Një ditë në burimet e Sopanikës, Seta lumi që rrezikon të zhduket

0 1
Read Time:12 Minute, 57 Second

Reportazh nga Alban Tufa

Rruga për Peshkopi është rraskapitëse deri në kocka dhe pikërisht për këtë fakt tashmë të provuar, me zor arrita t’i bind disa nga shokët e kursit tim në fakultet. Pas disa tentativash bashkë me një shoqe (dhe ajo dibrane), ia arritëm qëllimit gjithsesi. U bëmë 10 veta nga të gjithë cepat e Shqipërisë dhe u gjendëm pikërisht mu në mes të bulevardit. Një miku im nga Kavaja, mbajti gjithë kohës nga fillimi deri në fund të bulevardit një qese me mbeturina në dorë sepse s’po gjente një kosh. Normal që u vetëmbrojta duke shfajësuar qytetin tim me arsyetimin se bulevardi është rikonstruktim e sipër, gjë që e dëshmonin edhe paletat e pllakave në mes të tij. Megjithatë e dija që ky arsyetim i imi nuk qe fort i logjikshëm. E hodhi qesen në një nga koshat e Bar-Restorant Korabit (Turizmit), ku pimë edhe kafen e pushimit. Pas kafesë morëm rrugën për në Çidhën, pikërisht në lumin e Setës.

Fushatë dhe premtime, por në rrugë punohet

Deri tek shkolla e Kastrioti arrin rehat, edhe pse lodhja sigurisht që bën të vetën, mandej sapo lë asfaltin dhe drejtohesh teposhtë Drinit, furgoni zë pahitet sa në një anë në tjetrën, sinkron me të dhe kokat e pasagjerëve. Shoferi mundohet të ec sa më ngadalë.

“Edhe pak e shpëtuam, po shtrojnë me asfalt”- thotë njëri nga dy burrat e moshuar të zonës që gjendeshin me ne në furgon.

“Për fushatë”- ia pret tjetri. Pastaj kapen me muhabete politike, dhe të japin përshtypjen sikur janë analistë të thekur politikë.

Përgjatë rrugës, deri buzë fshatit Përgjegje punohej vërtet dhe punimet e ekskavatorëve ngrini shtëlluga pluhuri sa të bëhej sikur po ndodhnin shpërthime.

Monumenti që kujton masakrën

Pak para te kalonim lumin Drin, u ndalëm dhe vizituam një Monument përkujtimor të luftërave dhe betejave më të mëdha të zonës së Çidhnës dhe Kastriotit. I ngritur në një kodër relativisht të dukshme dhe  me pllaka të gdhendura me data betejash, ku ndër to bie më shumë në sy: “BETEJA E TORVIOLLIT më 26.09.1444 u zhvillua në fushën e Dibrës Poshtme, ku 15000 arbër të Lidhjes së Lezhës të komanduar nga Skënderbeu, mundën 25000 kalorës Osmanë. (M.Barleti)” dhe “MASAKRA E ÇIDHNËS, gusht 1466…në viset e Skënderbeut që quheshin KIDNA…Mehmeti II…shkoi në thikë 8000 burra, veç grave dhe fëmijëve. (M.Barleti).

Sapo i ktheva shpinën këtij monumenti, mu dha e fortë ndjesia se përpara kemi një zonë historike, bujare, trime dhe plot tradita dhe që sigurisht duhet t’i ruajnë akoma.

Drejt Çidhnës, në gjurmët e Skenderbeut

Kaluam mbi urën e re, e ndërtuar vitin e kaluar. Kjo urë e ka shkurtuar rrugën dhe kohën për të shkuar në Çidhën. Fill pas urës, ngjitemi një rruge njëkalimshe, me gropa dhe plot kthesa të forta. Përpara na shfaqet fshati Arras, edhe ky një fshat i shquar për tradita. Lëmë pas Arrasin dhe ngjitemi sipër për në Çidhën.

Zhurma e furgonit që çan përsipër kodrinës, më sjell imazhe të vjetra: zhurmën që nxjerrin hundësh kuajt kur vrapojnë. Ndërsa unë këtë rast nuk po mendoj për kuajt e garave që shohim nëpër televizione por, ata kuaj që vrapuan në beteja, shërbyen për këto zona malore dhe të strukura pas shpatesh. Ngjitja nuk ka të sosur dhe të duket si kur po shkon në një botë të pashkelur nga askush më parë. Nuk ka asnjë gjurmë të asaj që quhet urbane, e megjithatë, duket që shokët e mi po e shijojnë këtë pamje dhe unë ndjehem vërtet i kënaqur dhe tepër krenar.

