Një mesazh për të rinjtë e vendit tim

0 0
Read Time:2 Minute, 55 Second

Takoj shumë të rinj përditë, punoj me të rinj të ndryshëm, por fatkeqësisht dëgjoj pothuajse të njëjtën frazë nga goja e shumë prej atyre, “nuk shtyhet këtu ndaj dua të iki”. E mbase unë nuk jam i vetmi që përballem me këtë frazë, pasi e di mirë se shumë prej nesh dëgjojnë përditë këto fjalë nëpër kafene, nëpër rrugë, në media, e akoma më keq i dëgjojmë këto fjalë nëpër shkolla e universitete. E si për dreq edhe në këto të fundit ku pretendohet të përçohet shpresë dhe frymëzim, për një të nesërme më të mirë.

Nëse për dikë e për disa largimi i mijëra të rinjve nga vendi është thjeshtë lajmi i ditës, apo akoma më keq një çështje statistikash me të cilat duhet të merret INSTAT-i, për mua mbetet sot një llampë e kuqe që duhet të zgjojë njëherë e mirë të gjithë ne. Për mua është një krizë që duhet të marrë vëmendje më shumë se çdo thashethem apo lojë politike që thuret e thuhet rëndom e

çdo minut në ekranet tona. Po pra, largimi masiv i të rinjve është emergjencë kombëtare. E kjo nuk është për tu bërë lajm, por është për të vënë duart kokës dhe për të bërtitur se sa shumë dëm po i bëhet këtij vendi.

E gjithsesi më shumë sesa thjeshtë të listoj e konstatoj ato që të gjithë shqiptarët tashmë i dinë, dua vetëm që t’u përcjell një mesazh të rinjve të vendit tim.

“Sot mbase e kam të vështirë të gjej arsye bindëse për t’ju thënë që të mos ikni nga Shqipëria, sepse në fund të ditës jeni ju ato që i dini më mirë se unë hallet tuaja. Jeni ju ato që i bëni llogaritë e vetes tuaj, më mirë sesa çdokush tjetër që mund t’ju llogarisë thjeshtë si statistika apo diskurs politik për të goditur kundërshtarin se medemek i vjen keq për largimin e të rinjve nga Shqipëria. Ajo që unë do ju thoja me plot bindje sot, është që të mos ikni nga Shqëipëria pa bërë “luftën” tuaj. Ja këtë ju kërkoj sot, se qëndrimin tuaj këtu e moslargimin për tu sakrifikuar si heronj nuk mund t’ja kërkoj askujt, madje as vetes.

Mos ikni nga Shqipëria pa e bërë luftën tuaj. Bëni luftën tuaj me ç’dokënd që e konsideron veten pronar të këtij vendi. Me çdo titullar insitucioni që i ka mbirë fati në derë, dhe refuzon t’ju dëgjojë apo nuk ju hap derën. Se këta si shumë të tjerë, janë thjeshtë kalimtarë mandatesh që nuk kanë kurrsesi dinjitetin dhe pafajësinë e një të riu që ëndërron të ndërtojë një karrierë me meritokraci në këtë vend. Nëse keni vendosur të studioni këtu, zgjidhni atë drejtim që keni pasion dhe përpiquni fort. Angazhohuni sa më shumë në çdo vend e rrjet që do gjeni hapësira. Krijoni grupin tuaj dhe forcohuni për ti bërë ballë çdo arroganti e “drejtuesi” injorant që kritikën e percepton si sulm. Krijoni grupin tuaj me ose pa emër dhe bëjini këta që kanë drejtuar e drejtojnë këtë vend që të kenë frikë nga ju. Mos u largoni pa e bërë këtë. E nëse ju bëhet padrejtësi, kërkoni çdo hapësirë e mundësi për të goditur këdo që mendon se mund të tallet me ne. Se këta kanë një frikë mtë madhe, kanë frikën e karrikes dhe emrit të tyre. Nuk ju pengoj dot të largoheni nga Shqipëria, por mos ikni pa e bërë luftën tuaj!

Nga:Edison Balla|DibraOn.com

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %