Gjithkush e di se në krahinën tonë, e drejta, ia njeh pushkën dajës kur shtie për nip, dhe kjo ndryshon me krahinën fqinje Muhurrin, të cilët në të drejtën e tyre “shtin nipi për dajë”. Ky problem shpesh herë është bërë objekt debatesh nëpër odat çidhnake, ose muhurrake. Secila palë sjell argumenta në dobi të së drejtës që ato praktikojnë. Në fakt në “Kanuni i Skënderbeut” (fq. 184, norma 2863(4), thuhet “Kanë tagër të drejtpërdrejtë të marrin gjakun… Daja për nip e nipi për dajë deri në tre breza.” Siç shihet në kanun është e ligjërueme si varianti i çidhnakëve edhe ai i muhurrakëve dhe, në këtë sens, nuk ka vend për diskutime.
Megjithatë, duke marrë parasyshë se krahina jonë ka kontribut të madh e të gjithhershëm në përmirësimin e normave kanunore, e gjejmë me vend të zhvillojmë mendimin mbi këtë problem. Jam i prirur të mendoj se varianti çidhnak, sipas të cilit “daja shtie për nip e jo nipi për dajë”, është më i arsyeshëm, më i plotë, pasi, mendoj, është situr nga pleqtë e kësaj krahine në “shtatë sita”. Për ta bërë më të qartë dallimin në mes dy krahinave të Muhurrit me të Çidhnës, po shtrojmë dy pyetje: 1. A mund të shtjerë gjithnjë nipi për dajë? 2. A mund të shtjerë gjithnjë daja për nip? Le t’i përgjigjemi pyetjes së parë. Jo gjithnjë mund të shtjerë nipi për dajë. Po pse? Sepse, po të marrim rastin, kur dajën e ka vrarë një i afërt i tij, një kushëri apo edhe vëllai i tij (siç dhe ka ndodhë), mbi kë do të qëllojë nipi? Mbi dajën tjetër?! Të gjithë dajat që përbëjnë “groshin”, për nipin janë daja dhe në këtë rast nipi vret një dajë për të paguar një dajë (!). Pikërisht për këto raste, çidhnakët kanë praktikuar e pranuar atë lloj zgjidhje, që nuk len aspak vend për diskutim.
Referohemi pyetjes së dytë që bëmë më lart: Po daja a mund të shtijë pushkë gjithnjë për nip? Po, daja kurdoherë e në çdo rast mund të shtjerë për nip dhe askush nuk mund ta diskutojë pushkën. Arsyetimi: Çdo dajë, fisin ku ka edhe nipërit, i ka të gjithë miq dhe gjak i tij janë vetëm nipërit, askush tjetër. Sido që të vijë puna, daja çidhnakë nuk ka pse të mendojë se i shahet pushka, pasi ecën sipas mendimit: mikun, po munde, ta mbajsh në rreshtin e miqve mirë, por po s’munde, e vret dhe nga mik bëhet hasëm. Problemi është i zgjidhshëm. Kjo është arsyeja se pse çidhnakët (edhe zonat tjera) kanë zgjedhë a zbatojnë parimin se “daja shtie për nip” e jo “nipi për dajë”.
H.Pernezha.