësaj qendre, z. Islam Qoku, prurjet e ujërave termale të kësaj qendre janë të pandryshueshme gjatë gjithë vitit; 14 litra në sekondë në temperaturën 42 gradë Celsius, dhe nga ftohja në depozitën përmbledhëse dhe gjatë rrugës së shkurtër, në vaskat e trajtimit shkon në temperaturë optimale 39-39.5 gradë.

Përmbajtja e gazit sulfuror në këtë qendër është mesatare, në ndryshim nga qendrat e tjera banleare të vendit tonë, që e kanë mbi mesatare e deri në maksimale.

Kapaciteti ditor i frekuentuesve është 2000 banjo, por që me investimet e planifikuara ku kapaciteti shkon në 3000 banjo në ditë. Është kryer një studim dhe po sigurohen fonde për ngritjen e një reparti të ri për rehabilitimin e invalidëve si dhe një pishinë, që qendra të funksionojë gjithë vitin. Muajt më të frekuentuar (dhe më të preferuar) janë prilli, maji, qershori, shtatori dhe tetori. Në këtë qendër janë të punësuar 38 punonjës, nga të cilët 30% janë personel i kualifikuar mjekësor dhe fizioterapistë.

Akomodimi në Qendrën Banleare Peshkopi është 90% privat. Biznesi privat ka investuar dhe aktualisht funksionojnë 8 hotele me kushte optimale për pushuesit, si dhe rreth 70 familje ushtrojnë biznesin familjar, me dhoma të pajisura më së miri dhe gjithsej janë të regjistruar 2000 shtretër. Numri i të punësuarve në hoteleri dhe bizneset familjare arrin mbi 100.

Drejtoria e Shëndetit Publik, në mënyrë permanente e monitoron si Qendrën Banleare, ashtu edhe rezidencat private dhe hoteleritë, si garanci e shëndetit të pushuesve dhe të ushqimit të tyre.

Vetitë kurative

Nuk është e lehtë të takohesh me mjekun e kësaj qendre, z. Mentor Prifti, për t’i marrë intervistë. Ai gjatë gjithë ditës është i angazhuar në vizita pa fund, të shoqëruara me këshilla mjekësore për një trajtim sa më efektiv e pa aksidente. “Trajnimi i klientëve në ujërat termale duhet kryer me kujdes e gjithmonë nën këshillat e personelit shëndetësor të qendrës” – thotë dr. Mentori. “Koha e qëndrimit, temperatura e banjove dhe të baltës, seancat, këshillohen të ndryshme për mosha e sëmundje të ndryshme.

Trajtimi në këtë qendër ka veti të jashtëzakonshme kurative, të vërtetuara prej qindra vitesh. Trajtimi këtu ndihmon, deri edhe në shërimin 100% të sëmundjeve reumatizmale, kronike si artritet, poliartritet, sëmundjet reumatizmale gjenerative (artrozat) etj. Po kështu trajtimet kanë veti të veçanta rehabilituese, për të aksidentuarit me fraktura e trauma të ndryshme, pas trajtimit primar të kryer në spitalet ortopedike. Banjot me ujëra termale ripërtërijnë indet dhe shërojnë edhe infeksionet e lëkurës. Banjot në këto llixha, jo vetëm e rigjallërojnë organizmin, por edhe e rinojnë atë. Ato kanë ndihmuar në shumë raste edhe për shtatzënitë.

Efektet janë të menjëhershme për të sëmurët reumatizmalë. Rekomandohen seanca pa ndërprerje 10-15 minuta në ditë (gjithmonë me këshillën e nën kontrollin e personelit mjekësor) për 10-14 ditë radhazi dhe që mund të përsëriten dy herë në vit. Klientela këtu është pothuajse e stabilizuar. “Çdokush që ka shkelur këtu për herë të parë, nuk ka harruar të kthehet përsëri”, – thotë dr. Mentor Prifti, duke kërkuar falje për pamundësinë e qëndrimit më gjatë me ne, pasi dikush ka nevojë për ndihmën e tij.

Infrastruktura dhe investimet

Të dhënat historike tregojnë se llixhat e Peshkopisë dhe të Dibrës së Madhe janë frekuentuar prej qindra vitesh. Pas çlirimit u ngritën disa hotele, por që janë trajtuar vetëm si qendër spitalore dhe shtrimet bëheshim me rekomandim të qendrave spitalore. Tani më tepër preferohet përdorimi i termave frekuentues ose pushues, dhe jo pacientë apo të shtruar.

Në dhjetë vitet e fundit, Qendra Banleare e Peshkopisë, ka funksionuar si ndërmarrje me vetëfinancim dhe nuk ka përfituar asnjë financim nga buxheti i shtetit. Të ardhurat pothuaj janë dyfishuar, si rezultat i investimeve të kryera, që kanë ndryshuar totalisht pamjen e ambientit dhe të miradministrimit të të ardhurave. Administrata po bashkëpunon edhe me donatorë të huaj.

Klientela e Qendrës Banleare në Peshkopi është kryesisht nga Shqipëria e Mesme dhe ajo e Veriut, por edhe nga Kosova, Tetova, Gostivari dhe vende të tjera. Përfundimi i Rrugës së Arbrit do ta shtojë klientelën e kësaj qendre nga e gjithë Shqipëria.

Tërheqja me ushqim bio

Qendra Banleare Peshkopi, aktualisht ofron banjo termale, akomodim normal dhe trajtim ushqimor për 2000 klientë në ditë. Ushqimi është shumë cilësor, pothuaj 100% bio, i siguruar nga zona përreth qytetit të Peshkopisë. Kostoja mesatare ditore për një person (fjetje, ushqim, banjo, kujdes shëndetësor etj.) varion nga 1500-1800 lekë në ditë.

Tek largohesha nga kjo qendër e mrekullueshme me vlera të jashtëzakonshme kurative e turistike mendoja thënien e dr. Mentorit. “Çdokush që ka shkelur këtu për herë të parë nuk harron të kthehet përsëri” dhe unë u ktheva aty për të gjashtën herë…

Mark RICA

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %