Prej kësaj të shtune automjetet që punojnë me naftë kanë një kosto më të lartë. Në harkun e vetëm 4 ditëve Bordi i Transparencës e ka rritur sërish çmimin e Dieselit.
Nga 239 Lekë për litër që ishte, nafta, prej orës 18:00 të së shtunës kushton 248 Lekë, pra 9 Lekë më shumë për një litër.
Brenda javës çmimi i një litri nafte është rritur me 21 Lekë në total. Në fillim të javës, një litër naftë tregtohej me 227 Lekë, çmimi u rrit me 11 Lekë për litër përgjatë të martës dhe 9 Lekë për litër me vendimin e fundit të Bordit.
Ndryshe sa ndodh me naftën, çmimi për benzinën është ulur sërish.
Nga 205 Lekë që blihej, me vendimin e ri, një litër benzinë do të kushtojë 201 Lekë, i njëjtë me çmimin e fillim javës.
E sa i takon gazit të lëngshëm ai është rritur me vetëm 1 Lekë për litër, nga 78 në 79 Lekë.
Çmimet e reja do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes në Plats të Mesdheut.
Gjithashtu Bordi sqaron se çmimet e pasqyruara në këtë vendim tregojnë nivelin tavan, ndërkohë që operatorët e shitjes me pakicë mund t’i shesin këto produkte më lirë.