Shoqata e peshkatarëve sportiv “Trofta” pas njoftimit të situatës për ngordhjen e peshqve në liqe respektivisht tek lokacioni “Tre çezmat” i ka njoftuar menjëherë organet kompetente për këtë situatë që është prezente në ujërat e Liqenit të Dibrës
Vjollca SADIKU
Dibër, 16 maj – Liqeni i Dibrës përveç bukurisë që posedon ajo ka një fond të pasur me peshq të cilët janë edhe atraksion për shumë peshkatarë si nga vendi ashtu edhe nga Kosova. Por sot në ujërat e Liqenit të Dibrës ka ndodhur një dukuri që ka shqetësuar shumë dibranët dhe jo vetëm.
Disa peshkatar në lokacionin “Tre Çezmat”, kanë vërejtur ngordhjen e peshqve, të llojit, klena, ngjila, dhe disa lloj të tjerë, ku këtë dukuri e kanë publikuar në rrjetet sociale me video ku shihet qartë ngordhja e peshqve. Shoqata e peshkatarëve sportiv “Trofta” pas njoftimit të situatës për ngordhjen e peshqve në liqe respektivisht tek lokacioni “Tre çezmat” i ka njoftuar menjëherë organet kompetente për këtë situatë që është prezente në ujërat e Liqenit të Dibrës. Kryetari i shoqatës Beli Haliti na informoi se sapo janë njoftuar me këtë problem që është paraqitur në Liqe, ata kanë shkuar në vendngjarje që nga afër të shohin situatën. “Në shoqatë në lajmëruan disa persona që po banojnë në vendin e quajtur Manastirec ose siç e njohim ‘Tre çezmat’ se kanë vërejtur disa lloj të peshqve të ngordhur. Sa e morëm këtë informacion ne shkuam në lokacionin në fjalë për të parë nga së afërmi si është gjendja. Gjatë vizitës që ja bëmë u vërtetuam se disa peshq janë të ngordhur”, thotë Haliti dhe shton se menjëherë kanë lajmëruar organet kompetente të Ministrisë së Bujqësisë. “Edhe pse nuk e dimë akoma shkakun se nga ka ardhur kjo ngordhje, ne pos organeve kompetente informuam edhe në Njësinë për Shëndet Publik në Dibër gjegjësisht epidemiologun”, thotë Beli Haliti kryetar i shoqatës së peshkatarëve sportiv “Trofta”. Ai apelon tek organet kompetente që sa më shpejt të vijnë në këtë vendngjarje që ta verifikojnë nga vjen ngordhja e peshqve.
Njëherit nga muaji gusht i vitit të kaluar Liqeni i Dibrës është edhe pa koncesioner për rekreim dhe peshkim sportiv. Koncesioneri për peshkim sportiv dhe rekreim shoqatat e peshkatarëve sportiv “Trofta” e cila me sukses menaxhonte Liqenin e Dibrës për shkak të disa kërkesave të Ministrisë për Bujqësi nuk pati mundësi të vazhdoj me menaxhimin e liqenit për peshkim sportiv dhe rekreim. Aktualisht kryesia e shoqatës “Trofta” në Dibër përsëri ka kërkuar të jetë koncesioner në sferën e peshkimit sportiv në Liqenin e Dibrës dhe faktikisht të mundësoj një kontroll më të madh në lidhje me gjuajtjen e peshkut , meqë në periudhën gjashtë mujore shpesh në Liqen pati edhe peshkim të “egër”. Peshkatarët sportiv të Dibrës që janë në një numër të madh kërkojnë që Ministria t’i kthejë koncesionin për peshkim sportiv dhe rekreim shoqatës dibrane.
Pa marrë parasysh kësaj situate anëtarët e shoqatës “Trofta” kanë ndërmarr të gjithë aktivitetet për mbrojtje të Liqenit nga hajnat të cilët kanë tentuar që të peshkojnë me nica dhe në mënyra të tjera jo legale. Ndërprerja e peshkimit ekonomik i cili realizoheshte para disa viteve dhe shumimi i rregullt i Liqenit me peshk si nga ana e Ministrisë për Bujqësisë, Pylltari dhe Ujëra, por edhe nga ana e shoqatës “Trofta” duke siguruar donator ka pasuruar fondin në ujërat e liqenit me peshk. Kjo situatë ka rritur interesin për prezencën e peshkatarëve sportiv në bregun e Liqenit të Dibrës. (koha.mk