Nga Enkeleda Bodini
Nëse të paktën njëherë të ka rënë rruga për në Dibër, apo ke kërkuar në Google për bimë medicinale, patjetër që do të kesh dëgjuar për Zija Keshin.
Zija Keshi është një fermer nga Maqellara e Dibrës, i cili për herë të parë në vitin 2012 ka nisur të kultivojë bimë medicinale. Fillimisht e nisi me sherebelin, ndërsa tani ai kultivon bimë të rralla medicinale, ku në Shqipëri, vetëm në parcelat e tij i gjen.
Keshi sot kultivon dy fruta medicinale shumë të veçantë dhe pak të dëgjuara në vendin tonë, siç janë Aronia dhe Goji-berry.
Aronia organike antioksidante është një frut me prejardhje nga Amerika me vlera kuruese të pafundme, duke filluar që në kurimi i diabetit, tensionit sëmundjeve të zemrës etj. Është një nga frutat shumë të kërkuar në treg që shitet i freskët dhe i thatë, dhe çmimi i saj arrin deri në 200 euro/kg.
Ndërkohë një tjetër frut po aq unik që kultivohet në parcelat e fermer Keshit është dhe Goji-berry, që e ka prejardhjen nga Kina. Goji-berry është edhe më e lartë në vlerat ushqyese, dhe më kuruese sesa Aronia. Të dyja këto fruta njihen si çudibërëse për shëndetin, dhe si asnjë frut tjetër ata kanë vitaminën P.
Zija Keshi, fermeri i vetëm në Shqipëri që ka zbritur këto fruta nga mali, tregon për dritare.net se i gjithë trajtimi i tyre bëhet në mënyrë natyrale, vetëm me pleh organik dhe me ujë.
Gjithmonë i prirur të sjellë gjëra të reja, Keshi tregoi për dritare.net se momentalisht është në fazë eksperimentimi për dy fruta të tjera medicinalë, lajthia turke dhe boronica. Këto fruta mesa duket e kanë kaluar testin e përshtatjes me mjedisin tokësor dhe ajror, pasi kanë filluar japin prodhimet e para me sukses.
Pak larg parcelave me bimë medicinale, ai kishte mbjellë dhe paulonja, pemë të cilat rriten shpejt, druri i të cilave është shumë i shtrenjtë dhe i fortë. Paulonjat janë ende në proces rritjeje, dhe i është përshtatur mjaft mirë kushteve atmosferike të zonës së Dibrës.
Zija Keshi jo vetëm kultivon bimë medicinale, por prodhon dhe fidanë, dhe është certifikuar për prodhimin dhe kultivimin e tyre nga Enti Shtetëror i Degës së Farave dhe Fidanëve.
Arsyeja pse ai prodhon dhe shet fidanë, të bimëve që vetë kultivon, është që shqiptarët të njihen dhe të rrisin këto fruta që kanë efekte të jashtëzakonshme në shëndetin e njeriut.
Në shtator të këtij viti, Zija Keshi do të nisë trajnimin e disa studentëve, për seminare dhe praktikë, sesi të rrisin dhe kultivojnë, këto kultura të veçanta e çudibërëse.
Ndërsa këtë vit, Keshi testoi lajthinë turke dhe boronicën, vitin tjetër tha për dritare.net se ka surpriza të tjera. Ai do të kultivojë dy fruta të tjerë që në Shqipëri as nuk njihen dhe as janë dëgjuar ndonjëherë, të cilat mbeten për t’u parë në 2020-ën.
Zija Keshi po ia del me sukses në këtë drejtim që ka zgjedhur, dhe kjo tregon se gjithçka mund të arrihet. Nëse ai po kultivon bimë medicinale unike në vendin e tij dhe për vendin e tij, dhe ju mund ta bëni. Nëse jo me bimë medicinale, me diçka tjetër, sepse Shqipëria nuk është vetëm vendi nga i cili të gjithë duan të largohen. Shqipëria është dhe vendi i mundësive, vendi ku ti më mirë se në çdo vend tjetër të botës, mund të bësh atë që do dhe ke ëndërr të bësh./dritare.net