Nga: Halil Rama
Në numrin e parë të gazetës “Panorama” të këtij viti (5 janar 2022), që në faqe të parë njoftohej titulli “”. Ishte kjo një kërkesë e babait të Heroit, ish-ushtarakut shembullor Basri Tanushi, mbështetur edhe me propozimet konkrete të dy organizatave të veteranëve: Org. së Veteranëve të LANÇ dhe OBVL.
Në këtë kërkesë legjitime ato u motivuan nga libri monografik “Klodian Tanushi, Heroi i Paqes”, që si rast unikal ka për autor pikërisht babain e tij. Pikërisht vlerat e kësaj vepre monumentale qenë motivi i propozimeve të dy organizatave të veteranëve, të cilat pasi morën miratimin e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, dje u finalizuan me përurimin e shkollës me emrin e heroit “Klodian Tanushi” në Qesarakë.
FAMILJA TANUSHI, E ANGAZHUAR PËR MBARËVAJTJEN E SHKOLLËS QË MBAN EMRIN E KLODIANIT
Padyshim që babai, bashkëshortja, dy djemtë dhe vajza e tij e vogël qenë më të lumturit e kësaj dite, duke e konsideruar këtë akt si ringjallje të Klodianit. Babai i tij, Basriu, pasi falënderoi përzemërsisht anëtarët e Këshillit Bashkiak, Kryeministrin Rama, kryebashkiakun Veliaj dhe deputetin Xhemal Qefalia për mbështetjen që i dhanë kësaj nisme, shprehu kënaqësi dhe krenari të veçantë. “Është kënaqësi, por dhe krenari për mua, që të them dy fjalë zemre sot në këtë ditë të veçantë, e cila për mua dhe gjithë familjen Tanushi, shënon një epokë të re, atë të Rilindjes të djalit tonë Klodianit, me rastin e përjetësimit të emrit të tij në këtë shkollë kaq të bukur”, u shpreh ndër të tjera Basriu.
Ai e konsideroi përjetësimin e emrit të të birit në një nga shkollat me arkitekturë moderne të kryeqytetit, si vlerësim për Klodianin, nderim për familjen, por edhe si obligim për fëmijët e Klodianit, të cilët e prisnin me pa durim këtë ditë. Ndërkohë, Ai i shprehu një falënderim të veçantë Kryeministrit Rama, që sipas tij në çdo çast i është gjendur pranë Familjes së heroit të Paqes Klodian Tanushi, për zgjidhjen e të gjitha problemeve që kanë pasur. Kjo shkollë, ashtu si shumë të tjera, nga dje do të mbajë emrin e një dëshmori të kombit, i cili, me dëshirën, guximin dhe vendosmërinë për të shpëtuar jetë të tjera, sakrifikoi jetën e tij në ditët më të bukura.
Me aktin e tij heroik, Ai nderoi jo vetëm familjen, por gjithë Shqipërinë, duke i treguar botës se ç’është shqiptaria. Pikërisht për këtë, duhet konsideruar si e drejtë legjitime kërkesa e babait të tij, bërë publike në këtë event mbresëlënës, që trupa pedagogjike e kësaj shkolle të angazhohet maksimalisht në procesin edukativ, mësimor e shkencor, për të bërë të mundur që kjo shkollë të renditet ndër shkollat më të mira të kryeqytetit. Dhe për këtë ky prind shembullor shprehu angazhimin dhe premtimin e Familjes së tij për të qenë gjithnjë pranë tyre, duke i takuar e biseduar dhe duke kontribuar sipas mundësive për mbarëvajtjen e shkollës.
SAKRIFIKOI JETËN PËR ATDHEUN
Dje, në përurimin e një prej shkollave të reja që është hapur këtë vit në Tiranë, së cilës i është vendosur emri “Klodian Tanushi, në nder të ‘Dëshmorit të Atdheut’, majorit që humbi jetën në krye të detyrës në Letoni”, Kryeministri Rama që ishte i pranishëm në përurimin e saj në Qesarakë, me kushte dhe hapësira moderne, ndër të tjera vlerësoi aktin e heroit të paqes që sakrifikoi jetën për atdheun, duke mbetur shembull frymëzimi për të rinjtë.
KLODIAN TANUSHI NË PANTEONIN E VLERAVE TË KOMBIT
Nëse në kampin e NATO-s në Letoni është vendosur një memorial për Klodian Tanushin dhe Zarife Hasanajn, të cilët humbën jetën pas shpërthimit në bazën e NATOs në Letoni, vendosja e emrit të Klodianit shkollës së re moderne në Qesarakë që u përua dje në një atmosferë mjaftë festive, në zonën ku jeton familja e tij, duhet konsideruar e vlerësuar si një vendim historik i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit.
Kjo, edhe për faktin se në librin e babait të tij gjen mesazhe vlerësuese të personaliteteve ndërkombëtare e vendase që e vendosin Klodianin në panteonin e vlerave të kombit. Mjafton të perifrazojmë qoftë dhe ministrin e Mbrojtjes të Letonisë, Artis Pabriks, se “Letonia është shumë mirënjohëse për aleatët tanë nga Shqipëria, për kontributin e tyre në praninë e zgjeruar të NATO-s në grupin e betejës”. Nëse në Ditën Kombëtare të Dëshmorëve në Letoni përkujtohen dëshmorët më të rinj të Shqipërisë, major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zarife Hasanaj, s’ka dyshim që në vendlindjen e tyre ata duhen përkujtuar më me madhështi. Ndaj dhe emërtimi i kësaj shkolle me emrin e Klodianit ishte vendimi i mirëpritur nga komuniteti.
Jeta e Klodianit, Zarifes dhe shumë të tjerëve që shërbyen dhe ranë heroikisht në misionet paqeruajtëse, flet për dinjitetin e gjakut që nuk bëhet ujë, për shembullin e krijuar që nga marrja e qumështit dhe këshillave të para të nënës e babait në djep, deri në përfshirjen në këtë familje të madhe të Forcave të Armatosura, e cila është e përkushtuar për të mbrojtur bashkësinë e madhe të njerëzve të këtij vendi dhe të Aleancës. Ata na tregojnë se paqja ka një çmim. Dhe siç shkruan Kamber Faruku në parathënien e këtij libri: “Lapidari përkujtimor i djalit flokëverdhë dibran, majorit të NATO-s, Klodian Tanushi, atje në Letoninë e largët, është një simbol i miqësisë mes popujve, që bën krenar jo vetëm familjen e Klodianit, nënë Lumen dhe babë Basriun, por çdo shqiptar.
Ai lapidar i heroit të NATO-s është në sintoni me trimërinë dhe humanizmin shekullor të popullit shqiptar, i cili është ndezur si qiri edhe për lirinë e të tjerëve. Mijëra njerëz, në shekuj, do të qëndrojnë të heshtur dhe kuriozë para asaj pllake përkujtimore, si në një vend të shenjtë. Do lexojnë aty, do pyesin, do mësojnë dhe do nderojnë këtë luftëtar të përjetshëm të paqes”. Madje, sipas redaktorit Faruku, ky është filli i kuq, i cili përshkon këtë libër, të shkruar me ndjenjë prindërore nga i nderuari dhe i papërkuluri me një karakter burrëror, Basri Tanushi