Porta e Parë është hyrja për në Çidhën. Aty gjendet një masiv guri i quajtur Kepi i Skënderbeut ose Kepi i Qytetit. Ky terren i përthyer rrëfen shumë si për të tashmen dhe për të shkuarën. Këto zona, na rrëfejnë dy burrat që gjenden në furgon, rrallë kanë rënë në duar të pushtuesit. Nga njëra anë sepse ishte terreni i përthyer dhe shumë shkëmbor e për pasojë zor që të njihej nga pushtuesit dhe nga ana tjetër qëndresa dhe bashkimi që kishin këta njerëz. Në anën tjetër gjendet Muzeu i Skënderbeut, tregojnë burrat, tek në sfond për të disatën herë është një këngë me motive patriotike dibrane.

Sapo u ngjitëm në majë të kodrës u gjendëm tek Fusha e Kalorësve, 200 m gjerësi dhe 800 gjatësi. Në këtë fushë, kryheshin përgatitjet për luftëra. Ndërsa sot toka është e ndarë në parcela dhe mbjellë kryesish me  misër me fasule dhe jonxhë.

Pasi lëmë Fushën, zbresim poshtë për në lumin e Setës. Tashmë edhe furgoni sikur shfryn. Zbresim gati buzë lumit, të lodhur e të rraskapitur nga pesë orë e gjysmë rrugë. Takojmë një valle burrash të ulur në  një livadh nën hijen e një dushku të madh, i takojmë dhe na e dinë fort për nder që kemi ardhë me pa bukuritë e vendit ku ata kanë lindur, janë rritur e plakur dhe ku kanë vendos të mbyllin jetën e tyre. Ulemi një copë herë disa na shpjegojnë për ndërtimet e Hec-eve. Tregojnë se askush nuk i ka marrë parasysh mendimet e tyre, dhe që ata e kanë çuar në gjykatë çështjen e ndërtimit të  Hec-it Seta 4.

Sopanika, uji që e duan të gjithë

Çohemi sepse qëllimi ynë është të jemi në hyrjen e shpellës së Sopanikës. Zbresim në lumë dhe kalojmë nëpër një urë druri ndërtuar nga banorët e zonës, por që është një bukuri e shtuar kësaj rrjedhe. Nga ana tjetër e lumit, në një shpat mali, zbret uji i ftohtë nga Burimi i Sopanikës. Mu në pikën ku bashkohet me lumin, formon një ujëvarë ku uji i së cilës, përplaset me hov në pellgun fundor dhe krijon shkumëzime duke marrë trajta bardhë-e-blu. Të gjithë vrapojnë e bëjnë fotografi, ndërsa unë përkulem e pi ujë në pellg. Ata që janë rritur në qytet u habitën, ndërsa të tjerët që vijnë nga fshatra, ulen e pinë me mua. Uji kristal, akull i ftohtë, dhe bashkë me ftohtësinë e tij, sjell duhmën e tij të freskët duke ta bërë gjithçka si parajsë.

Ngjitemi sipër duke na udhëhequr një pjesë e banorëve që deshën të na shoqëronin. Duket se këta njerëz kanë nevojë për njerëz të rinj, ata duan që bukuritë e vendit të tyre të duken, të shihen nga të gjithë. Uji në pjerrtësinë vet dhe në përplasje me gurët e mbuluar me myshqe, dhe që marrin trajta ajri, gurgullon me një tingull që të bën të harrosh gjithçka dhe t’i dorëzohesh kësaj vepre të Hyjnores.

Na duhet të kalojmë në një masiv guri, që të ngjan sikur futesh në një çadër, ndërsa një pjesë e shokëve mbeten pas, gjatë gjithë kohës më aparate fotografik dhe me celularë në duar. Ndërsa disa të tjerë janë përkulur buzë shkurreve të shkozave dhe mbledhin luleshtrydhe (dredhëza). Lodhja as që ndjehet dhe ne ngjitemi në hyrjen e shpellës. E gjithë gryka e shpellës të ngjan sikur është në tubë kroi pa rubinetë që nxjerr ujë gjatë gjithë kohës. Kur afrohesh afër ndjen që bashkë me ujin aty buron edhe ajër i ftohtë.

Buzë saj nga ana e sipërme, rrjedha e ujit del nga një shkëmb në formën e hinkës dhe bie me një forcë rëndese dhe krijon tinguj që të marrin me vete. Ngjitur me hinkën e natyrës, gjendet një pusetë përthithëse uji, duke marrë kështu një pjesë nga uji që buron dhe që shkon deri në Kastriot për të furnizuar banorët me ujë të pijshëm.

