Nga Florida Muja
Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha natyrore dhe kulturore. Mes pasurive të pafundme të saj ndodhet edhe muzeu i Dibrës.
Ai ndodhet në qendër të Peshkopisë, si një thesar i mbushur me histori dhe pasuri të mëdha për vendin. Përmes pavioneve historike, etnografike, dhe arkeologjike çdo njeri që shkon aty arrin të krijojë një pamje të qartë për të kaluarën.
Falë 2000 objekteve dhe tre pavijoneve të ndryshme, muzeu kërkon rreth një orë e gjysëm për t’u parë i plotë.
Pavijoni i arkeologjisë
Këtu do të njiheni me plot zbulime arkeologjike të bëra në qarkun e Dibrës, që prej neolitit të hershëm. Ndër objektet më interesante mund të përmenden Pitosi nga zona e Grazhdanit, që daton rreth shekullit të III dhe të II para erës sonë, vegla pune prej stralli, punime të vjetra qeramike, sëpata apo helmeta të vjetra, qyngj uji etj.
Pavijoni i historisë
Ndërkohë që Dibra njihet dhe për figurat e shumta me peshë historike, kulturore e shoqërore që ka nxjerrë përgjatë shekujve, ndaj një pjesë e muzeut i dedikohet përcjelljës së jetës dhe veprës së këtyre emrave. Gjithashtu në fokus janë dhe emra të tjerë si kryetari i “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Iliaz Pashë Dibra, nënkryetari i qeverisë së përkohshme të Vlorës Dom Nikollë Kaçorri, Elez Isuf Ndreu, e plot figura të tjera jeta dhe vepra e të cilëve mund të njihet më në detaje.
Pavijoni etnografik
Muzeu ka dhe një pavijon etnografik ku vizitorët mund të njihen me traditat e shoqërisë dibrane në shekuj, objektet blegtorale apo ato të kuzhinës, mund të shohin të rikrijuar odën e mirënjohur dibrane të miqve etj. Vëmendje e veçantë i është kushtuar veshjeve tradicionale të burrave dhe grave, ku çdokush mund të njihet me kostumet e Dibrës, jelekë burrash apo grash, tirqe të ndryshme, e plot elemente veshjesh me interes. Oxhaku karakteristik me jataganët është gjithashtu një nga hapësirat më të kuruara të muzeut.
/Albanianpost.com