Shpella dhe ujëvara e Sopanikës u shpall Monument Natyre dhe gëzon status mbrojtjeje me Vendim të Këshillit të Ministrave nr 676, datë 20.12.2002, ndërsa në vitin 2015, Këshilli Kombëtar i Territorit, jep leje për ndërtimin e Hec-eve Seta 1,2,3 dhe Seta 4. Ky i fundit parashikon të fus në tuba gjithë rrjedhën e Sopanikës dhe të Setës. Shpella e Sopanikës mendohet të ketë një gjatësi prej 5 kilometër (sipas banorëve), ndërsa 3 kilometër janë eksploruar nga gjeologë (profesorë dhe studentë) bullgarë.

Çidhna, fshati që nuk dëgjohet

Duke parë nga shpella, ballë saj, duket fshati Çidhën, me shtëpi të vjetra dhe një pjesë e mirë prej tyre janë braktisur. Këtu mban dimër i ftohtë por edhe verë e nxehtë. Vetë përbërjet shkëmbore përthithin rreze dielli dhe temperatura kalon 5 gradë më shumë se në një vend tjetër në Dibër. Ndërsa burimet që janë në këtë rrjedhë dhe zona përreth, bëjë që temperaturat mos jenë aq të larta duke u ndikuar thelbësisht nga freskia  dhe temperaturat që ujërat kanë.

Pasi rrimë një copë herë në grykën e shpellës, aq kohë sa u lodhëm duke fotografuar gjithçka dhe duke u larë e shpërlarë në atë ujë të ftohtë dhe mandej nisemi të zbresim poshtë. Tek zbrisnim poshtë, një rrëshqitje mbi dhé dhe mbi copëza gurësh, më kujton fëmijërinë time. Gurët përreth janë të një ngjyre të errët. Rrotull ka drurë shkoze, arre, pal dhe plot lloje të tjera.

Zbresim poshtë në një kanal vaditës, i cili para shumë kohësh kishte shërbyer për të vaditur të gjithë fushën e Kastriotit, ndërsa sot shërben vetëm për dy-tre fshatra përreth. Tek ecim në kanal, gjendet një shpellë e vogël ku uji kalon nën të dhe masivi shkëmbor është  me vrima të vogla dhe të ngjan si një sfungjer. Nga ana jonë e majtë shkëmbi është i prerë si me thikë duke formuar diçka si pasqyrë, ndërsa nga ana jonë e djathë në rrjedhën e Setës gjendet Rasades, vendi ku bëhet rrahja e peshkut (më e madhja në të gjithë Dibrën).

Ajri këtu është shumë i pastër. Freskia e bimëve dhe e ujit bën të vetën. Madje nga prezenca e lartë e oksigjenit, një shoqe e imja pati probleme me frymëmarrjen, ama gjithçka kaloi shpejt dhe e mori veten.

Pasi i dolëm kanalit aty ku fillonte, nga shpati i djathtë, rrjedhës i shtohej një tjetër burim. Burimi, edhe ky në shpellë quhej Klloxhnesha. Edhe kjo një shpellë e eksploruar nga gjeologët bullgarë, me pretendimin se gjatësia e saj shkon deri të 3 kilometër. Sipas gojëdhënave që rrëfejnë banorët, fshati Çidhën e Poshtme, nuk kishte ujë për të vaditur dhe  mbyllën shpellën e Klloxhneshës  me qëllimin dhe shpresën që uji të dilte në majë të kodrës. Shkëputjet teknokike e shkatërruan murin dhe uji mori përpara Sofrën e  Bajraktarit në Arras. E megjithëkëtë, mendohet që maja e kodrës të shpohet sërisht, po me shpresën që uji i cili buron në fund të kodrës, të burojë në majën e saj.

Ecim në të kundërt të rrjedhës së ujit,  dhe më andej gjendet Shehu i Thatë ose Hala e Zezë (llojë pishe). Ky ishte një vendstrehim historik në të gjitha luftrat me pushtuesit duke nisur nga pushtuesit osmanë, serbët, italianët dhe në fund gjermanët (edhe pse lufta e madhe e çidhnakëve qe me komunistët). Ky vendstrehim qe një pikë strategjike që s’u mor kurrë nga okupatorët përveç të vetmes herë nga Sulltan Mehmeti II në verë 1466.

Të gjitha kryengritjet dhe organizimet luftarake u bënë nga ky vend. Pikërisht në këtë rrjedhë  gjenden 17 shpella me emra  dhe katër të tjera pa emra.

Turizmi, një shpresë e largët

Rruga duhet bërë në kthim tashmë sepse koha nuk premton. Zona nuk ka hotel dhe një pjesë do kthehen në Peshkopi ndërsa pjesa tjetër do kthehet në Tiranë. Mos pasja e hoteleve dhe bujtinave kthehet edhe njëherë në problem madhor për turizmin në vendet tona. Por megjithatë, kush do natyrën i gjen mënyrat. Në kthim për në fshatin Çidhën, ashtu me atletet e lagura e të bëra qullë nga kalimi i vàve të lumit dhe nga dëshira për freski, sytë nuk shohin tjetër veç dy shpatet anësore. Në njërin shpat janë ca zig-zage dhiaresh, dhe më tej disa rrasa gurësh me nuanca të kuqërremta. Vërtet që nuk dua të ndahem me këtë bukuri që ka ndërkallur Perëndia me dorën dhe madhështinë e vet, tek ndërkohë më vjen turp me veten që jam rritur në Fushën e Kastriotit dhe nuk kam qenë kurrë në këto zona duke e bërë jetën time ngushtësisht të vogël.

Kthyem dhe disa nga burrat e Çidhnës i gjetëm sërish nën hijen e dushkut të madh. Siç dukej kishin diçka të na thonin: diç mes lamtumirës, përshëndoshjes dhe premtimit, kërkesës. Sikur donin të na thoni “Ju i patë bukuritë tona, tashi mos i harroni, mos i lejoni të shkatërrohen!”. U ulëm apet në vendi  ku ishim ulur në kohën kur erdhëm. Unë në me bllok në dorë duke mbajtur shënime për këtë reportazh, një shok imi me kamera, të  tjerët me celularë, po merrnin copëza imazhesh pos kujtimeve që zor të zhbëhen.

HEC-et që kërcënojnë

Banorët ishin të shqetësuar për ndërtimin e Hec-it Seta 4, dhe që ishin të gatshëm ta mbronin me jetë. “As turku, as serbi, as italian e gjermani s’na e morën dot këtë vend, jo më të vijnë të na e marrë një tepelenas”, thotë Qazim Daci, një burrë pak i thinjur, i cili flet avash, pastër dhe me një tërheqje duke të marrë nën rrëfim. Ai flet e flet për historinë, të shkuarën dhe të tashmen duke bërë bilance, derisa në përfundim revoltohet duke thënë: “nuk bëhet Hec këtu, pa u shtyp koka njerëzish.”.  Me na tharë ujin na kanë tharë shpirtin shpjegon Qazim Daci, duke thënë se vetëm ky ujë i zbut temperaturat se përndryshe aty nuk do jetohet ma pa ujë, ngaqë vapa do jetë e tmerrshme.

Ndërsa Haxhi Cerri thotë: “Shif, a patë ju rrugës? S’ka asnjë tabelë me tregu çfarë bëhet”. Dhe me të vërtetë ne nuk pamë asnjë tabelë që të tregojë projektuesin, kontraktorin, buxhetin, kohën dhe më kryesorja çfarë po bëhet. “7 mullinj dhe një varavejc gjenden në këtë rrjedhë uji”, shton më tej Haxhi Cerri, tek tregon brengat që ka për vendin ku lindi dhe u plak.

Askush nga ne nuk e donte një mbyllje të kësaj dite, por, megjithatë, me aq sa pamë dhe shijuam dhe duke marrë parasysh se ç’bukuri mund të zhduket, u bëmë sado pak palë me brengat dhe shqetësimet e tyre. U ndamë me ta dhe hipëm në furgon, i cii nisi ulërimën e vet për malores deri sa u ngjitë në kodër dhe mandej morëm teposht. Rrapa-dumja e furgonit ja nisi nëpër gropa.

Gjithsesi, të kalosh nëpër Arrash dhe të mos ndalesh të hash peshk është një e drejtë që nuk mund t’i mohohet vetes. Sërisht po më vinte turp që po haja për së pari herë peshk në Dibër me shokët dhe shoqet e mia nga të katër cepat e Shqipërisë.

“Një uj’ që ec, pihet”

Ne, e gjithë rinia shqiptare, dhe më shumti ajo dibrane, kemi rënë pre e një jete klishe dhe pasive plot e plot herë, duke mos parë ç’bukuri mund të kemi rreth vetes dhe vendit ku jetojmë, të cilat jo pak herë na humbasin ose na i shkatërrojnë akoma pa i parë. Unë i pari kam qenë dhe sërish jam deri diku dembel, sepse akoma nuk njoh Dibrën edhe pse kam qenë në disa vende të Europës. Nuk di të ketë një formulë të posaçme për të dalë nga këto klishe, por edhe këtu si çdo herë tjetër, fjalët e të parëve gjejnë vend kur thonin: “Një uj’ që ec, pihet”.

Prandaj le të mos rrimë duke shtyrë kohën dhe qarë hallet, por le të ecim e të çlirojmë gjithë ç’na gjendet në trup negative. Marre nga Rruga e Arberit

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
100 %
Surprise
Surprise
0 %